0.5 C
Kosovo
15/01/2026

DAUT MALIQI – 86 VJET MISION, PASION DHE KRIJIMTARI

Arkivi

Redaksia e portalit “Inforogana”, me kryeredaktor dhe botues Xhevdet Kallaba, i uron sot ditëlindjen e 86-të arsimtarit, gazetarit dhe poetit të njohur, Daut Asllan Maliqi – një prej figurave më emblematike të Kamenicës dhe të gjithë Anamoravës.

Nga Xhevdet Kallaba

Një jetë e lidhur me arsimin, fjalën e shkruar dhe kulturën

Në këto tetë dekada e gjysmë jetë, Daut Maliqi ka shënuar një rrugëtim të jashtëzakonshëm në arsim, gazetari dhe krijimtari letrare. Që prej bankave shkollore të Progjimnazit në Gjilan, ku nisi edhe hapat e parë në poezi, e deri tek botimet e fundit në moshën e tij të tretë, Daut Maliqi mbetet shembull i intelektualit që e shndërron misionin në pasion.

Pas përfundimit të Shkollës Normale në Prishtinë, u vu në shërbim të arsimit në shkollat e Koretinit, Strezocit dhe Kamenicës, si arsimtar i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Për një periudhë dha mësim edhe në shkollën e mesme bujqësore në drejtimin e Pemëtarisë në Kamenicë, duke dëshmuar përkushtim dhe kompetencë në edukimin e brezave.

Një kohë shërbeu edhe si referent për kulturë fizike në Komunën e Kamenicës, duke u bërë pjesë e pandashme e jetës kulturore të qytetit.

 

Gazetaria – Profesion dhe thirrje e shpirtit

Viti 1975 shënoi fillimin e rrugës së tij si gazetar profesionist në gazetën “Rilindja”, ku punoi deri në mbylljen e saj. Bashkëpunimet e tij me Radio Prishtinën dhe Radio Gjilanin, e më vonë puna si kryeredaktor i “Radio Premiera” dhe udhëheqës i emisionit “Ballë për ballë” në “Radio Kamenica”, e vendosën përfundimisht në mesin e gazetarëve më të përkushtuar të rajonit.

Në periudhën e viteve të dhunshme (1990–1999), ai ishte ndër gazetarët më të kërcënuar e të keqtrajtuar nga regjimi serb. Megjithatë, nuk u tërhoq asnjëherë nga detyra profesionale dhe misioni i informimit të drejtë. Kujtohet fjala e tij e guximshme para policisë:

“Unë jam gazetari kujdestar, i shtrënguar mes kërcënuesit dhe të kërcënuarit.”

Një fjali që përmbledh gjithë karakterin e tij.

Krijimtaria letrare – zëri i një poeti të përkushtuar

Vjershat e para të botuara në “Rilindje”, “Pionieri” dhe “Fatosi” që nga viti 1957 ishin preludi i një krijimtarie të pasur poetike, të përmbledhur në më shumë se tetë vepra.

Edhe pse parapëlqeu poezinë për fëmijë, Daut Maliqi shkroi po aq me ndjeshmëri për të rriturit, duke bartur në çdo varg vlera edukative, morale e njerëzore. Krijimtaria e tij në moshën pas pensionit është dëshmi se mosha mund të jetë një kapitull i artë i produktivitetit shpirtëror.

Është bashkëthemelues i klubit letrar “Nositi” dhe anëtar i revistës me të njëjtin emër, një ndër zërat më të qëndrueshëm kulturorë të Kamenicës.

Nderimet dhe vlerësimet

Për kontributin në arsim, gazetari dhe kulturë, Daut Maliqi është nderuar me:

  • Mirënjohje nga Drejtoria e Arsimit e Kamenicës

  • Çmimin për Vepër Jetësore në Gazetari nga Klubi i Gazetarëve “D. Pres”

  • Çmimin e lartë “Dashnor drite”, dhënë nga Kisha Protestante e Kosovës

Kontributi i tij është përfshirë edhe në Fjalorin Enciklopedik të Gazetarëve Shqiptarë (Tiranë, 2005), si dhe në një sërë librash, monografish e antologjish.

Urimi i Inforoganës

Me rastin e ditëlindjes së tij të 86-të, redaksia e portalit “Inforogana” i uron Daut Maliqit shëndet, jetë të gjatë dhe frymëzim të pashtershëm. Ai mbetet një figurë frymëzuese e gazetarisë dhe krijimtarisë letrare, një zë i pashuar që e begaton kulturën e Kamenicës dhe më gjerë.

Nga krijimtaria e tij – poezia “Rrjedhat jetësore”

Në këtë ditë të veçantë, zgjedhim poezinë e tij “Rrjedhat jetësore”, shkruar më 14 prill 2023 – një përmbledhje poetike e urtësisë, përvojës dhe refleksionit të një jete 86-vjeçare.

Rrjedhat jetësore

jeta rrjedh rrugës se vet,

rrugës së mirësisë e dashurisë,

rrugës së dijes e lumturisë,

rrugës së besimit e qytetërimit,

rrugës së paqes e mendimit pozitiv.

por edhe rrugëve jo të mira,

me plot vuajtje e sfida,

me tërmete e lufta të trishta,

me urrejtje e padrejtësi,

me dhunë e pa barazi,

me krime e gënjeshtra.

në rrugëtimin jetësor,

njerëzit ballafaqohen

me shumë të mira e gëzime,

por edhe me lojërat e djallit,

me shpifje e shantazhe.

kini kujdes, o njerëz të mirë,

ruajuni nga sherri i djallit,

jetën begatoni me dashuri,

dhe me gjitha gjërat e mira!

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja