5.5 C
Kosovo
02/05/2026

NJË LIBËR FANAR PËR JETËN DHE VEPRËN E NJË MUZIKOLOGU TË PËRKORË

Arkivi

Redaksia e platformës “Inforogana”, me konsideratë të lartë dhe ndjenjë të thellë mirënjohjeje, paraqet për lexuesit shkrimin analitik të Prof. dr. Bahtijar Kryeziut, kushtuar monografisë “Prof. Xhevat Ismajli – kujtesë”. Ky trajtim i thelluar, i ndërtuar mbi baza të qëndrueshme studimore dhe me një qasje të spikatur interpretative, përfaqëson një kontribut të çmuar në ndriçimin, afirmimin dhe ruajtjen e trashëgimisë intelektuale e kulturore të profesor Xhevat Ismajlit.

Në vijim, botohet i plotë ky shkrim me vlera të veçanta, i cili dëshmon përkushtimin akademik dhe përgjegjësinë kulturore në trajtimin e figurave të rëndësishme të arsimit dhe muzikologjisë shqiptare.

Bahtijar Kryeziu

NJË LIBËR FANAR PËR JETËN DHE VEPRËN E NJË MUZIKOLOGU TË PËRKORË

(Xhevdet Kallaba: ˮProf. Xhevat Ismajli – Kujtesë ˮ (Monografi), Gjilan, 2026)

Bashkëvendësi im, gazetari, opinionisti e libërshkruesi, i cili ka bërë emër në letrat shqipe, Xhevdet Kallaba, para pak ditësh më solli monografinë, të cilën ia kishte kushtuar nipit të tij e tonit, muzikologut tashmë të ndjerë – profesor Xhevat Ismajlit. Ky sihariq i papandehur, por i gëzuar, më nxiti të shkruaj këta pak rreshta, me qëllim që të paraqes një përshtypje korrekte e të sinqertë për prof. Xhevatin, shpërfaqur në libër nga Kallaba, e diçka edhe nga mbamendja ime, përballë punës profesionale-shkencore shumë të frytshme e shumëvjeçare në arsimin fillor, të mesëm e atë universitar të profesor Xhevatit, i cili në qarqet akademike vlerësohej e çmohet edhe sot si njëri nga përfaqësuesit e dalluar në fushën e muzikologjisë dhe në metodologjinë e mësimdhënies e të mësimxënies.

Të shkruash për miqtë, shokët e shtrenjtë të jetës dhe të familjes është shumë e vështirë nga droja e subjektivizmit. Mirëpo ky frikësim edhe mua në këtë shkrim për kolegun Xhevat, më shkrihet, e sigurisht edhe në mendjen e penën e Xhevdetit, sikur akulli në diell, përballë punës shumëvjeçare të një intelektuali dorëmbarë e mendjendritur, siç ishte Xhevat Ismajli dhe puna e pavdirë e tij me nxënës të Anamoravës dhe studentë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi e një kohë edhe me studentë (shqiptarë e grekë) nga Greqia (në Shkollën e lartë pedagogjike ˮSkënderbeuˮ në Gjilan) dhe pastaj me studentët tanë në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës – Qendra në Gjilan.

Në Parathënien e monografisë së tij, autori Xhevdet Kallaba, duke e portretizuar figurën dhe veprimtarinë e kryepersonazhit që e ka bërë objekt studimi e trajtimi, spikat atë me këto fjalë: ˮsi mësues dhe profesor i metodikës së edukatës muzikore; si organizator dhe drejtues institucional, si hulumtues i talentit muzikor, si autor që ka reflektuar mbi procesin e mësimdhënies dhe mbi teoritë bashkëkohore të të nxënit, si dhe si kronist i zhvillimit të muzikës artistike në Anamoravë. Këto dimensione nuk qëndrojnë të ndara, por përbëjnë një tërësi organike, që e bën të domosdoshme një trajtim monografik të ndërthurur: dokumentar dhe analitik njëkohësishtˮ (f. 5).

Xhevdet Kallaba, si autor i veprës ˮProf. Xhevat Ismajli – kujtesëˮ, pos një Parathënie (f. 5-6); një Recensioni (f. 7) nga muzikologu e kolegu i Xhevatit, Izet Kallaba dhe të një biobibliografie për vete (f.191), veprën e ka strukturuar në VI pjesë e në XII kapituj, një metodologji e teknikë e re pune që nuk e ndeshim edhe aq në publikimet tona, të shtrirë në 191 faqe të formatit 24 cm.

Në pjesën e parë: ka kapërthyer kapitujt I dhe II, faqe 9-21; në pjesën e dytë: ndeshim kapitujt III dhe IV, faqe 23-67; në pjesën e tretë: janë përfshirë kapitujt V dhe VI, faqe 71-80; në pjesën e katërt: kemi kapitullin VII, faqe 81-92; në pjesën e pestë: kapitujt VIII dhe IX, faqe 95-131 dhe në pjesën e gjashtë: kanë zënë vendin e tyre kapitujt X, XI dhe XII, faqe 135-178.

Në Parathënie të veprës autori ka shpërfaqur një modesti në formë, porse, në pasqyrimin e përmbajtjes së librit ka qenë gjithëpërfshirës dhe ka sintetizuar, me mjeshtri ustai e peshore në dorë, të gjithë segmentet më sensitivë të 12 sythave të monografisë, të paraqitur ashtu natyrshëm në 6 pjesët e monografisë së tij që lidhen me emrin e profesor Xhevat Ismajlit. Një pjesë e paragrafit, në përmbyllje të Parathënies, sikur mbërthen tërë mëtimin që kishte autori për veprën dhe kryepersonazhin, shprehur me fjalët: ˮAi (prof. Xhevati – B. K.) përfaqëson një hallkë të rëndësishme në zinxhirin e zhvillimit të arsimit muzikor në Kosovë dhe një shembull të përkushtimit pedagogjik, të ndërtuar mbi bazën e punës, disiplinës dhe ndjeshmërisë ndaj talentitˮ (f. 6). Sakaq, muzikologu e maestro i përkushtuar, daja, Izet Kallaba; po njëherazi edhe shok shkollimi e pune i Xhevatit, pa subjektivizëm, në një faqe libri, ka pikasur pikat më të rëndësishme nga jeta dhe veprimtaria profesionale e profesor Xhevat Ismajlit, mbështetur, sigurisht, edhe në atë që ka përvijuar autori në veprën e vet, duke përligjur atë se ˮKjo monografi nuk është vetëm një përmbledhje biografike: ajo është një akt i ruajtjes së kujtesës historike dhe institucionale» e që veprat si kjo duhet ˮtë dokumentohen dhe të bëhen pjesë e trashëgimisë kulturore dhe arsimoreˮ – thotë Izeti (f. 7).

Xhevdeti, në këtë vepër me vlerë e peshë të padiskutueshme, duke filluar nga Pjesa I e Kapitullit të 1-rë, ka trajtuar çështje përkitazi me jetën dhe formimin profesional të Xhevat Ismajlit: sikundër veprohet thuajse në çdo monografi tjetër, natyrisht, me veçoritë që e karakterizojnë lindjen e kryepersonazhit të veprës, statusin e tij prej jetimi, peripecitë dhe vështirësitë ekonomike, shkollimin e mbijetesën, por, megjithatë, ˮnë një mjedis ku muzika ishte pjesë e natyrshme e jetës së përditshme me këngët e ahengjeve familjare dhe zërat karakteristikë të vëllezërve – Hysenit e Mehmetit dhe të motrës Elfetes…ˮ e që ˮkjo trashëgimi e padukshme, por e fuqishme, do të bëhej më vonë themeli i rrugëtimit të tij në muzikë dhe edukim» – shkruan Xhevdeti në f. 11 të veprës që e botoi pak ditë më parë. E këtu, nuk di se si m’u kujtua edhe mua një thënie: «Aty ku mbarojnë fjalët, fillon muzikaˮ, e Heinrich Heine – e njërit prej poetëve dhe një ndër gazetarët më të shquar gjerman gjatë shekullit të 19-të. Përtej këtyre të dhënave që u përmendën në këtë syth, autori i veprës pykëzohet edhe në detaje të tjera, të ngritjes profesionale të Xhevatit dhe ecejaket e tij si për: hapat e parë në arsim e muzikë; nga mësues – në studiues të muzikës; themelues dhe udhëheqës i arsimit muzikor fillor e të mesëm në Gjilan, Dardanë, Bujanoc e pastaj edhe ligjërues e profesor në ShLP dhe në Fakultetin e Edukimit në Gjilan. Me një fjalë, aty ku e kërkonte nevoja.

Si moto të Kapitullit të 2-të, autori i veprës ka përzgjedhur një aforizëm të dramaturgut, poetit dhe shkrimtarit të madh francez, Viktor Hygo, se: «Muzika shpreh atë që nuk mund të flitet dhe për çka është e pamundur të heshtetˮ…, duke vazhduar tutje me veprimtarinë profesionale dhe pedagogjike të profesor Xhevat Ismajlit, plotësuar me punën e profesorit si autor tekstesh dhe recensent; për kontributin e tij institucional; për muzikën në Anamoravë – si një mision kulturor; për metodologjinë dhe filozofinë pedagogjike të prof. Xhevatit; për edukimin muzikor si komponent i zhvillimit integral në formimin intelektual, emocional te nxënësit. Ka dhe disa tema të tjera të cilat autori i veprës i ka shtjelluar e mbarështuar e që, emërues të përbashkët kanë mësimdhënien dhe mësimnxënien në fushën e kulturës muzikore.

Pjesa II e librit fillon me Kapitullin e 3-të, ku jepen detaje për kontributin e prof. Xhevat Ismajlit në institucionalizimin e arsimit muzikor në Gjilan gjatë viteve 1978-2005; themelimin e Shkollës së Muzikës në Gjilan (1978/’79); aftësimin e kuadrove pedagogjike, si dhe tema të tjera të rëndësishme, të cilat kanë peshën e vet në krijimin e infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin e procesit edukativ-mësimor në shkallë sa më të lartë në fushën e kulturës muzikore, që nga shkollimi fillor e deri tek ai universitar. Ndërkaq, në Kapitullin e 4-të, autori i veprës ˮProf. Xhevat Ismajli – kujtesëˮ ka marrë në syzim analitik tre librat e prof. Xhevat Ismajlit 1. «Kulturë muzikore me metodikëˮ (Gjilan, 2001), ku, siç shkruan Xhevdeti, «Profesor Xhevati ofron një kontribut themelor (të njohurive, B. K.) në fushën e edukatës muzikore parashkollore dhe në formimin profesional të mësuesve klasorë» (f. 30), si dhe për çështje të tjera metodologjike: «qëllimet dhe detyrat e edukatës muzikore; parimet didaktike; metodat dhe format e mësimit; planifikimi i punës edukativo mësimore» (f. 32) pa lënë anash edhe karakterin ndërdisiplinor të muzikës me gjuhën, edukatën fizike, artin figurativ, shkencat natyrore etj. Në këtë pjesë të librit ndeshim edhe kujtimet e përmalljet e muzikologëve tanë: Izet Kallaba e mr. Zekë Jusufi, të cilët, me pietet e miradije shkruajnë për jetën dhe veprimtarinë profesionale-artistike e shkencore të profesor Xhevatit.

Vështrimin për veprën e 2-të të Prof. Xhevat Ismajlit: ˮVeprimtarët shqiptarë të muzikës artistike në Anamoravë (Gjilan, 2007), autori Kallaba, e nis me një vlerësim kritik të prof. dr. Faik Shkodrës, i cili, shprehet se ˮkjo vepër nuk është vetëm një përmbledhje biografike, por një akt me vlerë kulturore, historike dhe moraleˮ (f. 50), duke e konsideruar veprën jo vetëm rajonale, por edhe me dimension kombëtar, me ç’rast figura e profesor Xhevatit, del të shtrihet në tri rrafshe: pedagog, institucion, kronist i jetës muzikore. Edhe autori i librit në fjalë, Xhevdet Kallaba, me disa interpretime aksiologjike, vetëm sa e bëjnë librin më të kapshëm, më të qartë e më të afërt për ata që u dedikohet, por edhe për lexuesin e interesuar.

Përveçse një diskursiviteti që kemi ndeshur te monografia… për dy librat e parë, po me atë shestim janë shtruar, interpretuar e sqaruar «problemet» edhe në veprën e tretë të profesor Xhevatit: «Lojërat muzikore» («Shkëndija», 2009), ku spikaten temat e rrahura, si: ˮKoncepti muzikologjik i edukimit përmes lojësˮ, ˮDimensioni folklorik dhe identiteti muzikorˮ, ˮRëndësia pedagogjike dhe muzikologjike e veprësˮ, ˮKarakteri stilistik i kompozimeve», ˮLidhja e muzikës me tekstin», ˮNdikimi i traditës popullore», ˮFunksioni pedagogjik i gjuhës muzikore» etj., tema këto të konceptuara e të lidhura në mënyrë lineare, të cilat, u mundësojnë studenteve – edukatoreve të institucioneve parashkollore përvetësimin sa më të lehtë e të shpejtë të lëndës së shtruar për punë me fëmijët parashkollorë. Me të drejtë Xhevdeti, autori i monografisë ˮProf. Xhevat Ismajli – Kujtesë», në përmbyllje të kësaj vepre, ka konstatuar, se: ˮAi (prof.. Xhevati – B. K.) arriti të ndërtojë një qasje të integruar pedagogjike, ku muzika trajtohet jo vetëm si art, por edhe si një mjet i rëndësishëm për zhvillimin intelektual, emocional dhe estetik të fëmijës».

Kapitulli V i Pjesës III – «Hulumtimi i talenteve të reja» si temë bosht, nis me sythin e radhës «Koncepti, dilemat dhe qasja shkencore e prof. Xhevat M. Ismajlitˮ, ku janë shtruar pyetjet themelore që i kishte konceptuar profesor Xhevati: 1. Ç’është talenti muzikor? 2. Si manifestohet ai? 3. A është talenti i lindur apo zhvillohet? 4. Si mund të identifikohet drejt përmes institucioneve? – pyetje e përgjigje këto, me të cilat është përqasur profesor Xhevati gjatë përvojës së tij mbi 30-vjeçare me nxënës në arsimimin parauniversitar, e sidomos në atë universitar, si mësimdhënës në ShLP ˮSkënderbeu» të Gjilanit dhe në Fakultetin e Edukimit të UP-së – Qendra në Gjilan, duke u pykëzuar te përzgjedhja e talenteve të reja, duke marrë në syzim: dimensionin etik të përzgjedhjes, kritikat ndaj modelit reduksionist të testimit (që nënkupton vlerësimin jo meritor të talentit «përmes dy ose tri elementeve») e jo talentin muzikor si aftësi komplekse të përbërë nga rreth 25 komponentë, siç përmend psikologun amerikan Carl Seashore. Madje, hulumtimi i talentit, sipas profesor Xhevatit, duhet të konceptohet në hapësirë e kohë më të gjatë: në çerdhe, në kopshtet parashkollore, në klasat e para të shkollës fillore, duke mbajtur parasysh, sigurisht, edhe disa faktorë të tjerë.

Një qasje të veçantë në Kapitullin VI, sipas venerimeve të autorit Kallaba, profesor Xhevati i ka kushtuar edhe temës «Inteligjencat e shumëfishta dhe edukimi inkluzivˮ – një teori që ka zgjuar interesimin e studiuesve edhe te ne në këta dy dhjetëvjetëshat e fundit e që ky togfjalësh ˮInteligjencat e shumëfishtaˮ, sipas themeluesit amerikan, psikologut Howard Gardner, do të thotë që: ˮNjerëzit janë të zgjuar në mënyra të ndryshme, jo vetëm në një formë të vetme inteligjence (f. 78), ku është radhitur edhe inteligjenca muzikore – ndjeshmëria ndaj tingujve dhe ritmit e që pa ndarë nga ˮedukimi inkluziv (gjithë/përfshirës), përbëjnë binomin e rëndësishëm në mësimdhënien dhe mësim-nxënien sa më efikase të kulturës muzikore në të gjitha shkallët e shkollimit.

Jo gjithmonë është e rëndësishme çka ti thua për diçka a dikë, por çka thonë e vlerësojnë edhe të tjerët për ty. Këtë postulat e ndeshim të shpërfaqur te Pjesa IV e monografisë së Xhevdet Kallabës me titull «Prof. Xhevat Ismajli në vargun poetik», ku, përmes vargjeve te Kapitulli VII ˮKujtesa në dimensionin poetikˮ që korrespondon me titullin paraprak të pjesës IV, në 10 faqet e monografisë (83- 93), kanë zënë vendin poezitë e muzikologut, Izet Kallaba, ˮNa është tharë krahu, maestro, pa ty»; poetit, Hysen Këqiku, ˮNgjatjetim», Xhevdet Kallaba, ˮNga prima në oktavëˮ, poezia e vajzës së prof. Xhevatit, Labinota Ismajli, «Babë, të kërkoj në çdo melodi», dhe poezia ˮProfesori që besonte tek neˮ e Blerina Kallabës – Pacolli, për të vijuar me Pjesën V të monografisë me «Dëshmi, kujtesë dhe trashëgimiˮ, që vazhdon me Kapitullin VIII «Dëshmi profesionale (kolegë, studentë, nxënës) të prof. Izet Kallabës.

Në vazhdën e dëshmive e të kujtimeve, Izet Kallaba, pohon se me Xhevatin njihej ˮqë në fëmijërinë e hershme, për shkak të lidhjeve të afërta familjare», e që u thellua pastaj, sidomos nga ˮshkollimi i mesëm në Prizren, studimet akademike në Sarajevë, e deri te bashkëpunimi ynë i gjatë profesional në fushën e arsimit muzikorˮ – shkruan Izeti, duke rrëfyer edhe raportet gjithmonë të mira dhe për sukseset e tyre të arritura në koncerte të ndryshme, si në kalanë e Ohrit e në qytete të tjera të vendit.

Kujtime mbresëlënëse për Xhevatin rrëfen edhe kolegu i tij i të njëjtit profesion, mr. Zekë Jusufi, të cilët rrugëtimin e tyre e kishin nisur që nga viti 1959/’60, «kur filluam së bashku klasën e pestë në Hogosht» të Dardanës – thotë Zeka, e pastaj edhe në Shkollën e Mesme të Muzikës në Prizren, e që fati nuk i ndau as gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak në Bileqe të Bosnjë-Hercegovinës, si dhe puna në shkolla të ndryshme të Anamoravës, duke ndjerë sot mall që nuk janë më bashkë.

Në monografinë e Xhevdetit, spikaten opinione edhe nga muzikologu prof. asoc. dr. Adhurim Rasimi, duke u ndalur te profili pedagogjik dhe profesional, kolegjialiteti ndërmjet tij dhe prof. Xhevat Ismajli.

Ndërkaq, për tiparet e vetitë njerëzore – kolegjiale të Xhevatit, si dhe për punën e tij të përkushtuar me studentë të ShLP-së, që nga viti 1987, e pastaj edhe në Fakultetin e Edukimit në Gjilan, dhe për punën e tij në botimin e punimeve profesionale, si: «Aktivitetet muzikore-ritmike te fëmijët deri në moshën 3-vjeçare», botuar te Buletin i SHLP-së, nr.1, 1987, e deri me botimin e veprës së fundit «Lojërat muzikoreˮ (2009) që na la pas, kujtime emocionuese ka shpërfaqur edhe autori i këtyre radhëve (B. K.), si dhe profesori i kulturës muzikore, Burim Demiri, i cili kujton edhe sot ditën e provimit pranues në Shkollën e Muzikës, dhe pasi anëtarët e komisionit i kishin kërkuar të këndojë një këngë, ky, pa menduar shumë, e kishte përzgjedhur këngën «Vijnë vaporët», e i pari që shpirtërisht e kishte uruar pranimin, ishte profesor Xhevati.

Edhe muzikologu Curr S. Lushaj, koleg i prof. Xhevatit në Shkollën e Mesme të Muzikës në Prizren, kujton me simpati të madhe, se me prof. Xhevatin dikur i bashkonte urtësia e sinqeriteti, e më vonë edhe miqësia e përjetshme ndërmjet tyre. Kujtime mbresëlënëse shpërfaqen edhe nga ish-nxënësit e profesor Xhevatit: Erlinda Gashi, Vjosa Berisha –Abdullahu, Murat Ismajli, Burhan Azizi, Yllza Berisha, Qëndresa Behluli.

Me ˮDëshmi gojore dhe kujtesë familjareˮ fillon Kapitulli IX i Pjesës V, i monografisë së autorit Xhevdet Kallaba. Kujtesat dalin mjaft të freskëta e autentike, sikur të ishin të kohës së tanishme, ani se i ka shkelur edhe shekulli, sidomos kur është fjala për gjyshen, Gjylishahen, e cila kishte mbetur, që herët e ve dhe ˮe vetme me djalin tetëvjeçarˮ, Muratin, babanë e Xhevatit, e që të njëjtin fat e kishte pasur edhe Fetija, nëna e prof. Xhevatit ˮe mbetur e ve në moshën 31-vjeçare, me tre djemtë e saj dhe një vajzë, e që për hir të fëmijëve, edhe gjyshja e edhe nëna, kishin sakrifikuar edhe rininë e tyre.

Në vazhdën e këtyre dëshmive e kujtimeve, autori i monografisë është pykëzuar te një intervistë me motrën e prof. Xhevatit, Elfete Ismajlin, e cila përshkruan ecejaket e një kohe të rëndë, si: varfëria e madhe e asaj kohe, punët e rënda të fushës për sigurimin e kafshatës së gojës; harmoninë me vëllezërit e saj: Hysin, vëllain më të madh, Mehmetin e Xhevatin «sugarin”. Elfetja nuk harron assesi as dajë Tefikun, i cili kishte shtrirë dorën e ndihmës për nevoja të shtëpisë së tyre dhe të përkrahjes për shkollimin e Xhevatit, meqë bacë Tefiku vetë ishte mësues.

Fjalë miradije, por edhe mjaft emocionuese, Xhevdeti, si usta i fjalës së shkruar, ka prezantuar kujtime edhe nga anëtarët e familjes së ngushtë të prof. Xhevatit: bashkëshortja – Meleqja; vajza Labinota; djali Mentori, vajza Lorika, mbesa Mjellma, përcjell edhe me fotografi ndeje, përqafimi e loje.

Kapitullin IX Xhevdeti e vazhdon edhe me evokime të tjera të shumta, të detajuara fort mirë, duke filluar nga nëna e prof. Xhevatit, Fetija, kënaqësitë me dajat në Roganë – afrinë e tyre ndoshta më të madhe si shokë sesa si nip e dajë, po edhe pas shpërnguljes së Xhevatit në Gjilan (1965), përfundimit të shkollimit të tij në Prizren, aktiviteteve kur Xhevdeti ishte angazhuar në RTP, etj., për të vazhduar me Kapitullin X, të cilin autori i monografisë, e ka filluar me një thënie (nuk di e kujt), që përthekon monografinë nga faqja e parë e deri te faqja e fundit, që lidhen me jetën dhe veprimtarinë profesionale-shkencore të prof. Xhevatit, ndërthurur në 4 rrafshe themelore, që përmend Xhevdeti në monografinë e tij: dimensioni institucional; pedagogjik e metodik; kurikular e sistemor dhe dimensioni kulturor e dokumentar. Sakaq, Kapitulli XI «Kujtesë – album fotografish», që shtrihet në 24 faqe, ka 87 fotografi nga më të ndryshmet, ku kryepersonazh është, u mor vesh, prof. Xhevati, me anëtarët e ngushtë të familjes, shokë, shoqe, miq e dashamirë të shumtë që kishte.

Dhe Kapitulli XII dhe i fundit: ˮTrungu i familjes Ismajli nga Kopërnica», Xhevdeti, me një biobibliografi të veten, jep disa të dhëna: të lindjes, të shkollimit, diplomimit në Akademinë Pedagogjike në Gjilan, në drejtimin Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, të vazhdimit të studimeve për gjuhë gjermane, punën në lëmin e medias dhe të kulturës gjuhësore, të koordinatorit dhe lektorit në RTP (1976-1990), e të angazhimit edhe në jetën qytetare dhe shoqërore. Nga viti 2000-2004 ishte gazetar në Zyrën e Organizatës Ndërkombëtare për Emigracion në Prishtinë e tani redaktor i platformës elektronike «Inforogana». Deri më tani ka botuar veprat: ˮKosovo – Schweiz – Kosovaˮ (2005, në bashkautorësi me Jan Podervaart), ˮKosovë-Zvicër-Kosovëˮ (përkth. 2007), ˮRrugëtimi i Qendrës Kulturore Shqiptare në Zvicërˮ (2010), ˮÇerekshekulli i Ansamblit ˮVatraˮ në Bylah – Cyrihˮ (2021), ˮPërjetësi» (2021), «Kallaba – gjurmë në kujtesëˮ (2022), «Sediti dhe Seditaˮ (2025), ˮUdhëtimet e mia «Autostop 1977/1979/1980/1984ˮ (2025), si dhe ˮProf. Xhevat Ismajli – kujtesëˮ (2026).

Po dhe unë në kujtesën time kam shumë detaje nga shoqërimi ynë, shumë vëllazëror, biseda të çiltra, të sinqerta, fjalë zemre, pa doreza, këshilla e qyfyre, në punën tonë në universitet, në angazhimin tonë 3-vjeçar, në misionin e organizatës daneze ˮSave the Children Denmark – Red Barnetˮ, pastaj nga vizitat tona të shumta që u bënim studenteve kur ushtronin praktikën-pedagogjike, si obligim statutor që kishin, sipas Planprogramit mësimor të ShLP-së, në fshatra e qytete të Kosovës, Maqedonisë, Luginës, Malit të Zi, meqë drejtimi për edukatore të institucioneve parashkollore, atëbotë ishte i vetmi drejtim në Gjilan me mësim në gjuhën shqipe në ish-Jugosllavi. Befasia më e madhe e të gjitha mbresave ishte mikpritja e Xhevatit në restorantin «Planetiˮ, afër fshatit Kmetoc, me rastin e synetisë së nipit të tij, kur ai nuk ndihej dhe aq mirë me shëndet, e që më kishte ftuar dhe mua mysafir. Edhe pse ai e dinte mërzinë që kisha për shkak të një rasti të rëndë në familjen tonë, e që dy vjet e sa nuk kishim marrë pjesë në evente të tilla, unë me bashkëshorten time, morëm pjesë me këmbëngulësinë e Xhevatit, e mbase, pikërisht për këtë arsye ai më së shumti qëndronte te tavolina jonë, sesa te mysafirët e tjerë, që për mua ishte një rast më tepër se bujari, ngrohtësi e respekt i rrallë njerëzor.

Në vend të përmbylljes

Me këtë shkrim modest s’bëra asgjë tjetër vetëm se u përpoqa të shlyej një borxh të vockël ndaj kolegut tim, Xhevatit, si dhe për një falënderim të sinqertë për Xhevdetin, me rastin e botimit të monografisë «Prof. Xhevat Ismajli – kujtesëˮ, pas ikjes së Xhevatit në amshim, kur, si familja, si shokët e tij të ngushtë, si shoqëria kishim nevojë prore për ndihmesën e tij në fushën e kulturës muzikore. Një punë si kjo është, jo vetëm nder, por edhe obligim e detyrë jona, kujtoj unë.

Nga e tërë ajo që u tha më lart për monografinë ˮProf. Xhevat Ismajli – kujtesëˮ, një botim i bërë me shumë dije e aspak shkeleshko siç bëjnë disa të tjerë të këtyre fushave; shihet se autori – Xhevdet Tefik Kallaba, si për nga strukturimi i monografisë, sistemimi dhe gjithëpërfshirja e lëndës, materializimi i mendimeve sikur të ishte një muzikolog i mirë, ashtu edhe për nga përzgjedhja e fjalëve dhe e fjalive në vepër, dëshmon se është një figurë poliedrike, i përkushtuar në jetën kulturore shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, të cilit i urojmë, me sinqeritetin më të madh, shëndet e mbarësi edhe për vepra të tjera!

Gjilan, 1 maj 2026

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja