TRASHËGIMIA KULTURORE SI DËSHMI E HISTORISË DHE E KUJTESËS KOLEKTIVE: RASTI I PUSIT TË MADH NË ARBANAS TË ZARËS

Arkivi

Pusi i Madh në Arbanas të Zarës ruan kujtesën e një kohe kur banorët mblidheshin rreth tij për t’u furnizuar me  ujë, për të shkëmbyer lajme e për të krijuar lidhje shoqërore. Gjendja e mjedisit përreth këtij objekti historik ngre sot çështjen e përkujdesjes ndaj trashëgimisë kulturore: sa arrijmë ta shndërrojmë respektin për të kaluarën në përgjegjësi të vazhdueshme për ruajtjen e saj?

Shkruan: Prof. Sylejman Morina

 

Trashëgimia kulturore materiale përbën një burim të rëndësishëm për njohjen e historisë dhe të mënyrës së jetesës së një bashkësie. Përmendoret, ndërtesat dhe objektet tjera të përdorimit të përditshëm ruajnë gjurmë të organizimit shoqëror, të marrëdhënieve të krijuara ndërmjet njerëzve dhe nga përvojat e  trashëguara  nga  brezat e mëparshëm. Zakonisht, vlera e tyre nuk përcaktohet vetëm nga vjetërsia apo veçoritë arkitekturore, por edhe nga vendi që zënë në kujtesën kolektive të bashkësisë së caktuar.

Në këtë kuptim, mbrojtja e trashëgimisë kulturore është një përgjegjësi ndaj së kaluarës dhe brezave që do të vijnë. Ruajtja e vlerave  historike, njëherësh, nënkupton edhe ruajtjen e mundësisë për kuptimësinë e jetes që kishte pasur dikur një komunitet etnik apo një shoqëri e caktuar.

 Megjithatë, vëmendja ndaj trashëgimisë shpesh përqendrohet në ditët e festave dhe të përvjetorëve. E në prag të një date përkujtimore ndërmerren disa veprime, si: pastrime, rregullime, renovime  dhe përgatitje për ta paraqitur një objekt në mënyrë sa më të denjë. Veprime të tilla kanë rëndësinë e tyre, por vlera e tyre mbetet e përkohshme, nëse nuk shoqërohen me mirëmbajtje të vazhdueshme. Gjendja e trashëgimisë pas përfundimit të kremtimeve është një tregues më i qëndrueshëm i përkujdesjes që i kushtohet asaj.

PUSI I MADH NË JETËN E BASHKËSISË ARBËNESHE TË ZARËS

 Pos “Funtanës”, një rast që meriton vëmendje, është Pusi i Madh, i njohur edhe si Bunari i Madh, në Arbanas të Zarës. Ky objekt lidhet me historinë e furnizimit me ujë dhe me jetën shoqërore të arbëneshëve. Ishte i punuar me mjeshtri dhe arkën e rregulluar  bukur në formë rrethore me kurorë. Ai pra nuk paraqiste një gropë të zakonshme në të cilën kishte ujë. Sipas katalogut të botuar për ekspozitën e hapur, në bibliotekën “Aleksander Stipçeviq” të Abneshit (Arbanasit), të autorëve: Kotlar & Dokoza, me titull: “Puset e Arbanasit”, 6.5.2022, aty ishin paraqitur puset më të njohura, si dhe vlera e tyre, sidomos kur Zara ishte e rrethuar nga forcat serbe, të cilat ia kishin ndërprerë furnizimin me ujë, ato puse u kishin shërbyer edhe qytetarëve të tjerë për furnizim me ujë. Situata e krijuar i kishte ngjallur puset e harruara … Pusi më i rëndësishëm padyshim është Pusi i Madh, pranë të cilit është ndërtuar stacioni  kryesor i autobusëve. Siç tregonin pleqtë, po edhe autorët e Katalogut, ai ishte ndërtuar në vitin 1907, por nuk ka shënime tjera si u ndërtua, nga kush, për sa kohë etj. Mirëpo, uji i këtij pusi ishe i njohur për cilësinë që e kishte. Ai ujë përdorej për pije, gatim dhe për t’u dhënë ujë kafshëve, por jo për ujitjen e kopshteve, në një kohë kur nuk kishte furnizim me ujë nga ujësjellësi i qytetit. Furnizimi me ujë ishte pjesë e nevojave të përditshme, kryesisht bëhej nga puset e shumta që ekzistonin në Arbanas.

 ASPEKTI SOCIAL I  PUSIT TË MADH

 Pusi i Madh krijonte mundësi për takime dhe shkëmbim mendimesh ndërmjet banorëve. Ishte vendi ku qarkullonin lajme, zhvilloheshin biseda, fuqizohej përbashkësia mes banorëve të fshatit, zhvilloheshin biseda dhe mbaheshin gjallë lidhjet e bashkësisë. Ruhej gjuha e tyre si dhe doket e zakonet. Po ashtu ishte edhe burim i thashethemeve. Ai vend kishte edhe një specifikë të veçantë, aty  të rinjtë dhe të rejat  takoheshin mes tyre. Zakonisht vajzat në mëngjes shkonin me shtamba për të mbushur ujë. Ky veprim krijonte mundësinë për t’u takuar e për të biseduar edhe me djemtë. Ndonjëherë bisedat zgjateshin dhe kthimi në shtëpi vonohej; në atë vend kishin zënë fill edhe njohje e dashuritë rinore. Kjo përmasë e jetës së përditshme e bën pusin një pikë të rëndësishme të kujtesës shoqërore dhe emocionale të arbëneshëve.

Objektet e tilla na ndihmojnë ta shohim historinë edhe përmes përvojave të zakonshme njerëzore. Historia e një bashkësie përfshin, krahas ngjarjeve të mëdha, veprave të mëdha  materiale, e ato jo materiale, punët e përditshme, vendet e takimit, marrëdhëniet familjare, edhe mënyrat e bashkëjetesës. Pusi i Madh është një dëshmi materiale e kësaj historie. Mësuesi i njohur arbënesh Petar Uçi Peroviq, në nji intervistë me z Bernard Kotlar, në ekspozitën  “Kurorëzimet e Arbëneshve të Zarës“ pos tjerash e përmend edhe Pusin e Madh. “Në kohërat  më të vjetra, njoftimi i të rinjve ishte te bunari i fshatit.

Në atë kohë uji është bartur për në shtëpi nga bunari, e më së shpeshti këtë punë e kanë bërë vajzat. Djelmoshat nga anash i shikonin ato, por gjithmonë kishin një respekt ndaj tyre: asnjë  çast nuk i kanë nënçmuar, por edhe ato ishin krenare dhe i shikonin djemtë tinëzisht. Nganjëherë shtambën e mbushur me ujë e derdhnin në skajeve, që të mund të ktheheshin përsëri te bunari për të mbushur ujë dhe të shëtisnin para syve të djemve” – (gazeta Bota Sot, e hënë, 24 janar 2011). Ndërsa intelektuali, shkrimtari, ushtaraku e diplomat, Ivica  Mateshiq Jeremia e përmend Pusin e Madh:

 NË SKAJ TË QYTETIT

………………………………….

 Në skaj të qytetit

 gjurmët e dukshme të litarëve

…të gjyshërve tanë.

Në kurorën e Bunarit të Madh

e ujit të gjallë të burimit tonë…

(Koha Ditore, 8.3.2008)

 Po ashtu,  dramaturgu i njohur arbënesh, Josip V. Rela, ngjarjen e dramës “Martesa” e kishte vendosur te Pusi i Madh.

Objekte të tilla na ndihmojnë ta shohim historinë edhe përmes përvojave të zakonshme njerëzore. Historia e një bashkësie përfshin, krahas ngjarjeve të mëdha, punët e përditshme, vendet e takimit, marrëdhëniet familjare dhe mënyrat e bashkëjetesës. Pusi i Madh është një dëshmi materiale e kësaj historie.

VËZHGIMI I GJENDJES DHE NEVOJA PËR MIRËMBAJTJE

Gjatë një kalimi pranë Pusit të Madh, në vitin 2023, vura re katër kontejnerë mbeturinash të mbështetur në arkën e pusit. Kjo pamje më shqetësoi, sepse mënyra e përdorimit të hapësirës përreth nuk i përgjigjej rëndësisë historike të objektit. Gjatë një vizite tjetër, në vitin 2026, kontejnerët nuk ndodheshin më aty, por përreth pusit kishte ende papastërti të dukshme.

Këto vëzhgime lidhen me gjendjen e objektit në kohën e vizitave të mia dhe nuk përgjigjen për  gjendjen në çdo kohë. Megjithatë, ato ngrenë një çështje të arsyeshme: si përkthehet njohja e vlerës historike të një objekti në përkujdesje të përditshme për të dhe për mjedisin që e rrethon?

Pasi që Pusi i Madh është regjistruar ndër objektet historike të Arbanasit, e mirëmbajtjes së tij, duhet t’i kushtohet përkujdesja e nevojshme për ta ruajtur edhe vlerën e tij historike. Për  dallim  nga  puset e tjera arka e ka edhe kurorën, mbi të cilën shtrihet kapaku metalik që shërben për parandalimin e aksidenteve, sidomos të fëmijëve, hedhja e mjeteve të ndryshme, ashtu siç ndodh me “Funtanën”  që shpesh vullnetarët arbëneshë e pastrojnë. Në një gjendje të keqe është edhe ish objekti i shkollës së parë të Mësuesisë në Dalmaci e cila gjendet në Arbënesh  që për disa çështje pronësore, ka mbetur i pa shfrytëzuare e i lënë pas dore.

Angazhimi për Pusin e Madh do të nënkuptonte pastrim të rregullt, të ambientit afër pusit, ngritja e një rrethoje mbrojtëse, vendosja e një tabele informuese me të dhëna historike dhe të tjera në gjuhë kroate, arbënisht dhe anglisht. Ajo do t’u ndihmonte gjeneratave të reja dhe vizitorët ta kuptojnë më mirë rëndësinë dhe vlerën e tij. Uji i këtij pusi kurrë nuk kishte shteruar, as tani që është i harruar, qëndron në qetësi s’ka zhurmë të kovave me ujë, as të njerëzve, i mbuluar me kapak metalik si një i burgosur i përjetshëm.

PËRGJEGJËSIA PËR VAZHDIMËSINË E KUJTESËS

Trashëgimia kulturore ruhet përmes bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe bashkësisë. Institucionet kanë përgjegjësi për mbrojtjen dhe mirëmbajtjen, ndërsa qytetarët mund të kontribuojnë në ruajtjen e tyre. Ata edhe duke i ruajtur kujtimet, fotografitë dhe rrëfimet me brezat i japin kuptim e gjallëri objektit. Kështu, ruajtja fizike dhe dokumentimi i kujtesës plotësojnë njëri-tjetrin. Pusi i Madh dëshmon një kohë kur sigurimi i ujit ishte pjesë e përditshmërisë dhe kur një burim i përbashkët krijonte edhe një hapësirë takimi. Përkujdesja ndaj tij është një mënyrë për të respektuar jetën dhe përvojat e brezave që e përdorën.

Trashëgimia kulturore kërkon vazhdimësi përtej ditëve të kremtimit. Nëse kujdesemi sot për këto dëshmi të së kaluarës, brezave të ardhshëm u lëmë mundësinë që historinë ta njohin edhe përmes objekteve, vendeve dhe kujtimeve që e bëjnë atë të prekshme.

 

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja