Sylë Dajkoci (Krasniqi) (1907-1999) – Një jetë në shërbim të njeriut, dijes dhe së drejtës
Këto ditë (më 5 korrik) u bënë 26 vjet nga vdekja e Sylë Dajkocit – Krasniqit, i njohur si udhëheqës dhe pleqnar i komunitetit të Anamoravës, dhe jo vetëm. Në kujtim dhe nderim të kësaj figure kombëtare po japim këtë shkrim, përpiluar nga një bisedë e realizuar më 6 mars 1996, në Dajkoc të Dardanës.
Përgatitur nga: Xhevdet Kallaba
Unë jam Sylë Krasniqi, i njohur edhe si Sylë Dajkoci. U linda në kohë të trazuar, kur Serbia kishte shkelur vendin tonë dhe populli ynë përjetonte dëbime e përzënie nga shtëpitë e veta. Nëna ime, me një penë buaj dhe një mështjerrë, kishte ikur deri në Shkup për të gjetur shpëtim. Më ka treguar se më kishte lindur në grazhdin e kuajve të mbretit. Falë dy burrave të njohur, Nuha i Malës dhe Tafa i Musliut, që i njihnin buajt e familjes sonë, u kthyem përsëri në vendlindje.
Fëmijërinë time e mbaj mend të zhveshur, zbathur, por me etje për dije. Shkollën e fillova në Roganë dhe e vazhdova në Hodonoc. Jetonim në varfëri të skajshme. Verës ecja zbathur, dimrit me opinga lëkure lopësh. Mbanim një këmishë të vetme dhe done të konopit si dhe një trastë po ashtu nga konopi. Në shkollë përdornim abetaren serbisht, pak fletore dhe një tabelë shkrimi me shkumës.
Isha nxënës i mirë dhe mësuesi Zejniq më dha letër rekomandimi për të vazhduar shkollimin në Shkup. Por, për shkak të varfërisë, nuk munda ta ndjek atë rrugë. Megjithatë, e doja dijen. Mbaja ditar personal, shënoja çdo ngjarje që kishte të bënte me Kosovën dhe popullin tonë.
Shërbimin ushtarak e fillova më 7 prill 1930 në Suboticë të Vojvodinës. Atje pashë padrejtësinë e pushtetit ndaj shqiptarëve. Na përqeshnin, na thërrisnin me nofka përbuzëse si “mujdan”. Unë u përballa me këtë padrejtësi dhe iu drejtova kapitenit: “Kur na keni regjistruar në ushtri, kemi pasur emra – përse na përqeshni kështu?” Pas atij reagimi, ai trajtim u ndërpre. Më pas, përfundova edhe një kurs për nënoficerë.
Pas ushtrisë, më 1 janar 1934 u emërova qatip (shkrues) i vogël në Hogosht, ku punova deri më 1941, përveç një ndërprerjeje të shkurtër për shkak të luftës. Denoncova vazhdimisht torturat dhe keqtrajtimet që xhandarmëria serbe i ushtronte ndaj shqiptarëve, duke i përcjellë në instancat më të larta të Banovinës.
Nga Hogoshti u transferova si sekretar komune në Rogoçicë dhe më vonë në Hajnoc. Në vitin 1943 u emërova kryetar komune në Rogoçicë. Edhe pas luftës, nga maji 1945 deri në maj 1947, vazhdova detyrën si kryetar, tani i emëruar nga regjimi i ri. Rogoçica atëherë kishte 17 fshatra.
Pas zëvendësimit nga Hasan Xhela, kalova në Crep për afro 6 vjet dhe më pas një vit në Muhoc. Për 16 vjet me radhë punova edhe në Zyrën e Vakëfit te Hafëz Kallaba, kryesisht në Rogoçicë.
Për nga bindjet, jam përpjekur gjithnjë të kuptoj rendin politik të kohës dhe ndikimin e tij mbi të drejtat tona. Kushtetuta e vitit 1946 kishte disa elemente të drejtësisë për shqiptarët, por ajo e 1963-ës i zbeh të gjitha. Kushtetuta e 1974-ës ishte më e avancuara. Ajo solli decentralizim në drejtësi, shëndetësi, arsim, tregti dhe punësim. Kjo ishte hera e parë kur shqiptarët fituan një lloj baraspeshe numerike në institucionet vendimmarrëse. Për herë të parë gjykatat tona nuk ishin më të varura nga Beogradi.
Në vitin 1981, kur shpërthyen demonstratat në Kosovë, isha i shtruar në spitalin e Vranjës, e më pas nga 16 marsi deri më 13 maj në spitalin e Prishtinës. U gjenda në një dhomë ku silleshin protestuesit e plagosur. Atje mësova për varrosjen e trupave të vrarë në mënyrë të fshehtë, në rrugën pranë spitalit. Vajzat e një miku nga Buxhenica, që punonin si infermiere, më rrëfyen se e kishin parë vetë këtë ngjarje. Trupat ishin mbuluar dhe më pas aty ishin ndërtuar baraka për ta fshehur gjurmën.
Kjo është jeta ime, një jetë me lot e sakrifica, me përballje e qëndresë. Por edhe me krenari që nuk iu dorëzova padrejtësisë. Dhe, siç e kam thënë gjithmonë: Nëse e ke të drejtën në zemër, mos e ul kokën kurrë.
Por, këtu nuk mbaron e gjithë historia ime jetësore…
Rrëfimi i Sylë Dajkocit për aksionin e armëve në vitet e Rankoviqit
“Jo, s’kam ‘Beretë’” (Tregim në vetën e parë)
Në atë kohë isha në shërbim në Zyrën për Kundërvajtje në Komunën e Muhocit, njësi administrative më shumë simbolike sesa komunë e mirëfilltë. Një ditë më erdhën në zyrë Syla i Shefkiut dhe Selimi i Shaipit – i kishte dërguar Misha dhe madje më sillnin një ftesë me shkrim.
Fillimisht u ktheva në shtëpi, pa shumë ngut. Pak më vonë erdhi Hamit Bajrami nga Karaçeva, bashkë me vëllain tim Hazirin. Shkova me ta. Në katin e sipërm të shtëpisë ndodheshin disa persona: Hamdiu, Ruzhdiu, mixha Hajdar, mulla Kameri, Misha dhe një Vllada me mustakë. Sipas rregullit, i përshëndeta në serbisht. Misha më pyeti ku punoja. I thashë se isha në Muhoc, në Zyrën e kundërvajtjes.
Pastaj, pa shumë hyrje-dalje, më tha: – E ke një ‘Beretë’. Për herë të parë po dëgjoja këtë fjalë. Kur pyeta çfarë është, më tha se është një allti italiane. Iu përgjigja sinqerisht se nuk kam kurrfarë arme. Ai më shikoi në sy dhe, me ton kërcënues, m’u drejtua: “Ma sjell revolen – e kam urdhër nga Rankoviqi, mund të të zhduk menjëherë.” Pastaj thirri njëfarë (G) dhe i tha: “Thuaj se ia ke parë Sylës armën.” I shkreti (G) siç duket i kërcënuar, më tha: “Vallha baci Sylë, në kohë të Shqipnisë ta kam pa nji allti.” Nuk durova dhe iu përgjigja: “Mos rrej! S’është e vërtetë!”
Më nxorën jashtë dhe më lanë në të ftohtin e acartë, te koshi i Hajdarit. Kisha veshur opinga dhe një palë çorapë të holla, që s’mbanin as ngrohtësinë e frymës. Gruaja e Rexhepit, që e shihte këtë mizori, m’u afrua tinëzisht dhe më dha një palë çorapë leshi me thembra të zeza, dhuratë martese. Nuk i mbatha, por i mbajta nën sqetull.
Dikur, Misha më doli përballë dhe më pyeti: “A ke ftohtë?” “Po”, i thashë. Ai më urdhëroi të ktheja fytyrën nga veriu, jo shpinën. Hyri prapë brenda.
Pas një kohe më thirrën dhe më urdhëruan të sillja armën. Sapo dola në korridor, pashë Osmanin që po qante. E pyeta: “Ç’ke ore?” M’u përgjigj: “Më ka vdekur nana – në borë, bashkë me Xhemën e Bejtës.”
U ktheva në shtëpi, por s’më lanë gjatë. Erdhi Hamiti dhe më thirri prapë. Ishte acar i papërshkrueshëm. Lumi ishte krejt akull. U detyrova ta kaloja zbathur, me opinga. Njërën e humba. Kur arrita te Rizë Magjupi, në Muçivërc, ai më futi brenda, më zbathi këmbët dhe m’i mbështolli me fleta lakre. Pastaj vazhdova drejt shtëpisë së Bajram Hallaqit. Ia qava hallin. I thashë se më duhet një armë. Më premtoi një revole që e kishte blerë në Vranjë, e re, pa krisur kurrë. Gruaja e tij ma shtroi një jan dhe më mbuloi me jorgan; më ofroi bukë misri me dardha “masllarka”.
Kur u çova, Bajrami ma solli armën. E mora dhe e çova në “shtab”. Misha e shikoi dhe tha: “Kjo nuk është ‘Beretë’.” Por e pranoi. Armën, të cilën e pagova 500 banka, e morën milicët që shkuan në Kamenicë. Misha u zemërua dhe dërgoi një muçivërcas pas tyre që ua mori prapë armën. Më në fund, më tha: “E ke sjellë, por jo ‘Beretën’.” Megjithatë, më liroi. Nuk më ra, nuk më shau.
Në gjithë atë tmerr, e vetmja gjë që më vinte ndër mend ishte: “Familja ime kurrë s’ka qenë shoshë e bërllokut. Me vdekë po, por kurrë me marrë në qafë dikë tjetër.”
Rrëfimi i veçantë i Sylë Dajkocit mbi lëvizjet politike shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore dhe qëndrimi ndaj regjimit jugosllav
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjes së regjimit titist në Jugosllavi, sipas Sylë Dajkocit, mbi 85 për qind e shqiptarëve, edhe pse jo fizikisht, shpirtërisht dhe mendërisht ishin kundër pushtetit të ri. Ata e kuptonin që ai sistem nuk do të sillte liri e barazi për ta, por vetëm një formë tjetër shtypjeje. Sidomos në zonat e Malësisë së Kamenicës, thotë ai, gjendja ishte më e rëndë se në Rrafsh, dhe rezistenca më e fortë.
Syla kujton përpjekjet e tij të pareshtura për të ndërtuar paqe në dhjetëra fshatra të Anamoravës, por gjithmonë në sfondin e një zemërimi të thellë ndaj padrejtësive që u bëheshin shqiptarëve nga pushteti i ri jugosllav dhe strukturat e UDB-së. Ai përmend edhe Kongresin e Lipovicës, të mbajtur më 1–2 shtator 1945, ku ishin mbledhur nacionalistët shqiptarë për të shprehur kundërshtimin e qartë ndaj aneksimit të Kosovës dhe për të shprehur idealin e bashkimit me Shqipërinë. Edhe pse ai vetë nuk ishte i pranishëm, njerëz të afërt të rrethit të tij si Hafëz Kallaba, Haki Efendija dhe Rexhepi i Shemës, kishin dijeni për këtë ngjarje, por për shkak të represionit, kishin heshtur.
Ai rrëfen edhe një episod të tensionuar kur Papoviqi, shef i UDB-së në Kamenicë, e kishte vizituar shtëpinë e tij dhe kishte tentuar të zbulojë lidhjet e tij me “komitetin e Drenicës”, një formacion i fshehtë politik i nacionalistëve shqiptarë. Me guxim e mençuri, Sylë Dajkoci kishte mbrojtur të afërmit e tij nga implikimi i drejtpërdrejtë, madje kishte deklaruar: “Nëse është Hajdari pjesë e komitetit, atëherë edhe unë jam.”
Rrëfimi vazhdon me përshkrime të detajuara për veprimtarinë ilegale të Komitetit Nacional Demokratik Shqiptar, të udhëhequr nga figura si Gjon Serreçi, Sadri Shipashnica, Ramadan Dërmaku e të tjerë, të cilët vepronin në fshehtësi, nëpër bunkerë të malësive të Kamenicës. Por rrjetet e UDB-së nuk pushonin. Një pakujdesi, një kuti duhani e harruar, do t’i zbulonte fshehtësitë dhe do të çonte në ndjekje të ashpra, përplasje me armë, dhe fundin tragjik të shumë prej tyre.
Syla përmend edhe rastin e Mulla Idriz Gjilanit, i cili për një kohë ishte strehuar në fshatrat e Anamoravës, duke u mbështetur nga shumë familje shqiptare, përfshirë edhe familjen e Sylë Gjyrishevcit. Rrëfimi për përndjekjen dhe fundin e Mulla Idrizit, që përfundoi i djegur i gjallë në një tallë në Gjilan, është një nga dëshmitë më të dhimbshme që nxjerr në pah mizoritë e sistemit.
Syla nuk e fsheh as faktin se disa shqiptarë kishin bashkëpunuar me UDB-në dhe madje kishin ndihmuar në përhapjen e propagandës se Mulla Idrizi kishte shpëtuar e ishte arratisur në Stamboll – një gënjeshtër e dizajnuar për të dekurajuar përkrahësit e tij dhe për të fshehur vrasjen.
Ky rrëfim përbën një mozaik të dhimbshëm por të nevojshëm për të kuptuar periudhën dramatike të pasluftës në Kosovë, idealet e pakompromis të shumë shqiptarëve për liri dhe vetëvendosje, por edhe egërsinë e një regjimi që s’njihte mëshirë ndaj aspiratave kombëtare të shqiptarëve. Nëpërmjet zërit të Sylë Dajkocit, historia merr frymë me një ndershmëri të rrallë.
Syla – dëshmitar i kohës dhe zë i ndërgjegjes kombëtare
Në intervistën e zhvilluar më 1996 me publicistin Xhevdet Kallaba, Sylë Dajkoci del si një zë i rrallë që përçon realisht rrjedhat dramatike politike dhe shoqërore në Kosovën Lindore nga fundi i Luftës së Dytë Botërore e deri në vitet e represionit komunist. Duke rrëfyer me kujtesë të jashtëzakonshme ngjarjet, emrat, datat dhe ndërlidhjet, Syla tregohet si dëshmitar aktiv e kritik i kohës, i cili nuk është vetëm vëzhgues por edhe pjesëmarrës dhe veprimtar i heshtur i qëndresës shqiptare.
Ai flet për përpjekjet ilegale të organizatave si LNDSH dhe më pas për rezistencën e brezave të rinj, duke përmendur edhe organizatën ALBANIKOS me simpati të hapur. Në rrëfimin e tij, Syla e konsideron veten pjesë të atyre që, ndonëse të përndjekur, nuk e mohuan asnjëherë përkatësinë e tyre kombëtare.
Në qendër të shumë kujtimeve të tij është figura e Mulla Idriz Gjilanit, simbol i qëndresës shpirtërore dhe kombëtare, për të cilin Syla flet me dhimbje e krenari, duke rrëfyer përpjekjet e komunitetit për ta mbrojtur dhe pastaj dorëzimin e tij për të mos u bërë shkak për gjakderdhje më të madhe.
Një rrëfim dramatik është ai për veprimet kriminale të Veliçk Domorovcit, ish-vojvodë serb, të cilin Syla e njohu personalisht gjatë punës në Crep. Me gjithë afërsinë e detyruar, Syla rrëfen me urtësi se si ky njeri (Veliçki) përdori postin për të ushtruar dhunë ndaj shqiptarëve dhe për të ndërtuar ura të qëndrueshme të pushtetit serb në Anamoravë.
Syla nuk ngurron të flasë për përgjegjësitë e bashkëkombësve të tij, për ata që u bënë vegla të regjimit serb, si dhe për ata që u treguan të ndershëm, trima e që u sakrifikuan për të mos tradhtuar idealet kombëtare.
Por ndoshta momenti më tronditës i rrëfimit është ai për dhunimet ndaj grave shqiptare të Topanicës në Domoroc, nga serbët vendas. Reagimi i Sylës, i menjëhershëm dhe i vendosur, për të mbrojtur nderin e grave, qoftë edhe të atyre të komunitetit serb, tregon karakterin e tij të paepur dhe virtytet e një udhëheqësi të komunitetit. Ai dëshmon se për të dhuna ndaj grave ishte vijë e kuqe që nuk duhej kaluar – për këtë arsye kishte ndërhyrë personalisht edhe kundër bashkëkombësve të vet.
Rrëfimi i Sylës është më shumë se një kujtim: është një testament historik që përshkruan rrënjët e qëndresës shqiptare, ndarjen mes bashkëpunëtorëve dhe atyre që sakrifikuan, dhe në fund – nevojën për të mos harruar.
Syla për autoritetin moral dhe njerëzor të Hafëz Kallabës
Hafëz Kallaba – simbol i nderit dhe mësues i jetës
Hafëz Kallaba gjatë jetës së tij ishte më shumë se një imam; ai ishte një shtyllë e fortë e komunitetit tonë, një burim këshillash dhe drejtimi për breza të tërë. Siç rrëfen Sylë Dajkoci, i cili ka pasur fatin ta njohë e të punojë me të, “kurrë veshi im nuk ka dëgjuar që Hafëz Kallaba të ketë folur keq për dikë”. Ai ishte njeriu që jepte vetëm këshilla të mira, të mbështetura në dijen dhe përvojën e tij, me një zemër të hapur dhe shpirt të pastër.
Figura e tij ngjallte respekt të madh, por edhe xhelozi nga disa që nuk mund të kuptonin madhështinë e veprimtarisë së tij. Ai mbeti një simbol i qëndresës, i dinjitetit dhe i përkushtimit për të mirën e komunitetit, një figurë që sot ne e kujtojmë me nderim dhe mirënjohje për gjithë atë që bëri për brezat e ardhshëm.
Kjo dëshmi nuk është vetëm vlerësim për një individ, por edhe pasqyrim i një kulture respekti, urtësie dhe qëndrese morale në kohë të trazuara. Hafëz Kallaba del kështu si një nga figurat më të ndritura të trevës, i cili ka lënë gjurmë të thella në kujtesën e bashkëkohësve të tij – jo me fjalë të mëdha, por me jetë të ndershme e fjalë të urta.
- Advertisement -
- Advertisement -