9.5 C
Kosovo
23/04/2026

«Gjurmëve të traditës atdhetare në Rogaçicë»: Rrugëtimi diplomatik i prof. Shpend Kallaba

Arkivi

Në Roganë (Rogaçicë), në zemër të Anamoravës, familja Kallaba prej kohësh njihet për kontributin e saj të çmuar në arsim dhe në çështjen kombëtare, duke nxjerrë ndër breza kuadro të dalluara përgjatë dy shekujve të fundit. Në kuadër të fejtonit “Gjurmëve të traditës atdhetare në Rogaçicë”, këtë herë ndalemi te figura e prof. Shpend Kallabës, duke veçuar veprimtarinë dhe angazhimin e tij, me theks të posaçëm në fushën e diplomacisë.

Nga Xhevdet Kallaba

NGA PROTOKOLLI SHTETËROR TE PËRFAQËSIMI NDËRKOMBËTAR: RRUGËTIMI DIPLOMATIK I SHPEND KALLABËS

I rritur në një familje me tradita patriotike, nga babai Qemajli e gjyshi Musahu trashëgoi frymën e dashurisë për atdheun. Karriera e tij diplomatike prej ambasadori të shtetit të Kosovës lë gjurmë të pashlyeshme në mesin e atdhetarëve dhe intelektualëve të familjes së gjerë Kallaba, të cilët Roganës/Rogaçicës i dhanë kuadro të rëndësishme në fusha të ndryshme përfshirë ato shoqërore, ekonomike, politike, ushtarake, sportive, letrare etj.

Ambasadori Shpend Kallaba, lindur më 1 shkurt 1961 në Komunën e Kamenicës, Republika e Kosovës, ishte diplomat karriere me përvojë të gjatë në administratën publike, diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare.

Ai u diplomua në vitin 1985 në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Filologjisë, Departamenti i Gjuhës Angleze. Në periudhën 1985–2000, ushtroi profesionin e mësimdhënësit të gjuhës angleze në arsimin fillor dhe të mesëm në disa komuna të Kosovës, duke kontribuuar në edukimin gjuhësor gjatë një periudhe të rëndësishme shoqërore.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitet 2000–2002, ai shërbeu si Këshilltar i Odës Ekonomike të Austrisë për Kosovë, në zyrën e saj në Prishtinë. Gjithashtu, ka mbajtur pozita të larta menaxheriale në Hekurudhat e Kosovës, duke fituar përvojë në administrimin institucional dhe sektorin publik.

Nga viti 2004, Kallaba u angazhua në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ku shërbeu si Shef i Divizionit për Çështjet e Protokollit në kuadër të Zyrës për Koordinimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Dialogut Rajonal – një strukturë që parapriu themelimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Kosovës. Në këtë periudhë (2004–2006), ai kontribuoi në ndërtimin dhe institucionalizimin e praktikave të Protokollit Shtetëror, duke bashkëpunuar me kabinetet e katër kryeministrave të Republikës së Kosovës.

Formimi i tij profesional u avancua përmes trajnimeve të specializuara në Akademinë Diplomatike të Tiranës dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, me fokus në protokollin shtetëror. Po ashtu, ai ndoqi programe në Institutin Diplomatik “Clingendael” në Hagë, ku u specializua në diplomaci bilaterale dhe multilaterale, si dhe praktika diplomatike. Përvoja e tij ndërkombëtare u zgjerua më tej përmes angazhimeve në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë gjatë viteve 2005–2006.

Karriera e tij politike dhe institucionale mori dimension të ri në periudhën 2006–2010, kur ai shërbeu si Shef i Kabinetit dhe Protokollit në zyrën e Behgjet Pacollit, kryetar i partisë Aleanca Kosova e Re. Në tetor 2010, ai u emërua Këshilltar për Politikë të Jashtme në kabinetin e Ushtruesit të Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe më pas shërbeu në të njëjtin funksion edhe në kabinetin e Presidentit Behgjet Pacolli gjatë vitit 2011.

Në vitin 2012, ai përfundoi një program të avancuar profesional në Seton Hall University, në Shkollën “John C. Whitehead” për Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thelluar njohuritë në fushën e diplomacisë bashkëkohore.

NJË KARRIERË NË SHËRBIM TË DIPLOMACISË DHE INTEGRIMIT  EURO-ATLANTIK TË KOSOVËS

Angazhimi diplomatik i Shpend Kallabës si ambasador i Kosovës në Bullgari (2012–2018) dhe më pas në Hungari (2019-2021) përfaqëson një periudhë të rëndësishme të konsolidimit dhe avancimit të pranisë ndërkombëtare të Kosovës në Evropën Juglindore dhe Qendrore. Në të dy mandatet, ai zhvilloi një diplomaci të qëndrueshme, pragmatike dhe shumëdimensionale, duke u fokusuar në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, promovimin e interesave shtetërore dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Në Bullgari, aktiviteti i tij u karakterizua nga intensifikimi i bashkëpunimit politik dhe institucional, duke ruajtur mbështetjen e vazhdueshme bullgare për integrimin euro-atlantik të Kosovës. Ai u angazhua gjithashtu në diplomacinë ekonomike, duke nxitur lidhjet tregtare dhe kontaktet ndërmjet komuniteteve të biznesit, si dhe në diplomacinë publike përmes organizimit të aktiviteteve që promovonin imazhin e Kosovës si shtet demokratik, multietnik dhe me orientim të qartë evropian. Kontributi i tij në këtë drejtim u njoh edhe nga institucionet e shtetit pritës, përfshirë vlerësimin zyrtar nga Rumen Radev në përfundim të mandatit.

Për kontributin e tij, më 26 qershor 2018, në prani të ambasadorëve të shumë vendeve mike, përfshirë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Turqia, Irlanda, Polonia, Egjipti, Pakistani, si dhe liderëve dhe zyrtarëve të lartë institucionalë të Bullgarisë, Presidenti Rumen Radev, me rastin e dekorimit me urdhrin “Kalorësi i Madarës”, ka vlerësuar lart punën e Ambasadorit Shpend Kallaba, me motivacionin për ngritjen dhe thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Bullgarisë dhe Kosovës.

Në Hungari (janar 2019 – gusht 2021), Kallaba vazhdoi një qasje të ngjashme, duke e orientuar veprimtarinë drejt thellimit praktik të marrëdhënieve me një partner të rëndësishëm të Bashkimit Evropian. Ai kontribuoi në forcimin e bashkëpunimit politik dhe në sigurimin e mbështetjes për proceset integruese të Kosovës, ndërsa njëkohësisht i kushtoi rëndësi zhvillimit të bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjes së investimeve. Dimension i veçantë i angazhimit të tij ishte bashkëpunimi në fushën e sigurisë, në kontekstin e rolit të Hungarisë në misionin e KFOR-it, si dhe mbështetja për shkëmbimet akademike dhe programet arsimore që kontribuojnë në ndërtimin afatgjatë të lidhjeve ndërmjet dy vendeve.

Në tërësi, veprimtaria diplomatike e Shpend Kallabës në këto dy shtete mund të vlerësohet si konsistente dhe konstruktive, me theks në rezultate konkrete dhe në forcimin gradual të marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës. Qasja e tij e balancuar ndërmjet diplomacisë politike, ekonomike dhe publike dëshmon për një profil diplomati që kontribuon në mënyrë efektive në avancimin e interesave shtetërore në një kontekst kompleks ndërkombëtar.

Gjatë karrierës së tij diplomatike z. Kallaba takoi dhe bashkëveproi me figura të rëndësishme diplomatike të rajonit e më gjerë, si: presidentin kroat Sh.T.Z. Stipe Mesiq, presidenten kroate Sh.T.S. Kolinda Grabar- Kitaroviq, presidentin e Shqipërisë Sh.T.Z. Ilir Meta, presidentin e Bullgarisë Sh.T.Z. Rosen Plevenliev, Sh.T.Z. Rumen Radev, dhe takime me personalitete shoqërore e politike, si në Vatikan dhe vende të tjera.

Ambasadori Kallaba zotëron disa gjuhë të huaja, përfshirë shqipen, anglishten, bullgarishten dhe serbishten, çka ka lehtësuar angazhimin e tij në mjedise të ndryshme diplomatike dhe ndërkulturore.

Në frymën e trashëgimisë familjare, sikurse edhe babai i tij – Qemajli, edhe Shpendi, së bashku me bashkëshorten Shqipen, vijuan rrugën e edukimit dhe arsimimit të brezave të rinj, duke e përcjellë këtë vlerë edhe te fëmijët e tyre. Pëllumbi dhe Kanarina arritën grada të larta universitare, duke dëshmuar vazhdimësinë e kësaj tradite të rrënjosur thellë në familjen Kallaba.
Pas një karriere të gjatë në shërbim të arsimit dhe angazhimeve të tjera profesionale, prof. Shpend Kallaba u pensionua më 1 shkurt 2026 dhe sot jeton me familjen e tij në Prishtinë, duke mbetur pjesë e një historie që vazhdon të shkruhet ndër breza.

 

 

 

 

 

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja