7.5 C
Kosovo
07/11/2025

 MIRËSJELLJA MIKPRITËSE E NJË KRUTANI

Arkivi

Dromca nga vizita turistike e pensionistëve të Dardanës në Shqipëri. 

Me 44 vizitorët arritëm në Krujë pak para orës 13. Shoferi ndaloi autobusin rreth 1.7 km larg Kalasë së Krujës, që ishte synim i vizitës së sotme. Në reagimin tim se autobusi mund të afrohet më afër kalasë, arsyetimi ishte kinse nuk shkohet më andej. Absurd! Takohemi sërish në këtë vend në orën 15, tha udhëheqësi i udhëtimit. Udhëtarët zbritën nga autobusi dhe u nisën drejt Kalasë. Iku dhe shoferi. U nisa dhe unë. Kur ktheva kokën prapa, pashë haxhi Jasharin 84-vjeçar pranë autobusit, që po lëvizte hutueshëm i ndihmuar me bastunin e tij prej druri. U ktheva dhe e pyeta nëse dëshiron të vinte te kalaja. – Sa larg është prej këtu Kalaja, më pyeti? I thashë: 1700 m po shënon në atë shigjetën informuese turistike. Jo, larg qenka për mua, s’e përballoj dot, sepse qenka edhe përpjetëze. Po rri këtu diku, por s’paska ndonjë restorant afër ku mund t’ju pres. Nuk të lë vetëm haxhi Jashar, i thashë, dhe e kapa për krahu. E çfarë ka atje për të vizituar, më pyeti? I shpjegova shpejt e shkurt se është qyteti i Kështjellës së Skënderbeut; ka një pazar me eksponate nga trashëgimia jonë kulturore etj. Mimika e tij fliste për dëshirën që ta vizitonte. Bëri disa hapa, dhe si në ofshamë m’u drejtua: jo, boll po kom qef po nuk mundem. Inercia e dëshirës ia nxori sërish dëshirën në pah, dhe shtoi pyetjen: more Xhevdet, po a s’ka ndonjë taksi që na çon deri lart? – Të shoh, i thashë dhe u afrova te një market i afërt për të pyetur. Gjasmë nuk më kuptoi mirë dhe më udhëzoi që të shkoja te kalaja për ta marr një taksi. I buzëqesha në shenjë falënderimi dhe dola jashtë. – Dalim në krahun e djathtë të rrugës dhe provojmë ta ndalim ndonjë makinë, në mos na merr përpjetë, i thashë haxhiut. Dikur udhëtoja gjithë Evropën autostop, por sot, ja që s’i kaloj dot as 2 km. Nejse. Pas nja 100 metrash arritëm në një vend më të përshtatshëm ku edhe mund të ndalet ndonjë makinë.

Tashmë kishte kaluar gjysmë ore. U ndalëm në një hapësirë para një marketi frutash. Në një automobil po hynte një burrë, dhe sapo hyri hapi dritaren dhe na shikoi me kërshëri. E pyeta nëse ka ndonjë taksi që do të na shpie te kalaja. E pyeta në mos e njeh një mikun tim krutan, Astrit Barunin. I njoh të gjithë Barunët, tha dhe m’u drejtua: unë jam nisur diku tjetër, por ju pritni dhe do të vijë djali im që t’ju shpie gjer te kalaja, jo si taksi, por falas si miq, dhe vazhdoi rrugën tatëpjetë. E falënderova paraprakisht. Haxhi Jashari më pyeti se ç më tha krutani. I thashë se do ta çojë djalin për të na shpjerë te kalaja. U gëzua dhe m’u drejtua: pse, a ka këso burrash këtu a? Athua e mban fjalën? I thashë se ai vetë u deklarua, prandaj presim. Nga dëshira për të mbërri sa më parë te kalaja, pa u bërë 2 minuta, më tha: jo bre Xhevdet nuk po vjen, veç na mashtroi. Nuk mashtrojnë krutanët e Skënderbeut i thashë. Kjo fjali e qetësoi plotësisht. S vonoi pak dhe para nesh po vinte një djalosh buzëqeshur. – Mirëdita, a jeni ju ata që më porositi babi për t’ju dërguar te kalaja. Po, i thashë, ndërkaq Haxhi Jasharit iu bë fytyra diell nga gëzimi. – Më pritni dy minuta derisa ta marrë makinën, tha Agroni, emrin e të cilit e mësova sapo hyra në makinë. Nga ai mësova se familja e tij kishin atë market frutash, se merreshin edhe me blegtori etj. Agroni, një djalosh i hareshëm, me makinën e tij na shpiu, madje, gjer në oborrin e Kalasë së Krujës. Për modesti desha t’ia jepja një bakshish, por nuk pranoi.

Në një nga restorantet e atjeshëm takuam edhe Sevdaiun, Bahtijarin e Xhevatin. U ulëm bashkë dhe pimë kafe e bëmë muhabet. Pastaj u nisëm drejt autobusit, duke vizituar edhe oborrin e kalasë, si dhe pazarin me ato qindra lokale. Në rrugën e ngushtë të kalasë takuam qindra turistë vendorë e të huaj. Haxhi Jashari e kishte më lehtë të ecte tatëpjetë, madje ecte më shpejt, i plotësuar nga vizita që i bëri këtij qyteti. Rrugës disa herë m’u falënderua mua dhe Agronit e babait të tij Kujtimit që na e bëri të mundur këtë vizitë.

Kështu, me këtë rast, përmes fejsbukut, falënderoj krutanin Kujtim Dede për mirësjellje mikpritëse që e dërgoi djalin – Agronin për të na bërë këtë shërbim./Xhevdet Kallaba/

 

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja