Gjurmëve të traditës atdhetare në Rogaçicë
Selver Bajram Kryeziu (11.5.1969 – 29.4.1999)
Bajram H. Kryeziu: Kujtova se prej fshatit tonë askush nuk po shkon në luftë, e na kap marrja. Kur mora vesh, pasha Zotin m’u pat marue qejfi, më besoni se m’u pat marue qejfi; nuk jam hiq pishman që m’u ka vra djali jem.
Të shërbesh në Armatën Jugosllave në vitet e 90-ta për shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera në ish-Jugosllavi ishte me shumë rrezik. Askush nuk i gëzohej një shërbimi të tillë, por shërbimi ushtarak ishte i detyrueshëm. Me dhjetëra ushtarë shqiptarë që shërbenin gjithandej Jugosllavisë ktheheshin në arkivole ende pa përfunduar shërbimi i paraparë ushtarak. Arsyetimet në telegramet zyrtare, zakonisht, ishin: „ në saje të autopsisë ushtari XY ka bërë vetëvrasje“. Kërkesa për një autopsi shtesë ishte sikur t’i shpallje luftë Armatës Jugosllave. Shpesh nuk lejohej as hapja e arkivoleve, që ishin metalike dhe të salduara e ku dukej vetëm fytyra përmes një dritareje të vogël, me xham të tejdukshëm.
Një ditë prej ditësh postieri solli një zarf te kapixhiku i Bajram Hysen Kryeziut. Vetë Baca Bajram kishte dalë për ta marrë, sepse duhej firmosur pranimi i zarfit. E, në zarf ishte ftesa për shërbim ushtarak për Selver Kryeziun. Ishte vjeshtë e vonë, kurse situata politike në ish Jugosllavi tejet e tendosur. Baca Bajram mori ftesën dhe hyri brenda në dhomë. Bashkëshortja e tij, Feridja sapo kishte nxjerrë një bukë mrume nga furra e shporetit dhe bëhej gati për tepsinë tjetër. Me të dëgjuar lajmin lëshoi një ofshamë saqë e dëgjoi edhe reja e saj teksa po nxirrte disa rroba nga lavatriqja në korridor. – „Ah Bajram, paskemi mbetur pa djalë, kishte shprehur shqetësimin Feridja“. – „Jo moj grua se ushtria është për burra“, po ia zbuste shqetësimin gruas, Baca Bajram. Kundërshtimi i shërbimit ushtarak ishte me pasoja për familjen, këtë e dinte Selveri, prandaj edhe nuk shprehu ndonjë rezistencë ndaj ftesës.
Ishte kohë dimri, pak para Vitit të Ri, përkatësisht më 24 dhjetor 1990 dita kur Selveri mori rrugën për në Kroaci. Në fytyrat e familjarëve që kishin dalë ta përcillinin në oborr e në sokak vërehej një zymtësi. Në traditën tonë shqiptare, shkuarja ushtar për mbrojtje të vendit është krenari. Bile, me këtë lidhet edhe miti për kërkesën e lindjes së meshkujve në familje, sepse ndër shekuj e në lufta të ndryshme për liri të vendit vazhdimisht ka pasur humbje meshkujsh, por edhe rigjenerim të vazhdueshëm. Pas ndarjes së trungut shqiptar, kur më 1912 më shumë se gjysma e trojeve shqiptare mbeti jashtë kufijve shtetërorë, kjo ndjenjë nuk ishte në zemrat e shqiptarëve, ngase gjithmonë konsiderohej se shërbimi ushtarak po bëhej për interesa të asaj ushtrie që në sy të botës të jep karrotën e pas shpine ta ngul thikën. Sidoqoftë, shërbimi ushtarak ishte i detyrueshëm me ligj, dhe të rinjtë duhej t’i përgjigjeshin pozitivisht. Kështu veproi edhe Selveri.
Djemtë nga Kosova, kryesisht, sistemoheshin për shërbim ushtarak në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë ose Slloveni. Në pranverën e vitit 1991 kishte plasur lufta në Kroaci, ndërkohë që Selveri ishte atje në shërbim ushtarak. Lufta e kishte gjetur në Shibenik të Kroacisë ku kishte edhe shqiptarë të tjerë në shërbim. Mbase mund të ketë pasur edhe më tepër ushtarë, por një grup prej 14 ushtarësh ishin bërë tok dhe qanin hallin e situatës në të cilën kishin rënë. Kemi mbetur vetëm „mish për top“, kishte thënë Selveri, derisa po bënin një plan të dezertimit. Asnjëri prej tyre nuk kishte vullnet që të luftonte për interesat e Serbisë në emër të gjoja Armatës Jugosllave. Të gjithë ishin të vetëdijshëm se Jugosllavia po shpërbëhej. Plani për ikje ishte me shumë rrezik, por edhe i domosdoshëm.
„Nuk e di nëse ishte shtatori ose tetori i vitit 1991 kur më thirrën njëherë në Kamenicë për të biseduar me telefon me Selverin. Vetë një milic shqiptar kishte ardhur prej Kamenicës në Rogoçicë, dhe më pyeti: – a ke folë me djalin? – jo, i thashë, nuk kam folë. – Hajde, tha; merre edhe gruan. – E mora plakën dhe shkova në Kamenicë me folë në telefon”.
– Selver, qysh i ke punët, e pyeta. Mirë, ago mirë, ma ktheu. Pastaj unë gabova pak, sepse e pyeta: në luftë tash a po ju çojnë…?, atëherë më bërtiti ai që ishte aty, më duket e ka pasur emrin Ramadan. Më tha, gabove mixho, mos fol ashtu! Eh, gabova, i thashë. E ndërpreva bisedën dhe dola përjashta. Plakës i thashë: e kreva plako, Selveri ishte mirë.
Më pastaj shkova edhe një herë në Kamenicë për të telefonuar, por tashmë zyra për shërbime ushtarake ishte bartur prej aty. Gjithë inventarin e kishin dërguar për në Vrajë. Krejt çka ka pasur në ndërtesën e komunës, i kishin bajtë e po i bajshin e dërgojshin në Vrajë. Sidoqoftë, unë iu luta njërit aty që të ma mundësonte të flas me Selverin. Ai bëri përpjekje të kontaktonte me kazermën ku ishte ai, por doli në korridor e më tha: – jo nuk qenkan në kazermë, qenkan rrugës për në luftë. U ktheva korridorit i cili ishte goxha i errët, por kur mora atë lajm, disi u errësua krejtësisht. Mezi arrita te dera e daljes. Dola përjashta, shkova te stacioni i autobusave dhe erdha në shtëpi.
Nga situata e tendosur që na kishte kapluar ishim bërë robër të lajmeve, sidomos lajmeve të „Zërit të Amerikës“. Çdo ditë pritja se do ta sjellin Selverin të vrarë, sepse shpesh dëgjonim për vrasjen e ushtarëve shqiptarë, bile zyrtarisht thojshin se janë „vetëvrarë“, siç ishte rasti me një Muhametin e Hogoshtit dhe një Muharremin e Robellve nga Koretini, pastaj kishte edhe nga Kamenica dhe vende të tjera gjithandej Kosovës“, rrëfen baca Bajram dhe, pavetëdijshëm, shpërvjel krahët për të parë se si i kanë shkuar mornicat në trup (e kanë kapur ethet).
Sidoqoftë, Selveri bashkë me një grup prej 14 ushtarësh i deshin rrobat e ushtrisë dhe, bashkë me armët, i hedhin me një përrua dhe ikin. Rrugës takohen me një kroat i cili u kishte ndihmuar, por kishte kërkuar armët e tyre. Kështu, ata kthehen i gjejnë armët, ia japin atij dhe vazhdojnë në një zonë më të lirë të Kroacisë. Atje paraqiten te një organizatë e Kryqit të Kuq dhe prej aty, më vonë, dalin në Perëndim.
“Unë, si edhe shumë të tjerë që i kishim djemtë ushtarë në Armatën Jugosllave, rrinim si “lepuri në ferrë”. Ishte shqetësim i madh. Sytë i mbajsha kah kapixhiku. Sa herë që hapej, pritsha mos po hyn Selveri. Një ditë, sapo u ktheva nga namazi i xhumasë, erdhi një kojshi, Ibrahim e kishte emrin; ai e kishte djalin në Zvicër e me gjasë dikah kishte marrë vesh se Selveri ka dalë jashtë dhe i kishte treguar Ibrahimit, prandaj kishte ardhur të ma bënte me dije se Selveri nuk ishte më tej në ushtri. –Të them të drejtën, u çlirova”, përfundoi episodin e rrëfimit baca Bajram.
Një ditë prej ditësh, sërish ishte përhapur lajmi se po duhet dikush me shkue dhe me e marrë Selverin. Në fakt ai kishte qenë në një strehim të siguruar nga Kryqi i Kuq, por ishte ende në Kroaci.
“Meqë unë e merrja një lloj pensioni për vëllain, Ademin, që kishte humbur jetën tragjikisht në komunikacion, transferi bankar ishte çakorduar dhe paratë nuk mundja t’i tërhiqja. Kështu, bashkë me bashkëshorten e Ademit shkuam në Zvicër. Kontaktova përmes telefonit me Selverin. Ai më tha se ishte mirë, se po u jepnin për të ngrënë e për të pirë dhe se do të rrinte edhe një kohë në Kroaci. Sapo kreva punën e transferit të parave në Zvicër, u ktheva në Kosovë. Në telefon më porositi që të mos shkoja për ta vizituar, sepse moti ishte paksa i ftohtë, por edhe situata ishte tejet e tendosur.
– “Nejse, meqë nuk qenkëshe në luftë, nuk po gajlohem fort”. Pas 4-5 ditësh që isha kthyer në shtëpi më thirri e më tha: – “eja e më merr tani”!. – Haj medet, ku të shkoj tani unë, thashë vetmeveti. Ishte kallë lufta gjithandej. Shkova në Gjilan me qëllim që ta marr një biletë dhe të nisem, që të nesërmen. Në bisedë me një mik po ia qaj hallin për planin tim. Ai kishte kontaktuar me vëllain e tij në Zvicër dhe kishte kuptuar se ai ishte nisur për në Kroaci që ta merrte Selverin. Kur u zgjova në mëngjes, vajza po më thotë: Ago, nuk ke nevojë të shkosh në Kroaci, sepse paska shkuar Saçipi, vëllai i dhëndrit, Mustafës dhe se puna ishte kryer. –Mos bre, – i thashë e u çlirova. Erdha në shtëpi dhe po i tregoj gruas sime; u gëzua edhe ajo shumë”, përkujton baca Bajram.
Mirëpo, në pamundësi të rregullimit të pasaportës së udhëtimit nuk kishte mundur të udhëtonte. Kështu, pas një jave, sërish kishte ardhur Saçipi, e kishte marrë Selverin dhe kishin shkuar në Zvicër. E kishte strehuar fillimisht në shtëpinë e vet; e kishte veshur mirë dhe pas një jave e kishte paraqitur në qendrën e azilit (kupto – refugjatëve).
Më pastaj, Selveri ishte vendosur në Bernë; kishte filluar të punonte ngapak dhe fliste shpesh me telefon, me prindërit. Ai ishte përmalluar shumë për familjarët, sidomos për prindërit. Kishte kërkuar një takim me ta, në Tiranë. Me këmbëngulje kërkonte ta shihte nënën Feride. Edhe pas shumë përpjekjesh për të rregulluar dokumentacionin për një takim të mundshëm në Tiranë, nuk kishin mundur të takoheshin. Kështu, hera e fundit e takimit të Selverit me prindër ishte 24 dhjetori i vitit 1990, dita kur Selveri ishte nisur për në shërbim ushtarak.
Në Zvicër, Selveri kishte vizituar shpesh të afërmit e tij, Nijaziun e Fetijes, pastaj kushëririn, Hevziun në Gjenevë dhe të tjerë të afërm, por më të dashurit e tij kurrë nuk arriti t’i takonte. Kjo dëshirë kishte mbetur pa u realizuar edhe nga Selveri, por edhe nga prindërit e tij, Bajrami dhe Feridja.
Prej të afërmeve Selveri më shpesh takonte Hevziun, i cili ishte i angazhuar në Universitetin Popullor Shqiptar në Gjenevë, ku jepte mësim për refugjatët e strehuar në Gjenevë. Refugjatët i nështroheshin një strukture ditore në UPSH dhe Hevziu jepte mësim nga gjuha frënge për refugjatët shqiptarë.
Hevziu e kishte vërejtur vullnetin e Selverit për të shkuar në luftë, në Kosovë. E kishte lutur që të mos shkonte, sepse ende nuk ishte shëruar mirë nga traumat e luftës në Kroaci.
Mirëpo, Selveri kishte ndarë mendjen. Përvojën luftarake të fituar në Kroaci, tashmë, donte ta praktikonte në Kosovë. I kishte vizituar, pothuajse të gjithë të afërmit që i kishte në rrethinën e Bernës dhe të Gjenevës. Bile, i kishte lutur që të mos u tregonin prindërve në Kosovë, për shkuarjen e tij në luftë. Ishte krenar se po i shkonte atdheut në mbrojtje, por kishte dhimbje për prindërit pleqë që do të mërziteshin kur të dëgjonin se djali i tyre, nga lufta në Kroaci, ka shkuar në luftën e Kosovës. Megjithatë, duke e njohur karakterin e babë Bajramit, ishte i bindur se baba do të gëzohej kur të kuptonte se djali i tij i ka shkuar në mbrojtje atdheut. Shpesh i sillej në kokë thënia e babait që e kishte dëgjuar nga atdhetarët e mëhershëm, siç ishin mixha Murat e mixha Zylfi: “trimat e mbrojnë atdheun – mos na lashtë Zoti pa djemtë tanë trima”!
Në fillim të prillit 1999, bashkë me kushëririn Nijaziun kishin shkuar te kushëriri tjetër, Hevziu në Gjenevë. Gruaja e Hevziut, madje, u kishte gatuar kërlanë. Hevizut i kishte treguar se e ka dorëzuar banesën dhe e kishte shitur veturën. Kishte blerë pajisje: armë dhe veshje ushtarake nga Zvicra. Gjatë bisedës me Hevziun i thotë: “Kushëri, pas dy dite do të nisem për në Kosovë, por mos i kallëzo askujt! Nëse të pyesin të shtëpisë, thuaju se ka shkuar në Gjermani”. Hevziu edhe njëherë kishte bërë përpjekje për ta ndaluar që të mos shkonte në luftë, por kot.
Pas dy ditësh Selveri ishte nisur, bashkë me bashkatdhetarë të tjerë, për në Durrës. Me të arritur atje vendoset në një hotel të quajtur “Drenica”. Kishte paguar 50 franga për një natë. Kishte përmendur se i ka në Durrës disa kushërinj, por i paskëshin thënë se ata janë larg nga hoteli. Sidoqoftë, më pas ai kishte shkuar te kushërinjtë dhe i kishte lënë disa rroba, mes tyre edhe një orë dore.
Radhës së luftëtarëve të Koshares i bashkëngjitet më 6 prill 1999. Pas tri javë luftimesh, më 29 prill, Selveri vritet gjatë luftimeve në një nga betejat, në front të luftës, te Rrasat e Kosharës, ku për komandant kishte Agim Ramadanin.
Baba Bajram: nuk jam hiq pishman që m’u ka vra djali jem për vatan
“Në televizor e dëgjova se ishte vra një ushtar në Koshare me mbiemër “Kryeziu”, por nuk arrita ta mësoja edhe emrin”, kishte thënë babai i Selverit, Bajram Kryeziu. Ai kishte një nip, djalin e motrës – Shaban Spahiun i cili vinte shpesh te dajat. Shabani i kishte motrat në Perëndim, dhe ato i kishin treguar për rastin e Selverit. Por, Shabani nuk kishte forcë t’i tregonte dajës për vrasjen e Selverit. “Shabani vinte përditë tek unë, më pyeste a ka diçka të re për Selverin, ndërsa unë i thoja vazhdimisht: jo, ska asgjë të re. As që më shkonte mendja të kishte ndodhur diçka e keqe. Një ditë kushëriri Ruzhdiu kishte ardhur te Nijaziu e po i thotë: dy veta janë vrarë prej Rogoçicës, dhe po më drejtohet mua: baca Bajram a ke folë ma frik me Selverin? Po bre, mirë është, kemi folur, i thashë. Në mendje më erdhi një parandjenjë e keqe. Sapo erdha në shtëpi i thashë gruas: shkova për në Gjilan që të kuptoj diçka për Selverin. Shpejt shkova në Katushnicë. Aty shpesh priste udhëtarët e rastit vëllai im taksist, Zijahu, që t’i voziste për në Gjilan. I tregova Zijahut për lajmin që ma dha Ruzhdiu. Edhe ai e mori me shumë shqetësim këtë lajm. U nisëm bashkë për në Gjilan, te dhëndri – Mustafa, ngase ai kishte lidhje me UÇK-në. Nuk kishte qenë në shtëpi, por shpejt erdhi. – O Mustafë, dy persona nga Rogoçica janë të vrarë në luftë. Ka ardhë një haber se njani është Selveri.
Edhe Mustafa e kishte ditur, por iu shmang pyetjes sime. – O aga Bajram, më tha, mundet me qenë Selveri, por unë sot në orën gjashtë të mbrëmjes e marrë vesh dhe të tregoj nesër. Shko ti në shtëpi e unë nesër vij e të tregoj. – Jo, nuk po shkoj i thashë – po pres këtu deri në orën gjashtë. Ti, vëlla Zijah, shko në shtëpi, sepse unë po pres deri në mbrëmje që të marr vesh. Mirëpo edhe Zijahu insistoi që të shkoja me atë në shtëpi.
Nejse, shkova në shtëpi, por mendjen vazhdimisht e kisha te Selveri. Ora më bëhej sa një ditë. Jemi ulur me gruan në kanape dhe po shikojmë kah dritarja ku shihej oborri deri te kapixhiku. Nuk po nxirrnim asnjë zë. Kah ora gjashtë e pasdites gruaja më tha se në oborr erdhi Zijaverja dhe po qanë. – E dita, sepse e kisha parandjerë. I thashë: – po bre plakë, Selveri ka vdekë; u vra në luftë, i thashë, por ti qëndro dhe banu e fortë se s’kemi çka me ba. Është dashur dikush me shkue për vatan.
Në ato momente, seç më erdhi një forcë. Mustafa me babën e tij e me çikën time erdhën e ma ngjitën për krahu që të më jepnin gajret. Atëherë, unë u thashë: – atje ishte luftë, atje luftohej për çdo ditë. Unë kam pasur frikë që prej familjes tonë s’po shkon askush në luftë! Kujtova se prej fshatit tonë askush nuk po shkon në luftë, e na kap marrja. Kur mora vesh, pasha Zotin m’u pat marue qejfi, më besoni se m’u pat marue qejfi; nuk jam hiq pishman që m’u ka vra djali jem. S’ke çka bën. Edhe e ka pasur vdekjen aty, por edhe ka qenë i vendosur. Ka pasur aty me dhanë shpirtin. Ishalla ka shkue në atë vendin ku duhet.
Një orë dore dhe dy pako cigaresh, njëra ishte gjakosur kur ishte vrarë Selveri, kishin mbetur suvenire kujtimi për prindërit: xha Bajramin dhe nënë Feriden dhe, natyrisht, krenaria për luftëtarin Selver që do të kujtohet gjithmonë gjeneratë pas gjenerate./Xhevdet Kallaba
(Artikull i sajuar nga intervista me Bajram Kryeziun, më 23 gusht 2012 realizuar nga Xhevdet Kallaba e Shefik Sadiku)
.
- Advertisement -
- Advertisement -