-3.5 C
Kosovo
17/12/2025

Prof. Ibrahim Shabani – Profesor, intelektual dhe veprimtar i çështjes kombëtare

Arkivi

Përmbledhje shënimesh për intelektualin më të moshuar në Gjilan dhe Anamoravë. Evokime nga një mal kujtimesh dhe një tren bagazh në arsim e kulturë janë përfshirë në këtë shkrim eksklusiv për Inforogana.com.

Nga: Xhevdet Kallaba

Ibrahim Shabani lindi më 1932 në fshatin Përlepnicë të komunës së Gjilanit, në një familje të njohur për përkushtimin ndaj dijes, arsimit dhe çështjes kombëtare. Arsimin fillor katërklasësh e filloi në shkollën e Kmetocit, për të vazhduar më pas në vendlindje, ndërsa shkollimin e mëtejshëm e vazhdoi në Prizren, ku ndoqi progjimnazin. Më pas përfundoi Shkollën Normale në Prishtinë dhe studimet universitare në Fakultetin Filologjik të Beogradit, në Degën e Albanologjisë.

Rrënjët dhe kujtimet e hershme
Pa ndonjë skenar paraprak, evokimet e bacës Ibrahim shpesh nisin nga pika zero, duke ndërthurur fragmente filozofike me përvoja praktike e pragmatike. Jeta e tij ka pasur ecejaket e veta – herë me hidhërime e sakrifica, herë me gëzime e arritje.

Një nga kujtimet kyçe është koha kur, në klasën e katërt të progjimnazit, ndodhej para dy “portave”: asaj të dritës dhe asaj të errësirës. Babai i tij, Tahsini, për shkak të kushteve të vështira, kishte planifikuar që ai dhe vëllai Hyseni të mbeteshin në punët bujqësore, ndërsa vëllai Sabiti, më i brishtë nga shëndeti, të vazhdonte shkollimin e lartë. Por një vendim i Drejtorisë së Arsimit që detyronte nxënësit e shkëlqyer të klasës së katërt të vazhdonin në të pestën, i ndryshoi fatin. “Para vete shihja portën e errësirës, por përnjëherë u futa në portën e dritës; në vend që të bëhesha nallban si vëllai Hyseni, u bëra profesor”, kujton ai, duke shtuar me keqardhje se edhe Hyseni do të bëhej një profesor i shkëlqyer po t’i ishte dhënë rasti.

Fillimet e shkollimit larg vendlindjes
Rruga drejt dijes nuk ishte e lehtë. Më 14 prill 1948, për herë të parë u nis nga Përlepnica për në Prizren me 17 dinarë në xhep: 5 dinarë për biletën deri në Ferizaj, 7 për biletën deri në Prizren, dhe 5 dinarë të mbetur për të blerë pesë fletore ushtrimi. “Nuk më kujtohet si e kalova javën e parë atje, por sigurisht që më kanë dërguar para shtesë,” thotë ai, para se të zhvendosë bisedën te kujtimet për profesorët e atyre viteve. Kujtimet e tij për Prizrenin përfshijnë katedralen pranë konviktit të dikurshëm, kazermat ushtarake me kuajt e sertë, Lumëbardhin idilik, xhamitë e kishat, dhe ëmbëltoren buzë lumit ku shpesh kalonte duke parë me dëshirë fëmijët e qytetit që shijonin akulloret – një luks i paarritshëm për të në ato kohë.

Fillimet e karrierës arsimore
Në vitin 1953 nisi punën si mësues i gjuhës shqipe në fshatin Bresalc të Gjilanit. Nga viti 1955 deri në vitin 1959 shërbeu si arsimtar dhe drejtor i shkollës së Zhegrës, ndërsa më pas vazhdoi në Përlepnicë dhe në shkollën e mesme ekonomike të Gjilanit. Në vitet 1963–1969 dha mësim në Shkollën Normale “Skënderbeu” në Gjilan, duke përgatitur gjashtë gjenerata maturantësh.

Kontributi në kulturë dhe bibliotekari

Në vitin 1969 u zgjodh drejtor i Bibliotekës Amë e më pas edhe i gjithë Shtëpisë së Kulturës, në kuadër të së cilës ishte edhe biblioteka në fjalë. Kështu, këtë institucion e shndërroi në një qendër të rëndësishme kulturore, duke siguruar marrëveshje me “Rilindjen” për furnizimin me libra nga Kosova dhe Shqipëria, deri në raportin: një libër për çdo banor të qytetit. Në këtë cilësi e ka themeluar edhe Teatrin Gjysmëprofesionist, i treti për nga niveli dhe rëndësia në Kosovë, pas atij Popullor Krahinor të Prishtinës dhe Popullor të Gjakovës. Me atë rast kishte sjellë në Gjilan regjisorin Muharrem Shahiqin, dhe si udhëheqës të Bibliotekës Ali Huruglicën. Pra, vetë ishte drejtor i Shtëpisë së Kulturës dhe pastaj i BVI-së për Kulturë dhe në fund i BVI-së për Arsim. Ai organizoi Panairin e Librit në Gjilan, lidhjen e revistave periodike dhe punoi për ndërtimin e një shtëpie të kulturës. Si pasojë e demonstratave të vitit 1981 projekti për formimin e Teatrit profesionist u ndalua, mirëpo ai vazhdoi të funksiononte si Teatër Gjysmëprofesionist deri në mbylljen e institucioneve të Kosovës. Vetëm pas luftës teatri është ngritur në teatër profesionist.

Drejtues dhe këshilltar pedagogjik
Nga viti 1979 deri në vitin 1984 drejtoi Entin Rajonal Arsimor-Pedagogjik në Gjilan, derisa u shkarkua si “i papërshtatshëm ideopolitikisht”. Deri më 1991 punoi si këshilltar pedagogjik, kur u përjashtua dhe u pensionua në mënyrë të parakohshme.

Qëndrimet dhe guximi qytetar
I njohur për mbrojtjen e arsimit shqip dhe kulturës kombëtare, ai kundërshtonte hapur padrejtësitë politike dhe arsimore. Në vitet ’90 ishte kryetar i Forumit të Intelektualëve Shqiptar (FISH) për Gjilan dhe një aktivist i denjë për këtë forum në Anamoravë. Në atë kohë kur Autonomia e Kosovës, tashmë, ishte suprimuar nga regjimi serb, dhe egërsia e regjimit, kishte arritur kulmin, një punëtor sigurimi, gjatë një bisede informative, e kishte pyetur nëse e pranonte Republikën e Serbisë si shtetin e tij, ai u përgjigj prerë dhe si një intelektual i mirëfilltë: “Nuk e pranoj ! Pyetjes, – pse: iu përgjigj sërish prerazi: edhe deri në mëngjes koha është e pakët për t’i numëruar arsyet”.

Familja dhe trashëgimia
Vjen nga një familje me traditë arsimdashëse – babai Tahsini shiti një pjesë të “hises” së mullirit për të arsimuar fëmijët. Vëllai Muharremi studioi në Universitetin Al-Azhar për Drejtësi Islame dhe kontribuoi në media e kulturë. Universiteti Al-Azhar ndodhet në Kajro, Egjipt, dhe është një nga institucionet më të vjetra dhe më të njohura në fushën e arsimit islam — themeluar rreth vitit 970/972 në lagjen historike të qytetit.

Ibrahim Shabani u martua më 1960 dhe ka pesë fëmijë (3 djem e dy vajza) dhe mbeti deri në moshë të shtyrë i lidhur me jetën kulturore të Gjilanit. Merrte pjesë në përurime dhe manifestime të shumta që organizoheshin në Gjilan. Së fundmi, si intelektuali më i moshuar në Gjilan, priti në “Vali Ranç” të Përlepnicës shkrimtarin e shumëlexuar e të mirënjohur Ismail Kadare. Me atë rast nga përfaqësuesit komunalë iu dorëzua Mirënjohja për kontributin në edukimin dhe ndërtimin e institucioneve kulturore në komunën e Gjilanit. Brezat e kujtojnë si mësuesin e ndershëm, intelektualin e guximshëm dhe njeriun që nuk bëri kompromis me parimet.

Në moshën e tij të shtyrë, ai ruan ende energjinë për të bërë shëtitje të gjata, madje edhe udhëtime 350 kilometërshe brenda ditës, me dëshirën për të parë e njohur sa më shumë nga trojet shqiptare. “Nuk më bën përshtypje se çfarë ha e çfarë pi në këtë moshë, por më mbetet merak që ta shfrytëzoj kohën për të parë sa më shumë nga kjo botë”, shprehte entuziazmin e tij gjatë një vizite Prizrenit në prill të vitit 2019. Veç tjerash, një vizitë të ngjashme treditore, së fundmi, e ndërmori edhe në vitin 2023, duke vizituar familjarisht Strugën, Pogradecin, Korçën, Beratin, Apoloninë dhe Krujën.

Si mik shtëpie që e kam, por edhe si model i një mësimdhënësi të përkushtuar, me rastin e 92-vjetorit të lindjes së tij, më 11 shtator 2024, bashkë me një urim modest, vargëzova disa vargje poetike, kushtuar prof. Ibrahim Shabanit.

NJË SHEKULL I JETUAR

Një shekull i jetuar

me katër stinët jetësore

me fëmijëri të mbarë

thithur nektar diturie

përplotësim

obligimesh njerëzore,

me familje intelektualësh

dhe atdhedashurie.

Edhe shumë vjet bashkë

me familje e shoqëri

dhe shumë këshilla

për shtegun PLEQËRI!

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja