0.5 C
Kosovo
15/01/2026

Portretizim i veprës poetike të Ramadan Mehmetit

Arkivi

Ditë më parë, në nismën e Vjeshtës letrare të Gjilanit, poeti Ramadan Mehmeti ma dhuroi librin e tij të fundit “77 poezi për qytetin tim», të cilin me kureshtje e lexova dhe, sipërfaqësisht, po jap këtë vlerësim, ngase më detajisht për librin ka shkruar recensenti i librit, kritiku letrar, Prend Buzhala. 

Vepra poetike e Ramadan Mehmetit qëndron si një gur themeli në letërsinë e Anamoravës, jo vetëm për nga vëllimi, por edhe për nga përkushtimi i rrallë që ai i ka kushtuar qytetit të tij. Me librin e tij të fundit, “77 poezi për qytetin tim”, botuar në vitin e 77-të të jetës, ai dëshmon se poezia është për të jo thjesht një shkrim estetik, por një mënyrë frymëmarrjeje dhe një akt dashurie qytetare.
Në këtë cikël poetik, Mehmeti e vendos Gjilanin në qendër të universit të tij krijues. Qyteti shfaqet si sahat-kulla e tij e brendshme, që tik-takon shpresën dhe lëvizjen e pandalshme të kulturës anamoraviane. Me vargje të rimuara dhe me varg të lirë, ai ecën nëpër rrugët e tij si një dritë që lind në agim e shuhet në muzg, duke lënë gjurmë kujtese si brazdat e ballit të tij – shenjë e pjekurisë, e kohës dhe e qëndrueshmërisë.
Poezitë e renditura në kapituj ndjekin një ritëm kronik të jetës së qytetit: gëzimet dhe hidhërimet, përparimi dhe ngecja, përditshmëria gri dhe shpërthimet e ngjyrave të shpirtit qytetar. Mehmeti nuk është vetëm poet i Gjilanit – ai është kronisti i tij emocional, misionari i kujtesës kolektive, i cili e mban qytetin në shpirt si një zjarr të pashuar.
Në shumë poezi, ai i drejtohet lexuesve e sidomos poetëve të tjerë, duke i ftuar: “ejani me mua në Gjilanin e purpurt të kujtimeve”. Kështu, qyteti bëhet një skenë e përbashkët krijimi, një vend ku çdo brez ka lënë gjurmë, por shpesh nuk ka marrë mjaftueshëm nga ai.
Edhe Prishtina hyn në universin e tij poetik si një hapësirë e barazvlershme me qytetet e magjisë botërore – Niagara, Nili, Roma, Ibiza. Në kryeqytet ai gjen metafora të reja: natën që klith në duar, lumin që ngrihet me lotët e tij, udhëkryqet e fatit që nuk lexohen kurrë deri në fund. Poeti nuk e ndan veten nga qyteti, përkundrazi, e shkrin fatin e vet me fatin e tij.
Megjithatë, më e thella ndër të gjitha mbetet lidhja e tij me Livoçin, vendlindjen e tij, të cilës ai i mbetet borxhli në shpirt. Aty ai e sheh veten si një katror të tablosë së madhe të origjinës, duke kërkuar që ajo ta kujtojë gjithmonë, sikur poeti të kishte frikë se mos koha ia shlyen gjurmët.
Vepra e Ramadan Mehmetit, e dëshmuar tashmë nga dhjetëra libra, është një kombinim i fuqishëm i ndjenjës qytetare, nostalgjisë poetike dhe mjeshtërisë së vargut. Në këtë portret letrar, poeti del si një figurë që nuk e ka shkruar qytetin vetëm me laps, por e ka jetuar atë deri në thelb – një poet që i ka falur Gjilanit ashtu siç falet dielli: çdo mëngjes një përshëndetje, çdo mbrëmje një kujtim.
Urojmë që Ramadan Mehmeti t’i kapërcejë edhe “77 kodra të tjera të jetës” dhe të vazhdojë të na dhurojë vepra që mbajnë brenda aromën, historinë dhe shpirtin e qyteteve të tij./Xhevdet Kallaba/

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja