7.5 C
Kosovo
22/04/2026

PROF. SEVDAI THAÇI – 81 VJET JETË, ARSIM, SPORT DHE ATDHETARI

Arkivi

Më 18 nëntor të këtij viti profesori dhe patrioti Sevdai Thaçi mbushi 81 vjet. Në shenjë urimi dhe përgëzimi për jetën dhe veprën e tij po japim një përmbledhje të shkurtër të biografisë së tij.

Nga Xhevdet Kallaba

Prof. Sevdai Thaçi u lind më 18 nëntor 1944 në Karaçevë të Poshtme, Komuna e Kamenicës, në familjen e Abazit dhe Hatixhesë (Morina). Edhe pse prindërit kishin një familje të madhe prej pesë fëmijësh, ata i krijuan mundësi të vazhdueshme shkollimi, duke e orientuar në rrugën e arsimit dhe formimit profesional. Arsimin fillor e kreu në Karaçevë dhe Rogaçicë, ndërsa atë të mesëm në Gjilan (Shkolla Ekonomike) dhe në Prishtinë (Shkolla Normale).

Në vitet 1966–1967 kreu shërbimin ushtarak në Bileqe të Bosnjë–Hercegovinës, ku përfundoi shkollën për oficer rezervë, duke u graduar Nëntoger, e më vonë Kapiten i Klasit të Parë. Përvojat dhe aftësitë e fituara në këtë shërbim do të rifitonin rëndësi në fillim të viteve ’90, gjatë përpjekjeve të para për organizimin e strukturave vetëmbrojtëse shqiptare, të cilat u zbuluan nga shërbimet sekrete serbe – gjë që la pasoja të drejtpërdrejta në jetën e tij.

Në periudhën 1968–1972, Thaçi vijoi studimet në Fakultetin e Kulturës Fizike në Universitetin e Sarajevës, ku u formua si pedagog dhe specialist i edukimit fizik. Karrierën e tij e nisi në moshë të re, si mësues në shkollën fillore të Desivojcës (1964–1966). Pas diplomimit, punoi si profesor i Kulturës Fizike në Gjimnazin e Kamenicës nga viti 1972 deri më 1980, ku dha kontribut substancial në edukimin sportiv të brezave të rinj.

Nga viti 1980 deri më 1990 shërbeu si referent i Kulturës Fizike në BVI të Komunës së Kamenicës, ku koordinoi dhe organizoi jetën sportive komunale, duke zhvilluar aktivitete, gara dhe manifestime sportive me të gjitha grup-moshat. Në këtë periudhë krijoi një model të veçantë të organizimit sportiv lokal, pavarësisht mungesës së vlerësimit institucional në një ambient politikisht të ngarkuar.

Në vitin 1990 u largua me dhunë nga puna, së bashku me mbi 200 mijë punëtorë shqiptarë, si pasojë e represionit sistematik të pushtetit serb.

Veprimtaria aktive sportive e Sevdai Thaçit shtrihet në mbi një dekadë. Ai ishte sportist i klubeve të njohura të volejbollit “Akademiku” dhe “Taftisoni” në Gjilan. Krahas këtij angazhimi personal, ai luajti rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin sportiv të Komunës së Kamenicës. Udhëhoqi ekipe në disiplina të shumta – futboll, hendboll, volejboll (meshkuj dhe femra), atletikë, mundje dhe skitari – dhe ngriti standarde të reja për sportin lokal.

Për kontributin e tij mori çmimin “Punëtori më i mirë në Kosovë në fushën e volejbollit”, si dhe shërbeu në kryesitë e Federatës së Kosovës për volejboll, atletikë dhe skitari. Ndër organizimet më të rëndësishme sportive nën drejtimin e tij ishin garat e qeramikëve të Jugosllavisë, të mbajtura në Kamenicë në vitin 1984 me mbi një mijë pjesëmarrës, si dhe garat republikane të atletikës, të zhvilluara në Karaçevë të Poshtme më 6 prill 1996.

Prof. Thaçi mbetet një figurë aktive në proceset shoqërore dhe politike të Kosovës. Ishte pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1968 dhe mbështetës i hapur i demonstratave të vitit 1981, qëndrime për të cilat u vu nën survejim të vazhdueshëm nga organet e sigurimit. Në debatin publik për ndryshimet kushtetuese, të organizuar në Kamenicë, mbrojti fuqishëm dispozitat e Kushtetutës së vitit 1974, duke theksuar rëndësinë e saj për pozitën e shqiptarëve në Kosovë.

Në vitin 1990 ishte ndër organizatorët kryesorë të procesit të pajtimit të gjaqeve në Karaçevë, ku u arrit falja e 22 gjaqeve dhe shumë konflikteve ndërfamiljare. Po atë vit, mori pjesë në organizimin e Referendumit për Pavarësinë e Kosovës.

Represioni ndaj tij u shtua ndjeshëm gjatë viteve 1993–1996. Më 1993 u dënua me dy muaj burg për kundërshtimin e dhunës policore serbe. Në vitin 1994 u keqtrajtua rëndë nga sigurimi në Gjilan për shkak të deklaratës së tij se ishte qytetar i Republikës së Kosovës. Më 14 prill 1995 u arrestua nën akuzën për organizim të popullatës kundër forcave serbe dhe u dënua me 18 muaj burg, me të drejtë mbrojtjeje në liri.

Në vitin 1996 u dënua sërish me gjashtë muaj burg për organizimin e aktiviteteve sportive, ndonëse zyrtarisht mbante funksionin e kryetarit komunal për sport.

Duke u përballur me rrezikun e një dënimi të zgjatur dhe mungesën e çdo garancie juridike, në vitin 1997 u detyrua të largohej nga Kosova, duke kërkuar strehim politik në Zvicër. Në mars 1998 iu pranua statusi i refugjatit, i cili mundësoi edhe bashkimin familjar.

Gjatë luftës së Kosovës u rreshtua në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe më pas vazhdoi angazhimin e tij politik dhe shoqëror në mërgatë, në kantonin e Bernës, përfshirë strukturat e Lidhjes Demokratike të Dardanisë.

Pas krijimit të kushteve të reja në vend, në vitin 2007 u rikthye për të kandiduar për kryetar të Komunës së Kamenicës në zgjedhjet e 17 nëntorit.

Aktualisht jeton me familjen e tij në Cyrih të Zvicrës.

 

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja