-3.5 C
Kosovo
17/12/2025

Ne nderime të larta u varros në vendlindje veprimtari i çështjes kombëtare Halil Malaj nga Hogoshti

Arkivi

Në Gjilan, më 25 shtator 2025, u mbajt mbledhja komemorative kushtuar jetës dhe veprës së veprimtarit të çështjes kombëtare, Halil Malaj, i cili ndërroi jetë në moshën 90-vjeçare. Në këtë ceremoni, të organizuar me pjesëmarrjen e familjarëve, bashkëveprimtarëve, përfaqësuesve të institucioneve dhe qytetarëve, u vlerësua lart kontributi i Halil Malajt për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Nga: Xhevdet Kallaba

Moderator i tubimit ishte Tahir Arifi, i cili ndër të tjera tha:
“Halil Malaj e bëri shtëpinë e vet atdhe e atdheun emër të vetvetes. Ai mori pjesën e dhimbshme të saj dhe gati për dy dekada e barti si gur malli në zemër, pa u dorëzuar kurrë. Aga Lilë i mori kësaj jete atdheut të tij gjithë vuajtjen e dashurinë e i fali gjithë përkushtimin, qëndresën e sakrificën.”

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, e cilësoi jetën e Halil Malajt si shembull të përkushtimit dhe moralit:
“Baca Halil iu përkushtua tërë jetën çështjes sonë kombëtare. Prej rinisë së hershme ai zgjodhi rrugën e sakrificës dhe të punës ilegale për lirinë e atdheut. Ishte një burrë i thjeshtë, por i fuqishëm me moralin dhe vendosmërinë e tij.”

Bashkëveprimtari dhe publicisti Mehmet Hajrizi solli kujtime dhe krahasime historike:
“Të hysh në historinë e familjes Malaj të Hogoshtit antik të Dardanës është si të hapësh dyert e rënda të një muzeu të madh të luftës së lavdishme. Heroi Rexhep Malaj anëtarësoi shumë veprimtarë në organizatë, por kurrë nuk shkeli në dërrasë të kalbur. Ai e njihte mirë kushëririn e tij Halilin, i cili krahëhapur iu bashkua radhëve të organizuara çlirimtare.”

Në emër të bashkëveprimtarëve nga mërgata foli Saime Isufi, e cila vuri në pah rolin e grave të familjes Malaj:
“Nënë Hazbija dhe gratë e kësaj familjeje – Rexhija e Hanifja – janë heroina që mbajtën në kurriz gjithë barrën e familjes si gra të guximshme, duke u ndjekur, maltretuar e burgosur, por pa u dorëzuar asnjëherë. Ato kanë fituar respektin e përhershëm tonin.”

Familja Malaj mori edhe disa telegrame ngushëllimi, mes tjerash nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Gjilan, nga mërgata shqiptare dhe nga Aleanca në Gjilan.

Në emër të familjes foli nipi i Halil Malajt, Ilir Kurteshi:
“Gjyshi edhe pse ishte një njeri i thjeshtë nuk ka qenë aspak njeri i zakonshëm. Ai ishte një burrë atdhetar, një aktivist që jetën e tij ia kushtoi jo vetes, por lirisë dhe të ardhmes së vendit. Ai ishte gjyshi që na mësoi me ndershmërinë, respektin dhe dashurinë për njëri-tjetrin.”

Pas komemoracionit, trupi i pajetë u përcoll për në Hogosht, rreth 40 km nga Gjilani, ku u zhvillua ceremonia e varrimit me pjesëmarrje të gjerë.

Moderatorja e ceremonisë së varrimit, Gresa Biçku, fjalën ia dha kryetarit të Komunës së Dardanës, Kadri Rahimaj, i cili duke kujtuar një thënie të Halil Malajt tha:
“Kisha krijuar një rreth shokësh të mirë, por barrën e rëndë nuk kam dashur asnjëherë t’ua ngarkoj atyre.”
Ai shtoi se Halil Malaj dhe familja e tij i dhanë lirisë më shumë se jetën e tyre, duke mbetur përherë në kujtesën e kombit.

Komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, tha:
“Sot po i japim lamtumirën një njeriu të veçantë, i cili në ilegalen e hershme i foli punës para fjalës, veprës para retorikës. Shtëpia e tij në kohë të caktuara u bë shtëpia e gjithë veprimtarëve të ilegales.”

Në emër të Shoqatës së të Burgosurve Politikë foli Selajdin Avdullahu:
“Halil Malaj ishte dhe mbetet një ndër figurat e shquara të qëndresës dhe dashurisë shqiptare. Ai i takon brezit të viteve ’70, të cilët me guxim e vendosmëri sfiduan pushtuesin dhe sistemin shtypës.”

Në këtë ceremoni u lexua edhe fjala mortore e publicistit Xhevdet Kallaba, ku u vlerësua lart veprimtaria patriotike dhe sakrifica e Halil Malajt. Pas saj, u krye edhe ceremonia fetare e udhëhequr nga hoxhallarët Xhemush Biçku dhe Jeton Sermaxhaj, të cilët falënderuan të pranishmit dhe njoftuan për ceremonitë e të pames.

Në fund, fjalë falënderimi mbajtën edhe Vebi Kastrati në emër të fshatit Hogosht dhe djali i madh i Halilit, – Sali Malaj, i cili në emër të familjes falënderoi të gjithë të pranishmit për respektin dhe nderimin e treguar ndaj bacës Halil.

Halil Malaj, veprimtar i palodhshëm i çështjes kombëtare, u përcoll për në banesën e fundit me nderime të larta, duke lënë pas një jetë të tërë qëndrese, sakrifice dhe përkushtimi për lirinë e atdheut.

Në ndarjen e fundit me Halil Malajn, bashkëshortja Hazbije hodhi një grusht dhe mbi varrin e bashkëshortit të saj, duke e falënderuar për sakrificën e përbashkët e duke ia bërë hallall gjithë mundin kushtuar kësaj famljeje. Me nga në grusht dhe i dhanë lamtumirën e fundit edhe të gjitha vajzat e djemtë, si dhe nipat e mbesat e Halil Malajt.

Në ndarje, familjarët vendosën kurora lulesh të freskëta mbi varrin e bacës Halil, me dëshirën që shpirti i tij të pushojë në parajsë.

Pjesëmarrësit e varrimit u përshëndetën një për një me familjarët në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e Halil Malajt.

Fjalë Homazhi për Halil Malajn (1936–2025) nga miku i shtëpisë Xhevdet Kallaba

Të nderuar familjarë, miq e bashkëveprimtarë,

Sot jemi mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit një njeriu të madh, një prindi të përkushtuar, një bashkëshorti shembullor dhe një veprimtari të palodhur të çështjes sonë kombëtare – Bacës Halil Malaj.

Jeta e tij filloi më 26 korrik 1936 në Hogosht, në një familje që trashëgonte atdhedashuri brez pas brezi. I biri i Idriz Malajt, prijës në Luftën e Kikës, dhe i nënës Lakë, Baca Halil u brumos që herët me dashuri për lirinë dhe sakrificën. Dhe këtë trashëgimi e mbajti me besnikëri deri në ditët e fundit.

Në vitin 1970 ai mori rrugën e kurbetit drejt Munihut të Gjermanisë, për t’i hapur rrugë një jete më të mirë shtatë fëmijëve të tij. Por kurbeti për të nuk ishte vetëm punë e djersë. Ishte edhe vazhdim i një beteje të madhe politike. Për shkak të veprimtarisë së tij ilegale, për 18 vjet me radhë iu desh të jetonte si hije, duke ardhur fshehurazi në shtëpi, gjithmonë nën ndjekjen e regjimit serb.

Në vitet ’80, ai u bë një nga hallkat më të rëndësishme të shpërndarjes së revistave “Zëri i Kosovës” dhe “Liria”, duke e mbajtur të gjallë frymën e rezistencës. Ishte pranë Kadri Zekës, pranë vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, pranë Hydajet Hysenit, Hasan Malajt, Rexhep Malajt, Gani Sylës, Xhafer Shatrit e shumë të tjerëve që jetën ua kushtuan lirisë së Kosovës.

Por mbi të gjitha, Baca Halil ishte prind i sakrificës. Katër nga shtatë fëmijët e tij kaluan vite të gjata burgjesh politike. Ai nuk u ankua kurrë. Nuk u thye kurrë. Përkundrazi, këtë e quante krenari, sepse liria kërkonte sakrifica. Dhe në këtë udhë nuk ishte vetëm: krah të djathtë e kishte bashkëshorten e tij burrërore, Hazbijen, që me shumë dinjitet e mbajti peshën e familjes, vizitave në burgjet serbe dhe dhimbjen e një nëne, pa iu dorëzuar asnjëherë.

Baca Halil ishte gjithmonë i thjeshtë, i urtë dhe i madh në shpirt. Ai nuk e ngriti kurrë veten mbi të tjerët, edhe pse kishte arsye për të. Çdo meritë ia atribuonte bashkëveprimtarëve, çdo sukses e shihte si fryt të përbashkët.

Ishte i pashmangshëm në demonstratat e mërgatës shqiptare, nga Cyrihu në Munih, nga Dyseldorfi në Shtutgart. Në çdo vend ku duhej ngritur zëri për Kosovën, ai ishte aty.

Sot ne kujtojmë jo vetëm veprimtarinë e tij, por edhe madhështinë e zemrës së tij. Ai nuk u nda nga kjo botë si një njeri i zakonshëm. Ai u nda si një simbol i heshtur i atdhedashurisë, si një monument i gjallë i sakrificës dhe i thjeshtësisë.

Pas çlirimit të Kosovës, Baca Halil u kthye në Hogosht, aty ku e nisi jetën, aty ku me Hazbijen lindën e rritën fëmijët, aty ku mbollën dashurinë për atdheun edhe tek nipërit e mbesat. Dhe sot, Hogoshti e përqafon përgjithmonë në prehrin e vet Bacën Halil.

Të dashur miq,

Me largimin e Bacës Halil ne humbëm një njeri të madh, por fituam një kujtim të pavdekshëm. Ai na mësoi se sakrifica nuk është barrë, por nder. Se liria nuk është dhuratë, por flijim. Dhe se dashuria për atdheun është trashëgimi që nuk shuhet kurrë.

Lavdi jetës dhe veprës së Bacës Halil!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!

 

 

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja