23.5 C
Kosovo
11/05/2026

ISA H. DËRMAKU – ZËRI I REZISTENCËS DHE MENÇURISË SHQIPTARE

Arkivi

Veprimtaria atdhetare ka qenë dhe mbetet një rrugë e gjatë, e mbushur me sakrifica, sidomos kur përballë ke regjime totalitare dhe gjenocidale. Megjithatë, dashuria për atdheun dhe ideali për liri i tejkalojnë çdo sfidë dhe pengesë që del përpara veprimtarëve të çështjes kombëtare. Kësaj radhe, për lexuesit e platformës Inforogana, sjellim një fjalim të veprimtarit dhe atdhetarit nga Shipashnica e Epërme e Dardanës, prof. Isa H. Dërmaku, të mbajtur në Bernë të Zvicrës gjatë viteve ’90, në një nga tubimet më të mëdha të shqiptarëve në mbështetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Përgatitur nga: Xhevdet Kallaba

Shkrimi “Mes hijes së fuqisë dhe dritës së mençurisë” i autorit Isa H. Dërmaku vjen si një reflektim i thellë filozofik, politik dhe kombëtar mbi diplomacinë, lirinë dhe sfidat historike të popullit shqiptar. Përmes një gjuhe të ngarkuar me mendim kritik dhe përvojë jetësore, autori trajton diplomacinë jo vetëm si instrument politik, por si art të mbijetesës kombëtare dhe mbrojtjes së identitetit shqiptar në kohë të vështira historike.

Isa H. Dërmaku është ish-i burgosur politik nga Kosova, i cili pas vuajtjeve në burgjet e regjimit serb emigroi në Zvicër, ku fitoi azil politik dhe vazhdoi aktivitetin e tij kombëtar e intelektual. Për dekada me radhë ai ka qenë një zë aktiv i shqiptarëve në diasporë, sidomos gjatë viteve ’90, duke marrë pjesë në organizime, protesta dhe veprimtari në mbështetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Krahas angazhimit politik e kombëtar, ai merret edhe me poezi dhe krijimtari letrare, ndërsa që nga dhjetori i vitit 2025 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Në këtë ese, autori sjell jo vetëm analizë diplomatike, por edhe përvojën dhe ndjeshmërinë e një krijuesi që e ka jetuar nga afër dramën historike të kombit të vet.

Në këtë tekst, Isa H. Dërmaku dëshmon pjekuri intelektuale dhe kombëtare, duke e trajtuar diplomacinë si një dimension të rëndësishëm të mbijetesës dhe vetëdijes shqiptare. Eseja bart thellësi mendimi, qartësi filozofike dhe ndjenjë të fuqishme përgjegjësie ndaj historisë sonë kombëtare. Veçanërisht vlerësohet mënyra se si autori ndërthur përvojën personale, angazhimin patriotik dhe kulturën letrare, duke i dhënë tekstit një forcë të veçantë reflektuese dhe artistike.

Në vazhdim po sjellim tekstin e plotë të një diskutimi dhe reflektimi të tij politik e diplomatik, të lidhur edhe me frymën e demonstratave të shqiptarëve në Bernë të Zvicrës gjatë viteve ’90, ku autori iu drejtua mijëra bashkatdhetarëve dhe opinionit ndërkombëtar në mbështetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

MES HIJES SË FUQISË DHE DRITËS SË MENÇURISË

(Diplomacia si dramë e kohës dhe mbijetesës kombëtare shqiptare)

Natyrisht, edhe atëherë kur njeriu nuk dëshiron t’u bindet fakteve të dëshmuara katërçipërisht, mbetet e pamohueshme se jeta njerëzore ka qenë dhe vazhdon të jetë «dramë e dramave». Kjo dramë nuk zhvillohet vetëm në fatin e individit, por edhe në historinë e popujve, në përplasjet politike, në betejat diplomatike dhe në luftën e vazhdueshme për liri e dinjitet.

Patjetër, në zemër të kësaj drame, as në kohët më të rënda të robërisë nga Serbia, kur prangat e hekurta e lëndonin qenien time deri në palcë, unë nuk kërkoja mëshirë nga askush. Përpiqesha të gjeja rrugëdalje përmes fuqisë së mendjes racionale, guximit dhe përpjekjeve epike. Historia ka dëshmuar se e pamundura mund të bëhet e mundur, por vetëm kur njeriu nuk lejon robërinë t’ia lidhë mendjen, shpirtin dhe vullnetin.

Pak njerëz e kuptojnë se nevoja më e madhe e njeriut është të shohë qartë realitetin ku jeton. Jo vetëm në pasqyrë, por kohën, vendin dhe rrethanat që e rrethon. Ky studim tejkalon thjeshtësinë, sepse çdo pamje që hyn në vetëdije krijon imazhe, interpretime por edhe gjykime që ndikojnë në mënyrën se si njeriu vepron. Natyrisht, ka shikime të çastit, instinktive, por edhe vëzhgime të thella që kërkojnë kohë, përqendrim dhe mençuri.

Po. Pikërisht këtu fillon diplomacia. Jo si lojë e fjalëve, por si aftësi për të kuptuar thelbin e situatave dhe për ta ruajtur ekuilibrin mes interesave, fuqisë dhe së vërtetës. Fatkeqësisht, shumë njerëz që mendojnë se merren me politikë apo diplomaci, besojnë se janë zotër të kësaj fushe, ndërkohë që ende ndodhen në stadet parafillestare të të kuptuarit të saj. Diplomacia e vërtetë nuk ndërtohet mbi mendjemadhësi, por mbi dije, vetëpërmbajtje dhe aftësi për të lexuar kohën.

Diplomacia moderne është shumëdimensionale. Bota sot nuk funksionon më në një nivel të vetëm. Çdo nivel politike, ekonomik apo strategjik kërkon njohuri që i tejkalojnë kufijtë lokalë dhe rajonalë. Sepse, në arenat ndërkombëtare zhvillohen lojëra të ndërlikuara diplomatike, ku shpesh përdoren metoda oruelliane për ta dëmtuar kundërshtarin, për ta çorientuar dhe për ta mbajtur të bllokuar në rrethin e pasigurisë.

Diplomacia që sheh vetëm përmes syrit të forcës, rivalin e shndërron në figurë përbuzëse, në «bishë të mjegullës», duke tentuar ta zhveshë nga dinjiteti politik dhe njerëzor. Mirëpo, përtej kësaj përplasjeje, çdo palë synon fitoren diplomatike, sepse pas saj rruga bëhet më e lehtë për dominim politik, ekonomik dhe strategjik. Në këtë garë fitojnë ata që arrijnë t’i bashkojnë mençurinë, guximin dhe fuqinë e arsyes.

Gjithsesi, koha mbetet matësi më i madh i historisë dhe diplomacisë. Ajo është porta ku ruhen sekretet politike dhe strategjike, aty edhe të sigurisë. Shpesh diplomatët paraqiten sikur zotërojnë horizonte shumë më të mëdha sesa njohuritë reale që kanë. Por diplomacia serioze nuk mbahet me iluzione. Ajo kërkon dije shkencore, kulturë shtetformuese dhe përgjegjësi sa politike po aq historike.

Në botën bashkëkohore, fuqitë e mëdha ndërtojnë narrativi të tëra politike e ushtarake, përfshirë këtu edhe shërbimet sekrete për ta imponuar ndikimin e tyre. Diplomacitë e forta, pra të mençura, krijojnë bindjen se «liqenet e zjarrit» dhe bubullimat e kohës burojnë vetëm prej tyre. Kjo fuqi nuk mbështetet vetëm në armë, por edhe në mjeshtërinë e fjalës, në propagandë, në ekonomi dhe në kontrollin e informacionit, që jo rrallë përpunohet nga shërbimet sekrete të atyre shteteve që kanë dominim absolut në botë.

Por, megjithatë, ne duhet të ecim përpara me shumë urtësi dhe mençuri, duke ii tejkaluar komplekset dhe «fiksimet» e trashëguara nga shekujt e robërisë. Asnjë popull nuk mund të mbijetojë vetëm me emocione, ai ka mbi të gjitha shumë nevojë për institucione të forta, mendim strategjik dhe organizim shumë cilësor.

Prandaj, është e domosdoshme të vihen në lëvizje të gjitha potencialet intelektuale dhe kombëtare për forcimin e lirisë sonë. Jo të gjithë ata që kanë poste në diplomaci apo politikë janë të aftë të ecin mbi «perin e hollë të diplomacisë». Realiteti shpesh dëshmon dështime, improvizime dhe mungesë vizioni. Për këtë arsye, ristrukturimi i diplomacisë dhe politikës sonë mbetet nevojë jetike për kombin dhe atdheun.

Populli ynë e ka thënë me urtësi: «Nga asgjë del zeroja». Politika, ekonomia, siguria dhe demokracia nuk ndërtohen nën hijen e individëve që e shohin veten si «njësha absolutë.»

Në fund, pra para rezymesë, duhet thënë qartë: e vërteta mbetet superiore ndaj çdo manipulimi, force apo mashtrimi politik. E vërteta jonë do të triumfojë vetëm atëherë kur të udhëhiqet nga mençuria shkencore, nga arsyeja dhe vetëdija e lartë kombëtare.

Diplomacia si e tillë, me sa u tha më lartë, duhet të ketë mendim, ndjenjë dhe bosht të filozofisë dhe sociologjisë diplomatike, politike, sepse vetëm kështu ja dalim mbarë dhe mirë tï japim rrjedhën e duhur diplomacisë shkencore, në dobi të kombit shqiptar.

Për fund, si rezymim konciz: Natyrisht, ndjej për obligim, pasi dhashë këtë Ese, diplomatike-politike, që në fakt ka një bosht të fuqishëm jo vetëm meditativ, filozofik, sociologjik, logjik dhe politik pra shkencor, por para e mbi të gjitha jam përpjekur t’i japi atë frymën sa koncize po aq epike, por aty brenda ka edhe revoltë intelektuale pra racionale si dhe përpjekje për ta trajtuar shkencërisht diplomacinë si art i vërtetë i mbijetesë kombëtare shqiptare. Ashtu si e do rendi dhe vendi, këtu është para së gjithash: qartësia jo vetëm gjuhësore e shkencore, por me prioritet edhe disiplina logjike, si dhe rrjedhshmëria që ka sa strukturim po aq edhe përmbajtje reale akademike, duke evituar anët emocionale për t’i lënë vendin e duhur mençurisë racionale.

Prandaj, ky trajtim studimor, kur është fjala te diplomacia ynë, që në fakt ka qenë gjatë gjithë historisë si dramë e kohëve për luftë të mençur në arenën ndërkombëtare për mbijetesën e vërtetë nacionale shqiptare.

Diplomacia ynë, jo rrallë shumë amatore…, ka punuar si ta themi mes hijes së vet dhe hijeve të fuqisë që kishin, në përpjekje për ta mbajtur të ndezur dritën e mençurisë, për t’ia dalë të bëjmë një farë lufte, që unë do ta quaj të vërtetë, sepse diplomacia ynë ishte dhe mbeti në kornizat e përpjekjeve të mëdha vetëm për një lloj që duket si ekuilibër historik, deri te mbrojtja e popullit përmes luftës çlirimtare nga UÇK-ja dhe NATO, me në krye SHBA-të dhe BE-ja.

 

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja