11.5 C
Kosovo
05/09/2026

IMER THAQI – KOMANDANT LEKA – Arsimtar, luftëtar i tri luftërave dhe edukator i brezave

Arkivi

Imer Thaqi – Komandant Leka i përket brezit të veprimtarëve që atdheun e vunë mbi interesin personal dhe detyrën ndaj tij mbi sigurinë vetjake. Arsimtar i edukatës fizike, veprimtar kombëtar, ushtar e epror i UÇK-së dhe pjesëmarrës në tri luftëra, ai përvojën profesionale e vuri në shërbim të përgatitjes së luftëtarëve, ndërsa pas luftës vazhdoi kontributin në ndërtimin e strukturave të sigurisë dhe në edukimin sportiv të brezave të rinj. Rrugëtimi i tij, nga ditari i profesorit te ditari i luftës, është dëshmi e një jete të ndërtuar mbi disiplinën, përgjegjësinë dhe shërbimin ndaj atdheut.

Nga Xhevdet Kallaba

Historia e luftërave çlirimtare nuk shkruhet vetëm përmes betejave, datave dhe formacioneve ushtarake. Ajo shkruhet edhe përmes biografive të njerëzve që, në çaste vendimtare historike, interesin e përgjithshëm e vunë mbi interesin personal, sigurinë e atdheut mbi sigurinë vetjake dhe detyrën ndaj popullit mbi komoditetin e jetës së tyre.

Një ndër këto biografi është edhe ajo e Imer Thaqit – Komandant Lekës, arsimtarit të edukatës fizike, veprimtarit të çështjes kombëtare, ushtarit dhe eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëmarrësit në luftën e UÇPMB-së në Luginën e Preshevës dhe në luftën e shqiptarëve në Maqedoni, e më pas oficerit të strukturave të sigurisë së Kosovës. Nëse gjithë këtë rrugëtim do ta përmblidhnim në një parim të vetëm, ai do të ishte: atdheu para vetes.

Ky parim nuk mbeti për Imer Thaqin deklaratë apo ideal abstrakt. Ai u dëshmua në vendimet më të vështira të jetës së tij: kur la familjen, nxënësit dhe profesionin për t’iu bashkuar luftës; kur nga pozita e tij në strukturat e TMK-së kërkoi të lirohej përkohësisht nga detyra për t’iu bashkuar luftës në Luginën e Preshevës; dhe kur, pas përfundimit të saj, vazhdoi angazhimin në luftën në Maqedoni. Kështu, jeta e tij përshkoi tri luftëra, por në thelb ndoqi një mision të vetëm.

 

Nga familja dhe shkolla drejt veprimtarisë kombëtare

Imer Thaqi u lind më 15 gusht 1956 në Muçivërc të Dardanës, në një familje ku tradita atdhetare kishte lënë gjurmë të hershme. Gjyshi i tij, Ali Leka, si dhe axhallarët Ramiz dhe Sahit Leka, kishin qenë pjesëmarrës në Betejën e Kikës më 1945, nën komandën e Mulla Idriz Gjilanit dhe Shefqet Byligbashit. Babai i tij, Dali Leka, ishte në shërbim dhe mbështetje të veprimtarëve të çështjes kombëtare, ndër ta Metush Krasniqi dhe Xhon Serreçi. Në një mjedis të tillë, ndërgjegjësimi kombëtar nuk erdhi si diçka e rastësishme. Ai u bë pjesë e formimit të tij familjar dhe më vonë politik e shoqëror.

Pas përfundimit të shkollës së mesme, në vitin 1977 u regjistrua në Fakultetin e Kulturës Fizike të Universitetit të Prishtinës, të cilin e përfundoi më 1981. Krahas formimit akademik, vazhdoi interesimin dhe angazhimin për çështjet politike e kombëtare të kohës.

Nga viti 1981 deri më 1997 mori pjesë në shumë nga demonstratat e organizuara në Kosovë. Për shkak të veprimtarisë politike dhe kombëtare, ai ishte nën përcjelljen e organeve të atëhershme të sigurimit shtetëror jugosllav, u ndalua në disa raste dhe u mor në pyetje. Kështu, shumë kohë para se të vishte uniformën e luftëtarit, Imer Thaqi kishte hyrë në një përballje tjetër – atë politike dhe qytetare për të drejtat dhe lirinë e shqiptarëve.

Arsimtari që përgatiste një brez të shëndoshë

Në biografinë e Imer Thaqit profesioni i arsimtarit të edukatës fizike ka një domethënie të veçantë. Puna me nxënësit nuk ishte vetëm ushtrim fizik. Edukata fizike për të nënkuptonte shëndet, disiplinë, qëndrueshmëri, bashkëpunim, vetëbesim dhe aftësi për t’u përballur me vështirësitë.

Në një kohë kur Kosova po kalonte nëpër diskriminim politik, shtypje dhe pasiguri të vazhdueshme, edukimi i një rinie të shëndoshë dhe të aftë merrte edhe një kuptim më të gjerë shoqëror e kombëtar. Të rinjtë duhej të rriteshin të fortë në trup, por edhe të disiplinuar në karakter, të përgjegjshëm ndaj shoqërisë dhe të gatshëm për ta ndërtuar të ardhmen e vendit të tyre.

Më vonë, pikërisht kjo përgatitje profesionale do të bëhej një nga aftësitë më të vlefshme të Imer Thaqit brenda formacioneve të UÇK-së. Profesori i edukatës fizike do të bëhej epror i përgatitjes fizike të ushtarëve.

Organizimi i rezistencës dhe njësiti „Flaka“

Me përshkallëzimin e situatës në Kosovë dhe fillimin e luftës në Drenicë, Imer Thaqi, tashmë me nofkën Leka, u angazhua në përgatitjet për organizimin e rezistencës edhe në territorin e Dardanës. Ditari i tij përmban një numër të madh emrash të veprimtarëve, bashkëpunëtorëve dhe bashkëluftëtarëve me të cilët organizoi takime, bashkëpunoi, stërviti dhe më vonë luftoi. Ky regjistrim është me rëndësi të veçantë, sepse dëshmon karakterin kolektiv të organizimit të rezistencës. Takimet zhvilloheshin në konspiracion, ndërsa puna organizohej edhe në treshe, me detyra të përcaktuara. Krahas organizimit shpërndahej edhe fletushka „Çlirimi“.

Në këtë periudhë u formua njësiti i UÇK-së „Flaka“, në odën e Dali Ali Lekës. Me vendim të Komandës së Zonës Operative të Karadakut, shtëpia u shpall bazë e UÇK-së, ndërsa Imer Thaqi – Leka u caktua komandant i njësitit dhe Muhamet Thaqi zëvendës i tij. Në njësit u përfshinë luftëtarë nga Muçivrci, Dajkoci, Rogana, Hodonoci, Karaçeva, Shipashnica, Kopërnica, Hogoshti, Koretini dhe fshatra të Malësisë. Kjo periudhë shënon kalimin e tij nga veprimtaria politike dhe organizative në veprimtari të strukturuar ushtarake.

Kur profesori e la ditarin para nxënësve

Një nga episodet më domethënëse të gjithë biografisë së Komandant Lekës lidhet pikërisht me shkollën. Kur mori vendimin për të shkuar në Drenicë dhe për t’iu bashkuar drejtpërdrejt luftës, ai ishte ende profesor. E la ditarin para nxënësve. U përshëndet me ta, pastaj me prindërit, bashkëshorten dhe katër fëmijët e tij – dy djem e dy vajza – dhe mori rrugën drejt zonës ku lufta tashmë kishte shpërthyer. Ky ishte një vendim në të cilin përplaseshin dy përgjegjësi të mëdha: përgjegjësia ndaj familjes dhe nxënësve dhe përgjegjësia që ai ndiente ndaj vendit.

Ai zgjodhi frontin. Jo sepse familja dhe profesioni kishin më pak vlerë, por sepse, në bindjen e tij, pikërisht e ardhmja e familjes, nxënësve dhe gjithë brezit të ri kërkonte që Kosova të ishte e lirë.

Më 12 mars 1998, vetëm pak ditë pas rënies së familjes Jashari në Prekaz, Leka gjendej në Dubovc të Drenicës. Fillimisht shërbeu si ushtar. Por shumë shpejt ushtria kishte nevojë edhe për dijen profesionale që ai kishte sjellë nga jeta civile.

Në fillim të prillit 1998 u caktua epror për përgatitjen fizike të ushtarëve në disa fshatra të Drenicës, ndërsa më 2 qershor, me urdhër të shtabit, kaloi në Zonën Operative të Shalës, në qendrën stërvitore në Kaqanoll të Shalës së Bajgorës. Profesori tashmë po përgatiste ushtarë.

Komandant dhe instruktor

Rruga ushtarake e Lekës vazhdoi në disa zona operative. Ai mori pjesë në luftime në Qiqavicë, Dubovc, Strovc dhe Ashlan. Më pas, në Zllash e Marec, vazhdoi detyrën e eprorit për përgatitjen fizike. Me themelimin e Zonës Operative të Karadakut, ai mori detyrën për ndërtimin e një qendre stërvitore në Marec, në lagjen e Hajdarëve. Pas ndërtimit të saj u caktua komandant i qendrës.

Nën drejtimin e tij zhvillohej përgatitja fizike e ushtarëve, ndërsa eprorë të tjerë merreshin me përgatitjen taktike dhe përdorimin e armëve. Këtu shihet më qartë bashkimi ndërmjet profesionit dhe misionit ushtarak të Imer Thaqit. Dija e fituar në Fakultetin e Kulturës Fizike dhe përvoja shumëvjeçare pedagogjike tashmë viheshin drejtpërdrejt në funksion të ushtrisë.

Komandanti që nuk e linte ushtarin në vijën e zjarrit

Ditari i luftës përmban edhe episode që e nxjerrin Lekën jashtë rolit të instruktorit dhe e vendosin drejtpërdrejt në realitetin e frontit. Në luftimet e Marecit, kur u plagos Agmir Zejnullahu – Buja, Imer Thaqi iu afrua, i dha ndihmën e parë, e tërhoqi nga vija e frontit dhe e barti në shpinë rreth një kilometër deri në shtab. Ngjashëm veproi edhe kur u plagos rëndë eprori Muharrem Ibrahimi – Majori. Në kushtet e luftës dhe nën rrezikun e vazhdueshëm, i dha ndihmën e parë dhe e barti drejt shtabit, derisa në ndihmë iu dolën edhe bashkëluftëtarët.

Këto janë episode që flasin për një parim të rëndësishëm ushtarak dhe njerëzor: eprori nuk është vetëm ai që urdhëron ushtarin, por edhe ai që merr përgjegjësi për të. Në Brigadën 172, Imer Thaqi – Leka mbajti edhe detyrën e komandantit të Batalionit të Dytë.

Plagosja dhe ndihma e parë vetvetes

Në luftë, Imer Thaqi – Leka kishte pasur shumë raste t’u jepte ndihmën e parë bashkëluftëtarëve të plagosur. Disa prej tyre i kishte nxjerrë nga vija e zjarrit dhe i kishte bartur deri në vendet ku mund të merrnin trajtim mjekësor. Por një ditë erdhi çasti kur përvoja e fituar duke shpëtuar të tjerët iu desh për të shpëtuar vetveten.

Këtë episod Komandant Leka e kujton kështu:

„Më kishte rënë t’u ndihmoja dhjetëra ushtarëve të plagosur. Kënaqësia ime më e madhe ishte kur arrija t’u dilja me kohë në ndihmë dhe ata shpëtonin nga vdekja.

Por një ditë, gjatë luftimeve, një pjesë plumbi, pasi ishte kthyer rikoshet nga një objekt i fortë, më goditi në këmbë. Në veshë më vinte një zhurmë e pazakontë. Breshëria e plumbave vinte nga të gjitha anët. E dëgjonim madje edhe rënien e tyre në dushkun e lisave.

Me një bajonetë kisha hapur një istikam fare të vogël. Pak më larg ndodhej një trung lisi. Ndërsa po merresha me plagën e këmbës, dëgjova fishkëllimën e një granate që po afrohej. Instinkti reagoi para mendjes. U hodha menjëherë drejt istikamit, që ishte rreth dy metra larg meje.

Në atë çast ndjeva një dhembje të tmerrshme nën sqetullën e krahut të djathtë. Nuk e dija nëse më kishte goditur ndonjë copë granate apo breshëri plumbash. Me dorën e majtë preka plagën. Dhembja ishte e papërshkrueshme, sidomos sa herë që përpiqesha ta lëvizja trupin.

Shpejt kuptova se plagosja nuk kishte ardhur nga plumbi. Gjatë hedhjes në istikam isha përplasur dhe plagosur në trungun e lisit.

Në çantën e shpinës i kisha pajisjet për ndihmën e parë. Pas gjithë ndihmës që u kisha dhënë të plagosurve, më kishte mbetur ende material edhe për plagën time. Por çdo lëvizje e trupit më shkaktonte dhembje të forta.

Nga çanta nxora fletoren me kore të trasha, atë ku mbaja ditarin e luftës. Hoqa edhe rripin e gjerë të pantallonave dhe me të e shtrëngova fletoren mbi vendin e lënduar. E përforcova edhe me një shami të ndihmës së parë, që rripi të mos më rrëshqiste nga nënsqetulla.

E trimërova veten. Në ato çaste duhej t’ia jepja ndihmën e parë vetvetes.

Më vonë erdhën shokët dhe më dërguan në spital. Atje u konstatua se kisha dy brinjë të thyera, me dëmtime edhe në zonën e mëlçisë. Por pasojat e plagosjes nuk përfunduan me kaq.

Gjatë trajtimit, në kushtet e mungesës së mjeteve elementare mjekësore, sipas kujtimeve të mia ndodhte që e njëjta gjilpërë të përdorej për dhënien e terapisë te tre-katër pacientë. Më vonë u konstatua se isha infektuar me hepatit B, të cilin atëherë ma kishin cilësuar si të shkallës së dytë. Sipas shpjegimeve që më ishin dhënë, shkalla e tretë konsiderohej gjendje jashtëzakonisht e rëndë, pothuajse vdekjeprurëse.

Nuk mund ta përcaktoj me siguri se në çfarë rrethanash kishte ndodhur infektimi, por kushtet në të cilat merrej terapia kishin ngritur dyshimin se ai mund të ishte shkaktuar gjatë trajtimit. Përballja me pasojat shëndetësore vazhdoi edhe pasi kisha dalë nga rreziku i drejtpërdrejtë i frontit, ndërsa shërimi zgjati mbi tre muaj.

Në minus 17 gradë – detyra duhej kryer

Në ditarin e tij ruhet edhe një episod që dëshmon vështirësitë e lëvizjes dhe kryerjes së detyrave në kushtet e luftës. Në janar të vitit 1999, duke lëvizur nga Zona Operative e Llapit drejt Nerodimes për realizimin e një detyre, Leka udhëtoi në kushte të jashtëzakonshme dimërore. Temperatura ishte rreth minus 17 gradë Celsius.

Në Brus, i rraskapitur dhe pothuajse i mërdhirë, gjeti strehim në familjen e Nanës Stanë. Sipas kujtimit të tij, gjendja kishte arritur deri në atë shkallë sa rrezikohej nga hipotermia. Pas ndihmës dhe qëndrimit aty gjatë natës, të nesërmen vazhdoi rrugën për ta përfunduar detyrën. Është një episod i vogël në përmasat e një lufte, por domethënës për të kuptuar se lufta nuk përbëhej vetëm nga betejat. Ajo ishte edhe marshim, të ftohtë, uri, lodhje, rrezik, pasiguri dhe detyrë që duhej përmbushur.

Nga UÇK-ja në TMK – nga çlirimi drejt shtetndërtimit

Me përfundimin e luftës filloi një fazë tjetër. UÇK-ja u transformua në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, ndërsa në nëntor 1999 Imer Thaqi u caktua në Akademinë Ushtarake në Prishtinë, në Kazermën „Hamëz Jashari“, në sektorin e trajnimeve, me gradën major.

Për Lekën, transformimi nga UÇK-ja në TMK nuk duhej kuptuar si fundi i një ushtrie, por si fillimi i një etape të re: kalimi nga lufta çlirimtare drejt ndërtimit institucional të Kosovës. Liria duhej të merrte formën e shtetit. Ndërsa shteti kishte nevojë për struktura të organizuara, të disiplinuara dhe profesionalisht të përgatitura të sigurisë.

Dëshira dhe synimi ishin që këto struktura të evoluonin drejt një force të rregullt të Kosovës. Procesi institucional do të çonte më vonë në krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në këtë proces Imer Thaqi vazhdoi të kontribuonte pikërisht në fushën që e njihte më së miri – trajnimin dhe përgatitjen.

Lugina e Preshevës – përsëri atdheu para vetes

Por në vitin 2001 erdhi një tjetër vendim i vështirë. Imer Thaqi tashmë kishte pozitë në Akademinë Ushtarake. Ishte pjesë e një strukture institucionale dhe mund të vazhdonte shërbimin e tij në Kosovë. Megjithatë, lufta kishte shpërthyer në Luginën e Preshevës. Së bashku me gjeneralin Tahir Sinani dhe Hyr Eminin kërkoi nga komandanti Rexhep Selimi që të liroheshin nga detyrat për t’iu bashkuar UÇPMB-së. Pas marrjes së lejes, shkuan në Breznicë, ku ndodhej shtabi.

Imer Thaqi – Leka u caktua komandant i qendrës stërvitore në Breznicë të Poshtme. Aty vullnetarët nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja zhvillonin stërvitjet fillestare 21-ditore, përpara se të kalonin në brigadat përkatëse. Ai mori pjesë edhe në betejat e Qarrit, Ushit, Mal-Tërnocit, Kodrës së Buajve, Loranit dhe Konçulit. Edhe këtu përsëritej parimi që e kishte përcjellë gjatë gjithë jetës: pozita mund të priste; detyra ndaj atdheut jo.

Lufta e tretë

Pas përfundimit të luftimeve në Luginën e Preshevës, Imer Thaqi përsëri mund të kthehej në Kosovë. Por lufta e shqiptarëve vazhdonte në Maqedoni. Së bashku me Tahir Sinanin, Hyr Eminin, Lirim Jakupin dhe Rrahim Beqirin, ai u angazhua edhe atje. Në zonën e Gostivarit vazhdoi detyrën e eprorit për përgatitjen fizike të ushtarëve.

Lufta e tretë i solli edhe humbje të rënda. Më 29 korrik 2001 ranë Tahir Sinani dhe Hyr Emini, ndërsa më 1 gusht ra Rrahim Beqiri – Komandant Roki. Për Lekën, Kosova, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia u bënë kështu tri fronte të së njëjtës periudhë historike dhe tre kapituj të biografisë së tij ushtarake.

Nga komandanti i luftës te oficeri i doktrinës dhe trajnimit

Pas përfundimit të luftimeve në Maqedoni, Imer Thaqi u kthye në Prishtinë dhe u caktua epror në Komandën e Trajnimit dhe Doktrinës. Pas rreth tri vitesh nga fillimi i shërbimit në strukturat e pasluftës, ai u caktua shef i sektorit të trajnimeve dhe u gradua nënkolonel. Në këtë detyrë përvoja e profesorit, luftëtarit, komandantit dhe instruktorit bashkohej në një profil profesional ushtarak.

Me transformimin e TMK-së në Forcën e Sigurisë së Kosovës, në moshën 55-vjeçare doli në pension nga shërbimi ushtarak. Më pas vazhdoi angazhimin institucional në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Departamentin për Siguri Publike, ku punoi dhjetë vjet, deri në pension. Pra, edhe pasi e kishte dorëzuar uniformën, mbeti në shërbim të sigurisë publike dhe të institucioneve të Kosovës.

Nga qendrat stërvitore përsëri te sporti dhe rinia

Ekziston një vijë interesante që e përshkon gjithë jetën profesionale të Imer Thaqit. Ajo fillon me sportin, kalon nëpër përgatitjen fizike të ushtarëve dhe përsëri përfundon te sporti.

Në shtator të vitit 2021 u bë anëtar i Bordit të Federatës së Skitarisë së Kosovës. Së bashku me prof. Zeqir Lenjanin themeloi Klubin e Skitarisë „KIKA“ në Dardanë. Në vendlindjen e tij, në Muçivërc, u themelua edhe Klubi i Volejbollit për Vajza „Flaka“, i cili garoi në Ligën e Parë të Kosovës.

Këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm historik: njësiti i UÇK-së „Flaka“ dhe Klubi i Volejbollit „Flaka“ janë dy organizime të ndryshme, të periudhave dhe natyrave krejtësisht të ndryshme të veprimtarisë së tij. Por, simbolikisht, ndërmjet tyre mund të gjendet një lidhje interesante.

Në kohën e luftës, energjia dhe aftësia e tij profesionale viheshin në shërbim të përgatitjes së luftëtarëve. Në paqe, e njëjta energji u kthye përsëri te të rinjtë – kësaj here për t’i edukuar përmes sportit, garës së ndershme, disiplinës dhe shëndetit. Dhjetëra e qindra të rinj e të reja që kaluan nëpër aktivitetet sportive të drejtuara apo të mbështetura prej tij janë, në një kuptim tjetër, vazhdim i misionit të profesorit Imer Thaqi.

Ditari që ruan edhe emrat e shokëve

Një vlerë të veçantë dokumentare paraqet ditari i tij i luftës. Në të Leka nuk flet vetëm për veten. Aty janë emrat e shumë bashkëpunëtorëve, organizatorëve, ushtarëve, komandantëve dhe bashkëluftëtarëve me të cilët u takua, bashkëpunoi, stërviti apo luftoi. Kjo mënyrë e rrëfimit është domethënëse.

Lufta çlirimtare nuk ishte vepër e një individi dhe as historia e saj nuk mund të ndërtohet vetëm rreth figurave individuale. Ajo ishte rezultat i një organizimi të gjerë, të përbërë nga njerëz që bartën detyra të ndryshme, nga organizatori në ilegalitet deri tek ushtari në vijën e frontit. Prandaj, emrat e ruajtur në ditarin e Komandant Lekës janë pjesë e kujtesës kolektive të asaj periudhe. Ata janë edhe dëshmi se ai e shihte luftën si përpjekje të përbashkët dhe jo si histori personale.

Arsimtar, ushtar, komandant – por mbi të gjitha njeri i detyrës

Biografia e Imer Thaqit – Komandant Lekës përmbledh disa etapa të rëndësishme të historisë së re të Kosovës dhe të shqiptarëve në hapësirat përreth saj. Ajo fillon me një familje të lidhur me traditën e rezistencës kombëtare; vazhdon me demonstratat dhe veprimtarinë politike; kalon në organizimin e UÇK-së dhe luftën e Kosovës; vijon me UÇPMB-në dhe luftën në Maqedoni; dhe më pas hyn në etapën e ndërtimit institucional të Kosovës përmes TMK-së dhe strukturave të sigurisë.

Por përtej gradave, funksioneve dhe tri luftërave, në qendër të kësaj biografie qëndron një tipar: ndjenja e detyrës.

Ajo e bëri arsimtarin të linte ditarin para nxënësve dhe të merrte rrugën drejt Drenicës. Ajo e bëri ushtarin të merrte përgjegjësinë e komandantit. Ajo e bëri komandantin të bartte në shpinë bashkëluftëtarin e plagosur. Ajo e bëri oficerin e TMK-së të kërkonte lirimin nga detyra për të shkuar në Luginën e Preshevës.

Ajo e çoi nga Lugina në frontin e Maqedonisë. Dhe e njëjta ndjenjë, në kohë paqeje, e ktheu përsëri te rinia, sporti dhe edukimi. Në këtë kuptim, Imer Thaqi – Komandant Leka nuk ishte vetëm pjesëmarrës në tri luftëra. Ai ishte pjesëtar i një brezi që mbi vete mori dy detyra historike: ta fitonte lirinë dhe pastaj të ndihmonte në ndërtimin e saj.

Nga ditari i profesorit te ditari i luftës, nga salla e edukatës fizike te qendra stërvitore, nga fronti te Komanda e Trajnimit dhe Doktrinës, e prej andej përsëri te terrenet sportive, rrugëtimi i tij krijon një vijë të pandërprerë shërbimi.

Prandaj, ndoshta përkufizimi më i përmbledhur për të do të ishte:

Arsimtar me profesion, veprimtar me bindje, ushtar kur e kërkoi atdheu, komandant kur e kërkoi përgjegjësia dhe edukator i brezave gjatë gjithë jetës.

Sepse atdheu nuk mbrohet vetëm në front. Ai mbrohet duke edukuar fëmijën, duke formuar të riun, duke përgatitur ushtarin, duke ndërtuar institucionin dhe duke ruajtur kujtesën e atyre që sakrifikuan. Në këtë vazhdimësi duhet parë edhe jeta e Imer Thaqit – Komandant Lekës: një jetë në të cilën interesi personal u tërhoq sa herë që përpara tij u paraqit detyra ndaj atdheut.

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja