7.5 C
Kosovo
22/04/2026

DIMENSIONET LETRARE, EDUKATIVE DHE IDENTITARE NË ROMANIN “SHPELLA E CUKELIT” TË NIJAZI KASTRATIT

Arkivi

Në një atmosferë të ngrohtë kulturore dhe me një pjesëmarrje të konsiderueshme të dashamirësve të librit, në ambientet e shtëpisë së kulturës “Isa Kastrati” në Dardanë (Kamenicë) u promovua romani për fëmijë “Shpella e Cukelit” i autorit Nijazi Kastrati. Rreth 50 të pranishëm – arsimtarë, krijues, studiues dhe lexues të përkushtuar – u bënë pjesë e kësaj ngjarjeje letrare që i dha vëmendje të veçantë një vepre me peshë në letërsinë bashkëkohore për fëmijë.

Nga Xhevdet Kallaba

Programi i promovimit u hap me një hyrje të kuruar dhe me elegancë gjuhësore, ndërsa moderimi profesional i z. Shefik Kastrati i dha ritëm dhe koherencë gjithë rrjedhës së aktivitetit. Më shumë se një promovim formal, ky takim u shndërrua në një tribunë të mirëfilltë diskutimi letrar, ku përmes kumtesave dhe vlerësimeve të redaktorit dhe tre recensuesve, u analizuan dimensionet artistike, edukative dhe identitare të romanit.

Në fjalën e tij, redaktori i librit, Xhevdet Kallaba, e vlerësoi romanin “Shpella e Cukelit” si një vepër me funksion të qartë formues, që tejkalon kufijtë e një rrëfimi të thjeshtë për fëmijë. Ai theksoi se romani ndërton një botë të gjallë dhe të besueshme fëmijësh, ku ndërthuren natyrshëm aventura, miqësia, raporti me natyrën dhe lidhja me familjen, duke krijuar një tekst që jo vetëm argëton, por edhe edukon dhe forcon ndjenjën e përkatësisë.

Nga një këndvështrim më i gjerë teorik, recensuesi Sylejman Morina vuri në dukje se kjo vepër dëshmon qartë se letërsia për fëmijë mund të bartë vlera të thella artistike dhe kombëtare. Sipas tij, romani ndërtohet mbi procesin e rritjes së fëmijës përmes përvojës, ku aventura shndërrohet në një mjet të njohjes së botës dhe të vetvetes. Ai e interpretoi Shpellën e Cukelit si një metaforë të së panjohurës dhe të guximit për ta kapërcyer atë, duke e vendosur kështu veprën në një plan më të thellë simbolik dhe edukativ.

Në analizën e tij, recensuesi Baki Krasniqi u ndal në aspektet stilistike dhe narrative të veprës, duke theksuar se proza e Nijazi Kastratit plotëson natyrshëm krijimtarinë e tij poetike. Ai evidentoi përdorimin e elementeve të humorit, dialogut dhe personifikimit, të cilat e bëjnë rrëfimin më të gjallë dhe më të afërt për lexuesin e ri. Sipas Krasniqit, mesazhi edukativ i romanit nuk paraqitet si ligjëratë e drejtpërdrejtë, por buron natyrshëm nga situatat dhe marrëdhëniet mes personazheve, veçanërisht në raportin ndërmjet gjyshit dhe nipit.

Ndërkaq, recensuesi Nexhat Rexha e vendosi romanin në një kontekst më të gjerë historik dhe shoqëror, duke theksuar se vepra ndërthur në mënyrë organike përvojën e fëmijërisë me realitetin e luftës për liri dhe fenomenin e mërgimit. Ai veçoi episodin e “ushtarëve të vegjël të lirisë” si një nga kulmet e veprës, ku fëmijët nuk janë vetëm vëzhgues të ngjarjeve, por edhe pjesëmarrës aktivë në rrjedhat historike, duke reflektuar kështu një ndërgjegje të hershme kolektive.

Një nga elementet që u theksua në mënyrë të përbashkët nga të gjithë vlerësuesit ishte roli i rëndësishëm i marrëdhënieve ndërbreznore. Figura e gjyshërve, si bartës të përvojës dhe traditës, paraqitet si një urë lidhëse ndërmjet së kaluarës dhe së tashmes, duke kontribuuar në formimin moral dhe kulturor të fëmijëve. Po ashtu, trajtimi i temës së mërgimit dhe i sfidave që përballen fëmijët jashtë vendlindjes u konsiderua një pasqyrim i ndjeshëm dhe realist i një fenomeni të përhapur në shoqërinë tonë.

Nga pikëpamja artistike, romani u vlerësua për strukturën e tij të qartë narrative, organizimin e mirë të episodeve dhe përdorimin e një gjuhe të thjeshtë, por funksionale, që garanton komunikueshmëri të lartë me lexuesin. Këto elemente e bëjnë veprën të qasshme dhe njëkohësisht tërheqëse, duke e vendosur atë në një pozitë të rëndësishme në kuadër të letërsisë bashkëkohore për fëmijë në Kosovë.

Në përmbyllje të këtij aktiviteti, fjala e autorit Nijazi Kastrati solli një reflektim të sinqertë mbi procesin krijues dhe motivet që qëndrojnë pas kësaj vepre. Ai theksoi se romani është një përpjekje për të ruajtur vlerat themelore të fëmijërisë, lidhjen me familjen, natyrën dhe kujtesën historike, duke nënvizuar rolin e letërsisë si mjet jo vetëm për argëtim, por edhe për formim dhe ndërgjegjësim. Autori Kastrati falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e kësaj vepre, në veçanti çiftin Betim e Dafina Morina, me banim në Kanada, të cilët mbuluan shpenzimet e shtypit të këtij libri, e i cili iu shpërnda mysafirëve të pranishëm në këtë ngjarje përurimi.

Në tërësi, promovimi i romanit “Shpella e Cukelit” u dëshmua si një ngjarje e rëndësishme kulturore, e cila jo vetëm që solli në vëmendje një vepër me vlera të veçanta letrare, por edhe hapi një hapësirë të nevojshme diskutimi mbi rolin dhe drejtimet e zhvillimit të letërsisë për fëmijë në shoqërinë tonë bashkëkohore.

Këtë ngjarje e begatoi edhe prania prof. Jakup Krasniqi me nxënëset Laureta dhe Rita Hoti nga fshati Carallukë e Malishevës, të cilët deklamuan pjesë nga libri, si dhe argëtuan të pranishmit me tri këngë popullore.

Një apero e përbashkët te restorant Ardi nxiti të pranishmit tema debutuese rreth krijimtarisë letrare, në përgjithësi, dhe asaj për fëmijë, në veçanti. Ngjarja e sotme u përmbyll me fotografi të përbashkëta kujtimi.

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja