8.5 C
Kosovo
07/11/2025

U PËRURUA MONOGRAFIA E SHKOLLËS FILLORE “AVNI RRUSTEMI” – KARAÇEVË E EPËRME 1945-2025

Arkivi

Në ambientet e shkollës fillore “Avni Rrustemi” të fshatit Karaçevë e Epërme, të komunës së Dardanës/Kamenicës, më 2 maj 2025 u bë përurimi i monografisë kushtuar shkollës fillore “Avni Rrustemi” në Karaçevë të Epërme, në 80 vjetorin e themelimit të saj.

Në praninë e shumë nxënësve, mësimdhënësve, prindërve dhe mysafirëve të ftuar, si dhe në moderim të Shefik Kastratit, kjo ngjarje kulturore-letrare pati një mesazh të rëndësishëm për rolin e dokumentimit të rrjedhave arsimore në 80 vjetët që lamë pas, në këtë cep të skajshëm të Kosovës.

Për shkollën dhe librin folën: drejtori i shkollës, Jakup Kastrati, redaktori i librit, Xhevdet Kallaba, recensuesi i librit, Nexhat Rexha, dhe vetë autori i monografisë, Nijazi Kastrati.

Për këtë monografi, autori Kastrati, veç tjerash tha se ky libër është një përpjekje për të dokumentuar, ruajtur dhe nderuar historinë 80-vjeçare të shkollës “Avni Rrustemi”, një institucion që ka ndikuar thellë në jetën arsimore, shoqërore dhe kulturore të Karaçevës së Epërme e të Poshtme dhe më gjerë.

Për shkak të specifikave të veprimtarisë së shkollës, z. Kastrati sqaroi se mbi 70% e materialit të kësaj monografie i atribuohet shkollës së përbashkët në Karaçevë të Epërme dhe të Poshtme, e cila funksionoi deri në shtator të vitit 2003. Në vitin shkollor 2003/2004 shkollat punuan të ndara, por nën një drejtori, ndërsa në vitin shkollor 2004/2005, pavarësohet shkolla fillore “Asllan Thaçi” e Karaçevës së Poshtme, përderisa shkolla e Karaçevës së Epërme trashëgoi emrin e vjetër që mban edhe sot – “Avni Rrustemi”.

Në historikun e themelimit të shkollës, pa dyshim, vend meritor zë mësuesi i parë i kësaj shkolle, Zef Ndue Markaj, nga Reçi i Malësisë së Shkodrës, i cili pas Luftës së Dytë Botërore, vjen në Kosovë bashkë me rreth 300 mësues të tjerë nga Shqipëria, për ta ndihmuar shkollën shqipe në Kosovë.

Në fakt ky ishte një projekt i Ministrisë së atëhershme të Arsimit i Republikës së Shqipërisë, me ç ‘rast një numër i konsiderueshëm mësuesish nga Shqipëria erdhën në Kosovë për të ndihmuar në organizimin dhe zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe. Ky kontribut ishte veçanërisht i rëndësishëm në periudhën 1945–1950, kur në Kosovë mungonin mësuesit e kualifikuar shqiptarë për shkak të shtypjes së mëparshme të arsimit shqip gjatë periudhës së Mbretërisë së Jugosllavisë.

Këta mësues kontribuuan në:

  • Hapjen e shkollave fillore dhe të mesme shqipe;

  • Hartimin e planeve mësimore;

  • Përgatitjen e kuadrove vendore për mësues;

  • Zhvillimin e librave dhe materialeve mësimore në gjuhën shqipe;

Rol vendimtar dhe historik për arsimin shqip në Kosovë, gjatë kohës së pushtimit italian në Luftën e Dytë Botërore, ka luajtur Ernest Koliqi. Ai është figura bosht që hapi rrugën për ringjalljen e arsimit në gjuhën shqipe në trojet shqiptare, të mbetura jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, përfshirë edhe Kosovën.

Koliqi e pa arsimin si mjet të çlirimit kulturor dhe kombëtar, dhe besonte se ngritja arsimore ishte e domosdoshme për vetëdijen kombëtare shqiptare në Kosovë.

Mësuesit e dërguar prej tij krijuan themelet e brezave të parë të intelektualëve shqiptarë në Kosovë.

Pra, njëri nga ata mësues ishte edhe Zef Ndue Markaj, i cili hapi shkollën në Karaçevë të Epërme dhe punoi me përkushtim me nxënësit shqiptarë.

Në libër pasqyrohen edhe regjistra nxënësish, mësuesish, drejtorësh dhe punëtorësh teknikë. Në monografi janë përfshirë në një listë edhe të gjitha kuadrot e dala nga shkollat e të dy Karaçevave, që nga mësuesit e deri te doktorët e shkencave, krejt kjo si rezultat i punëtorëve arsimorë ndër vite.

Në pjesën interaktive të përurimit të monografisë, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Kamenicë, përgëzoi autorin për librin, dhe foli për rëndësinë që kanë monografitë e shkollave për historikun e këtyre institucioneve arsimore. Me këtë rast ai inkurajoi edhe shkrimtarë të tjerë që ta ndjekin shembullin e z. Kastrati në jetësimin e veprimtarisë arsimore të komunës së Kamenicës në monografi përkatëse.

Ndërkaq, ish-kryetari i komunës së Kamenicës, dr. sc. Shaip Surdulli përgëzoi autorin për këtë monografi, duke reflektuar dëshirën për një titull që nuk i atribuohet vetëm shkollës së Karaçevës së Epërme, por që përfshin edhe Karaçevën e Poshtme.

Manifestimin e përurimit të librit e begatoi edhe deklamimi i disa poezive dhe këndimi i disa këngëve prej vetë nxënësve kushtuar shkollës e të shkruara nga ish mësimdhënës të kësaj shkolle.

Për kontributin si ish-drejtor i kësaj shkolle, por edhe si autor i monografisë së shkollës, drejtori aktual, Jakup Kastrati i dha mirënjohje Nijazi Kastratit.

Pas përurimit të monografisë, të pranishmit patën mundësinë që librin ta marrin falas, falë disa donatorëve nga mërgata jonë.

Krejt në fund, dashamirës të librit dhe të autorit bënë fotografi të përbashkëta, pastaj morën një apero në restorantin «Oksigjen». /Xhevdet Kallaba/

 

 

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja