Duke u përballur përditë e më shumë, në këto ditë fushate zgjedhjesh, me shprehje urrejtëse brenda shoqërisë dhe familjes, m’u kujtua ky tregim me porosi, që e kisha dëgjuar nga babai im në vitet ’80, natyrisht i modifikuar dhe i përshtatur për aktualietin e sotëm. Le të shërbejë ky tregim në funksion të luftimit të paragjykimeve të paarsyeshme!
Kishte qenë njëherë një vjehërr, që Zoti ia kishte falë dy re. Reja e madhe quhej Hamide, kurse e vogla Halime. Fatkeqësisht, sytë e këtij vjehrrit nuk shikonin me drejtësi. Halimen e kishte “si shpirtin”, e për Hamiden nuk donte as t’ia shihte hijen, megjithëse ajo ishte gruaja e djalit të tij e i shërbente me nder.
Vjehrrit i kishte hipur dembelia mbi supe si qafore guri, e barku i madh prej ushqimit të pakontrolluar i ishte shndërruar në “fron mbretëror”. Më shumë qëndronte shtrirë në odën e shtruar me jana e qilima sesa të qëndronte ulur këmbëkryq, si burrat. Në atë fron, paragjykimi i tij sundonte më shumë se ai vetë.
Kur Hamidja kalonte dy metra larg tij, duke mos dashur as ta trazonte, ai ia plaske me fjalë therëse:
— Çka dreqin po më sillesh e mbështillesh nëpër këmbë, a s’të vjen marre?
Por kur Halimja i kalonte përmbi këmbë, gati ia shkelte gishtat, ai buzëqeshte si të mos kishte ndodhur gjë. Dy masa, dy standarde. E gjithë kjo vetëm se njëra i shkonte më për qejfi e tjetrën nuk e duronte dot. Jo pse kishte ndonjë arsye, por pse zemra e tij kishte zgjedhur të gjykonte pa mëshirë.
Vaj medet për këtë mendje njerëzore, që shpesh nuk sheh realitetin, por verbërohet nga simpatia dhe antipatia.
Analogjia është e hidhur, por e vërtetë: Ashtu si ky vjehërr, shumë njerëz sot në politikë e shoqëri gjykojnë me dy standarde. Udhëheqësve të vet nuk ua shohin hajnitë, mashtrimet e as gënjeshtrat, i arsyetojnë, u bien “daulle” lavdie. Por kur ndonjë udhëheqës i partisë tjetër bën të njëjtën gjë – ose edhe më pak – menjëherë duan ta djegin në “turrë të druve”.
Ky është paragjykim i pastër, i veshur me fanatizëm dhe urrejtje. Dhe urrejtja, kur ushqehet përditë, kthehet në hasmëri që s’ka të shuar.
Porosia është e qartë: Mos gjykoni njerëzit me sy të njëanshëm. Mos lejoni që simpatia e verbër apo antipatia e pashpjegueshme të bëhen udhërrëfyes të jetës. Pesha e paragjykimit është më e rëndë se barku i çdo dembeli. Vetëm mendja e kthjellët dhe zemra e pastër mund ta ndalin zjarrin e urrejtjes që po na përpin ngadalë.
“Paragjykimi është syri që sheh shtrembër, fjala që ther pa faj dhe pesha që bie mbi të pafajshmin. Kush gjykon me urrejtje, kurrë nuk do të mund të jetojë me paqe.”
/Dëgjuar nga Tefik Kallaba (vitet ’80) dhe modifikuar nga Xhevdet Kallaba/Redaktura dhe ilustrimi artistik – Chatgpt)