Imer Thaqi – Komandant Leka i përket brezit të veprimtarëve që atdheun e vunë mbi interesin personal dhe detyrën ndaj tij mbi sigurinë vetjake. Arsimtar i edukatës fizike, veprimtar kombëtar, ushtar e epror i UÇK-së dhe pjesëmarrës në tri luftëra, ai përvojën profesionale e vuri në shërbim të përgatitjes së luftëtarëve, ndërsa pas luftës vazhdoi kontributin në ndërtimin e strukturave të sigurisë dhe në edukimin sportiv të brezave të rinj. Rrugëtimi i tij, nga ditari i profesorit te ditari i luftës, është dëshmi e një jete të ndërtuar mbi disiplinën, përgjegjësinë dhe shërbimin ndaj atdheut.
Nga Xhevdet Kallaba
Historia e luftërave çlirimtare nuk shkruhet vetëm përmes betejave, datave dhe formacioneve ushtarake. Ajo shkruhet edhe përmes biografive të njerëzve që, në çaste vendimtare historike, interesin e përgjithshëm e vunë mbi interesin personal, sigurinë e atdheut mbi sigurinë vetjake dhe detyrën ndaj popullit mbi komoditetin e jetës së tyre.
Një ndër këto biografi është edhe ajo e Imer Thaqit – Komandant Lekës, arsimtarit të edukatës fizike, veprimtarit të çështjes kombëtare, ushtarit dhe eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëmarrësit në luftën e UÇPMB-së në Luginën e Preshevës dhe në luftën e shqiptarëve në Maqedoni, e më pas oficerit të strukturave të sigurisë së Kosovës. Nëse gjithë këtë rrugëtim do ta përmblidhnim në një parim të vetëm, ai do të ishte: atdheu para vetes.
Ky parim nuk mbeti për Imer Thaqin deklaratë apo ideal abstrakt. Ai u dëshmua në vendimet më të vështira të jetës së tij: kur la familjen, nxënësit dhe profesionin për t’iu bashkuar luftës; kur nga pozita e tij në strukturat e TMK-së kërkoi të lirohej përkohësisht nga detyra për t’iu bashkuar luftës në Luginën e Preshevës; dhe kur, pas përfundimit të saj, vazhdoi angazhimin në luftën në Maqedoni. Kështu, jeta e tij përshkoi tri luftëra, por në thelb ndoqi një mision të vetëm.




