Në Dardanë jeton roganasi Sadik Geci i cili, ndonëse në moshë të shtyrë, ai vazhdimisht mbledh dhe krijon tekste humoristike. Një mori anekdotash e shakash ai i përmblodhi në dy libra: “Kanuni i grave” dhe “Humori dhe mahitë e Mixhës Hajriz dhe 138 të tjera”. Këta dy libra u përuruan në prag të festës së Flamurit, më 28 nëntor 2022, në bibliotekën e qytetit, në Dardanë.
Me këtë rast Drejtoria komunale për kulturë dhe klubi letrar «Nositi», në Dardanë (Kamenicë), organizuan përurimin e këtyre dy librave me humor, të Sadik Gecit. Në emër të organizatorit, një fjalë përshëndetëse e bëri zonja Azemine Maliqi, për të vazhduar drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Dardanë, z. Afrim Dërvishi.
Për veprën dhe veprimtarinë e Sadik Gecit, një kumtesë e kishte përgatitur bashkëvendësi i tij prof. Xhavit Kryeziu, të cilën e lexoi satiristi e shkrimtari Musa Ahmetaj.
Moderimin e bëri nxënësja e shkollës së mesme Viola Kastrati, kurse pjesë nga libri “Kanuni i grave” deklamoi Liresë Maliqi.
Redaktori i dy librave të Sadik Gecit, z. Nexhat Rexha lexoi kumtesën: «Fjala në përjetimet e bashkëkohanikëve» me ç’rast zuri në gojë bisedat e Sadikut me mixhën Hajriz, i cili humorin e kishte në majë të gjuhës. P.sh. – hyn dikush në dyçanin e Mixhës Hajriz dhe e pyet: Mixha Hajriz, a ban me i folë nja dy fjalë në telefonin e zyrës? Ban bre, po ky telefoni jem nuk din serbisht, prandaj, nuk ban…
Në fund të pranishmit i përshëndeti dhe i falënderoi vetë autori Sadik Geci, duke i treguar edhe disa anekdota, që ishin edhe nj disponim shtesë për të pranishmit.
Me të përfunduar të takimit, të pranishmit bënë fotografi kujtimi me autorin Sadik Geci, i cili së shpejti mbush 87 vjet.




