10.5 C
Kosovo
25/05/2026

Nijazi Kastrati – jorgan i poezisë për fëmijë në Anamoravë

Arkivi

Nga brezi i shkrimtarëve për fëmijë të fillimshekullit XXI, pa dyshim, më produktivi, i preferuari dhe i pëlqyeri në Kamenicë e në Anamoravë është poeti Nijazi Kastrati nga Karaçeva e Epërme – Komuna e Kamenicës.

Ajo që e karakterizon dhe ia shton famën këtij krijuesi për fëmijë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në trojet tjera shqiptare, është fakti se poeti Kastrati, pothuajse për çdo ditë, krijon nga një poezi për fëmijë. Kjo tregon se ky poet, tashmë, është mishëruar me poezinë për fëmijë, ndonëse hera-herës shkruan edhe tregime për fëmijë. Në prag të festave të fundvitit, krahas librit me poezi “Treni kryeneç”, botoi edhe librin me tregime të ilustruara për fëmijë me titull “Maçoku në kozmos”.

Nijazi Kastrati ka lindur më 26.03.1956 në Karaçevë të Epërme, Kamenicë e Kosovës.

Ka të mbaruar Fakultetin Filologjik, dega Letërsi dhe Gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Disa vite ka punuar profesor i gjuhës shqipe në gjimnazin “Ismail Qemali” dhe në atë teknike “Andrea Durrsaku” në Kamenicë.

Nga viti 1995 gjer më 2009 ka qenë drejtor në shkollën fillore “Avni Rrustemi” në Karaçevë, ndërkaq prej shtatorit të vitit 2009 e deri në shtator të vitit 2011 e ka kryer detyrën e lektorit në Kuvendin Komunal, në Kamenicë. Në periudhën shtator 2011 gjer në nëntor 2012 sërish i kthehet ditarit në gjimnazin e Kamenicës, për të vazhduar deri në pension (2021) në cilësinë e drejtorit të Konviktit të nxënësve “Gjon Serreçi”, në Kamenicë.

Me shkrime ka filluar të merret që në moshë të re, por botimin e veprave të veta e ka filluar nga viti 2018. Deri tash ka botuar: “Zogu dhe çupa” (2018); “Beni dhe Oriku” (2019); “Hana e ylberi” (2019); “Letër gjyshes” (2020); “Ketrushi pa dhëmbë” (2020); “Macja ministreshë” (2021); “Një kafaz me pullaz” (2021); “Udhëtimi në rrugën e lirisë” (bashkautor, 2021); “Ëndrra në shtegun e lirisë” (bashkautor, 2022); “Maçoku në kozmos” (2022 – Libër me tregime të ilustruara për fëmijë); “Treni kryeneç” (2022).

Si poet i suksesshëm për fëmijë, poeti Kastrati, kohëve të fundit, ka marrë pjesë në shumë orë letrare, tribuna shkrimtarësh dhe emisione televizive në Kosovë, Shqipëri, në Maqedoninë Veriore e në Kosovën Lindore.

Ai është anëtar i Lidhjes së Shkrimtareve të Kosovës; anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve “ Feniks” në Preshevë; anëtar i klubit letrar “Nositi”- në Dardanë; anëtar i shoqatës kulturo-artistike “JEHONA SHQIPTARE” nga Tirana.

Suksesin e tij poetik tashmë e shtrirë edhe në cilësinë e bashkëpunëtorit në gazeta, revista dhe portale të ndryshme të rajonit shqipfolës.

Me fillimin e botimit të portalit “InfoRogana”, veprimtaria letrare e z. Kastrati do të jetë e pranishme edhe në faqet e këtij portali.

Nijazi Kastrati jeton në fshatin e tij të lindjes, në Karaçevë të Epërme, të Kamenicës.

Kësaj radhe po e botojmë poezinë për fëmijë «Qerrja e Babadimrit»:

QERRJA E BABADIMRIT

Qerrja e Babadimrit
Mbushur me dhurata,
Ecën e s’pushon fare
As kur bie nata.
E tërheq kaprolli
Me brirë të degëzuar,
Në qerre Babadimri
Mjekrën bardh lëshuar.

Kalojnë fusha e male
Në çdo qytet e fshat,
Dhuratat çdo fëmije
Ua lënë në prag.

-E çka han kaprolli
Në këtë rrugë të gjatë,
Tash kur nuk gjen bari
Të njomë, as të thatë?

-Kaprolli i Babadimrit
S‘ ushqehet në lëndina,
Ai ha çokollata
E shumë pjekurina!


- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja