Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Greta B. Kryeziut, vetëm 28-vjeçare, drejtoreshë e Shëndetësisë në Kamenicë dhe farmaciste me përkushtim e humanizëm të rrallë.
Greta u bë zë dhe udhëheqëse e shëndetësisë në komunën e Kamenicës, duke e vendosur veten në ballë të shërbimit për shëndetin e qytetarëve, me synimin që secili të gëzonte një jetë më të shëndetshme. Ajo u sëmur ditë më parë nga problemet me mëlçi dhe, pavarësisht trajtimit mjekësor në Spitalin “Cistina” në Shkup, ndërroi jetë sot, më 20 gusht 2025, duke lënë pas pikëllim të madh.
Kjo humbje e rëndë preku jo vetëm familjen Kryeziu, por edhe gjithë banorët e Roganës e më gjerë, që e njohën dhe e çmuan Gretën si profesioniste të devotshme dhe si njeri të dashur. Ajo do të kujtohet me respekt nga gjenerata e saj shkollore, kolegët e QKMF-së në Kamenicë, si dhe nga të gjithë pacientët dhe banorët që gjetën shërim e përkujdesje në barnatoren e saj në Roganë, e cila mbante emrin “Greta”.
Përpjekja e madhe e miqve dhe bashkëfshatarëve për ta ndihmuar Gretën me financimin e trajtimit jashtë vendit, në Turqi, mbetet dëshmi e dashurisë dhe respektit që ajo gëzonte, ndonëse fati nuk ia dha mundësinë të arrinte atje me kohë.
Në këtë ditë zie, shpresojmë që mjekësia të reflektojë gjithnjë më shumë në gjetjen e zgjidhjeve të shpejta e të drejta për sëmundjet e tilla, që jetë si ajo e Gretës të mos ndërpriten kaq herët.
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe gjithë ata që e deshën.
Pusho në paqe, Greta!