SHQIPJA NËN VËSHTRIMIN E NJË MATEMATIKANI

Arkivi

Gjuha shqipe përmes syrit të një matematikani: prof. dr. Sabri Tahiri, në punimin e botuar në platformën DRINI, shqyrton lidhjet ndërmjet strukturës gjuhësore, kuptimit dhe arsyetimit matematikor. Me vëmendje edhe ndaj gegërishtes, kjo përpjekje ndërdisiplinore hap një hapësirë dialogu mes gjuhëtarëve dhe matematikanëve, me interes për studimin e shqipes dhe mësimdhënien.

Nga Xhevdet Kallaba

Punimi “Gjuha si strukturë dhe funksion, një perspektivë matematikore–semiotike mbi shqipen” i prof. dr. Sabri Tahirit, i botuar në platformën DRINI, meriton përgëzim për nismën për të afruar dy fusha që në jetën shkollore shpesh trajtohen veçmas: gjuhën dhe matematikën. Autori sjell në këtë shqyrtim përvojën e tij shumëvjeçare si matematikan dhe mësimdhënës, duke e shndërruar atë në një këndvështrim për të vrojtuar organizimin dhe funksionimin e shqipes.

Një ndërmarrje e tillë kërkon kureshtje intelektuale dhe gatishmëri për të dalë përtej kufijve të specializimit. Te Tahiri, vëmendja ndaj marrëdhënieve, strukturës dhe funksionit bëhet shtysë për të menduar edhe mbi fjalën: si ndërtohet kuptimi i saj, çfarë marrëdhëniesh krijon me fjalët e tjera dhe si lidhet me përvojën njerëzore. Këtu qëndron një nga meritat më të dukshme të shkrimit: aftësia për të shtruar pyetje mbi gjuhën duke u mbështetur në mënyrën e të menduarit të një matematikani.

Interesimi i autorit për gegërishten e lidh këtë përpjekje edhe me trashëgiminë tonë gjuhësore. Ai i sheh të folmet e saj si një burim që meriton vëmendje dhe shqyrtim, duke kërkuar në to gjurmë të marrëdhënies ndërmjet emërtimit, veprimit dhe jetës së përditshme. Ky interes mund të nxisë bashkëpunim të frytshëm ndërmjet matematikanëve dhe gjuhëtarëve.

Për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj qasjeje, do të ishin me interes disa shembuj të thjeshtë nga vetë shqipja. Njëri lidhet me ndërtimin e numërorëve. Te “njëzet e tre”, marrëdhënia ndërmjet pjesëve mund të paraqitet si 20 + 3; te “treqind”, si 3 × 100; ndërsa “treqind e njëzet e tre” bashkon të dyja veprimet: 3 × 100 + 20 + 3. Në këto raste, organizimi gjuhësor e bën të lexueshme një strukturë matematikore. Ky është një shembull i qartë i bashkëveprimit të gjuhës me matematikën në shqip, ndonëse dukuria nuk është veçori vetëm e saj.

Një shembull tjetër gjendet te shprehjet krahasuese. Nëse themi “Arta është më e gjatë se Besa” dhe “Besa është më e gjatë se Drita”, mund të nxjerrim përfundimin se “Arta është më e gjatë se Drita”. Duke iu referuar së njëjtës kohë dhe mënyrë matjeje, marrëdhënia e shprehur me fjalë ndjek një veti që në matematikë njihet si kalimtari e relacionit (nga dy krahasimet e para nxirret përfundimi i tretë). Shqipja na lejon ta shprehim këtë arsyetim plotësisht, përpara se ta shkruajmë me simbole.

Po aq domethënëse janë fjalët “çdo”, “disa” dhe “asnjë”, të cilat përcaktojnë shtrirjen e një pohimi. Fjalitë “Çdo nxënës e zgjidhi detyrën”, “Disa nxënës e zgjidhën detyrën” dhe “Asnjë nxënës nuk e zgjidhi detyrën” shprehin pohime logjikisht të ndryshme. Shqyrtimi i tyre mund të tregojë se si zgjedhjet gjuhësore organizojnë dhe saktësojnë arsyetimin.

Analiza e këtyre shembujve mund t’i ftojë edhe gjuhëtarët ta vështrojnë gjuhën përmes marrëdhënieve logjike e matematikore. Kështu krijohen mundësi për një bashkëpunim të ndërsjellë, veçanërisht të dobishëm për mësimdhënësit e gjuhës shqipe dhe të matematikës. Një afrim i tillë mund t’i ndihmojë nxënësit të shprehen më qartë dhe të arsyetojnë më saktë.

Prof. dr. Sabri Tahiri meriton vlerësim për këtë hap drejt një dialogu ndërdisiplinor. Punimi i tij na fton të vërejmë se fjala dhe simboli takohen në përpjekjen njerëzore për të kuptuar, për të dalluar marrëdhënie dhe për ta shprehur mendimin me qartësi. Zhvillimi i kësaj nisme, në këtë punim ose në trajtime të ardhshme, me shembuj të përzgjedhur nga shqipja, do ta bënte edhe më të prekshëm kontributin e tij për lexuesin, nxënësin dhe mësimdhënësin.

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja