5.5 C
Kosovo
19/04/2026

NË ROGANË TË DARDANËS INAUGUROHEN BUSTET E HERONJVE – METUSH KRASNIQI DHE SEJDI KRYEZIU 

Arkivi

Rogana e Dardanës/Kamenicës sot (18 prill 2026) ishte vendtakim i mysafirëve të shumtë, të ftuar e të rastit, të cilët kishin ardhur nga vise të ndryshme të Kosovës, të Luginës së Preshevës dhe nga Maqedonia e Veriut për të marrë pjesë në një ngjarje të veçantë për këtë trevë. Në orën 11:00 nisi manifestimi solemn me rastin e inaugurimit të dy busteve kushtuar patriotëve dhe heronjve Metush Krasniqi dhe Sejdi Kryeziu.

Nga Xhevdet Kallaba

Banorët e Roganës dhe fshatrave përreth i pritën me përzemërsi të pranishmit, në mesin e të cilëve kishte edhe ish të burgosur politikë – bashkëvuajtës të këtyre figurave gjatë regjimit jugosllav. Dy heronjtë, të lidhur që nga vitet ’50 nga ideali dhe veprimtaria kombëtare, u përjetësuan sot në bronz në ambientet e shkollës fillore dhe të mesme në Roganë, që mbajnë emrat e tyre.

Bustet janë realizuar falë vetëkontributit të disa bashkëvendësve, ndërsa ceremonia u mbajt nën patronatin e kryetarit të Komunës së Dardanës, Kadri Rahimaj. Në këtë ngjarje mori pjesë edhe ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Shkëlqesia e Tij z.Florian Qehaja.

Pas intonimit të himnit kombëtar dhe atij shtetëror nga orkestra frymore e qytetit të Dardanës, programi vazhdoi me fjalimet e moderatorës Iliri Pireva, njëherësh pasardhëse e familjeve të këtyre figurave, si dhe të nënkryetares Arta Bajralija dhe kryetarit të Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Shefik Sadiku.

Në emër të familjeve folën Teuta Krasniqi për Metush Krasniqin dhe Emira Kryeziu për Sejdi Kryeziun, duke sjellë kujtime dhe dëshmi për jetën dhe sakrificën e tyre. Programi artistik u pasurua nga kori i dy shkollave me këngën “Pa bashkim nuk ka fuqi”, si dhe nga recitimi i nxënëses Vlera Kastrati me poezinë “Jam shqiptar e kosovar”.

Të gjithë folësit vunë theksin te biografia dhe veprimtaria e heronjve, duke kujtuar torturat dhe vitet e gjata të kaluara në burgjet jugosllave, si dëshmi e sakrificës së tyre për lirinë e sotme. Emocione të veçanta solli edhe fjalimi i bashkëvuajtësit nga Tetova, Elmaz Ademaj, i cili u përcoll me duartrokitje të gjata nga të pranishmit.

Zbulimi i busteve u bë nga familjarët, ndërsa më pas qytetarë të shumtë u përulën me respekt para tyre, duke nderuar dy kolosët nga Rogana dhe Dajkoci. Që nga sot, ata nuk janë vetëm pjesë e kujtesës, por edhe e historisë së përjetësuar të kësaj treve.

Pas ceremonisë, nikoqiri organizoi një drekë për mysafirët e ftuar, duke e përmbyllur kështu një ditë të mbushur me kujtime, respekt dhe krenari kombëtare.

Me këtë rast kisha shkruar një poezi elegjiake, por për shkak të hapësirës së kufizuar kohore të tubimit inaugurues poezia nuk recitua para publikut.

SIdoqoftë atë po e botojmë të plotë në Inforogana.

“Dy emra që nuk vdesin kurrë”

(Poezi elegjiake për inaugurimin e busteve në Roganë,

18 prill 2026)

 

Në këtë ditë prilli, kur dheu merr frymë kujtese,

Rogana ngrihet—si zemër dhe si mur,

mes gurësh të heshtur që sot flasin me zë,

për dy emra që nuk vdesin kurrë.

Metush Krasniqi dhe Sejdi Kryeziu—

dy shtylla të një ideali,

dy dritëza në errësirën e kohëve të rënda,

dy shpirtra që robëria nuk i ndali.

Nga kjo tokë u ngritën,

me gjakun e stërgjyshërve në damarë,

me thirrjen e lirisë në gjoks,

me një betim të rrënjosur në çdo kapilar.

Sejdiu—mësuesi që mbolli dritë,

me librin në dorë dhe me zemrën në flamur,

që e bëri fjalën armë

dhe arsimin—shpresë për brezat e etur.

Metushi—zëri që nuk u shua,

prijësi që nuk u përkul, por vendosi

ta shkruajë historinë me qëndresë

dhe me vetësakrificë e vulosi.

Së bashku—si dy lumenj që derdhen në një det,

punuan, u ngritën, u burgosën,

por kurrë nuk u thyen—

se liria për ta ishte më shumë se një vullnet.

Në qelitë e ftohta, ku nata zgjatej pa fund,

ata mbajtën gjallë agimin,

dhe në heshtjen e hekurt të prangave

u dëgjua zëri i një kombi që zgjohej.

Sot, këto buste nuk janë gurë të heshtur—

janë sy që shikojnë përpara,

janë kujtesë që nuk lejon harresë,

janë betim për brezat që vijnë pas nesh.

Shkollat që mbajnë emrat e tyre—

janë dritë në këtë vend,

janë sytë dhe truri i Roganës,

janë ëndrra e bërë jetë—e babës e nanës.

Fëmijët që mësojnë nën këta emra

janë fara e së nesërmes,

janë dëshmia se sakrifica nuk shkoi kot,

se liria ka rrënjë të thella—sot e mot.

E sot, kur zbulojmë këta gurë të përjetësisë,

ne nuk qajmë vetëm për të shkuarën—

ne ngrihemi për të ardhmen,

me të njëjtin betim drejt pavdekësisë.

Lavdi jetës dhe veprës së tyre,

lavdi gjakut që u bë dritë,

lavdi emrave që mbeten udhë,

për çdo hap të këtij kombi në dritë.

Sepse ata nuk janë më vetëm kujtim—

janë udhë, janë urë,

janë flamur që nuk bie,

janë vetë liria që nuk vdes kurrë.

 

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja