17.5 C
Kosovo
30/08/2026

FAIK KRYEZIU – PIKTORI QË E BARTI ROGANËN NË KRIJIMTARINË E TIJ

Arkivi

Ka artistë që largohen nga vendlindja, por vendlindja nuk largohet kurrë prej tyre. Faik Kryeziu ishte njëri prej tyre. Nga Rogana mori me vete kujtimet e fëmijërisë, portat e vjetra prej druri, oxhakun e shtëpisë, sofrën, rrugicat, fytyrat e njerëzve, mallin dhe pritjen. Mbi të gjitha, mori figurën e gjyshes që e rriti dhe që, si një kujtim i pashlyeshëm, duket se mbeti pjesë e botës së tij shpirtërore e artistike. Kështu, nga Rogana në Pejë e Shkup, nga kujtesa e fëmijërisë te drama shoqërore – jeta dhe krijimtaria e piktorit dhe pedagogut Faik F. Kryeziu

Nga Xhevdet Kallaba

Faik Kryeziu, i lindur më 1 gusht 1950 në Roganë të Kamenicës dhe i ndarë nga jeta më 4 maj 2005, ishte piktor dhe pedagog i artit figurativ, njëri nga krijuesit që i përkasin brezit të hershëm të artistëve shqiptarë të afirmuar në Maqedoni. I formuar artistikisht në Pejë e Shkup, ai një pjesë të madhe të jetës e kaloi në kryeqytetin maqedonas, por vendlindjen nuk e la pas. Rogana, shtëpia e vjetër, familja, kurbeti, pritja, malli dhe jeta tradicionale mbetën pjesë e pandashme e botës së tij krijuese.

Në këtë kuptim, Faik Kryeziu është një nga ata krijues që vendlindjen nuk e bartin vetëm në kujtesë, por e shndërrojnë atë në gjuhë artistike.

Fëmijëria e vështirë dhe hapat e parë drejt artit

Faik Kryeziu u lind më 1 gusht 1950 në Roganë. Që në fëmijëri mbeti pa prindër. Për rritjen dhe edukimin e tij u kujdesën xhaxhallarët, ndërsa një rol të veçantë në jetën e tij pati gjyshja Vaidja (13.8.1902 – ?), e cila, sipas kujtimeve të ruajtura për të, e donte dhe e përkujdeste me përkushtim të jashtëzakonshëm.

Dëshira për shkollim iu shfaq që në moshë shumë të hershme. Thuhet se vetëm pesë vjeç kishte dashur të ulej në bankat e shkollës, por mësuesi e kishte këshilluar që të priste edhe një vit. Shkollën fillore e kreu në Roganë më 1965. Prirja e tij për vizatim dhe art figurativ u bë përcaktuese për rrugën e mëtejshme. Në vitin 1969 përfundoi Shkollën e Mesme të Artit Figurativ në Pejë, ku ishte nxënës i profesorëve Xhevdet Xhafa dhe Sveto Kamenoviq.

Pas përfundimit të shkollës së mesme u kthye në vendlindje dhe për një vit punoi në shkollën e Roganës. Megjithatë, dëshira për ta thelluar dijen dhe mjeshtërinë artistike e çoi në Shkup, ku regjistroi Akademinë Pedagogjike – Degën e Artit Figurativ. Studimet i përfundoi më 1973, si student i dalluar.

Mbi 28 vjet pedagog i artit figurativ në Shkup

Pas diplomimit, Faik Kryeziu u vendos në Shkup, ku e ndërtoi jetën e tij profesionale dhe familjare. U punësua si pedagog i artit figurativ në Shkollën Fillore “Liria”, ku punoi për më shumë se 28 vjet.

Në këtë mënyrë, veprimtaria e tij u zhvillua paralelisht në dy fusha: si krijues dhe si pedagog. Përmes punës në arsim ndikoi në formimin estetik dhe artistik të shumë brezave të nxënësve, ndërsa jashtë klasës vazhdoi të pikturonte, të ekspozonte dhe të ishte pjesë aktive e jetës figurative të Shkupit dhe më gjerë.

Prania e tij në jetën profesionale të pedagogëve të artit dëshmohet edhe nga pjesëmarrja, më 25 maj 1998, në ekspozitën kolektive të pedagogëve të artit figurativ të Republikës së Maqedonisë, të organizuar në Qendrën Kulturore-Informative në Shkup.

Ekspozitën e parë e hapi vetëm 19 vjeç

Veprimtaria ekspozuese e Faik Kryeziut nisi herët. Ekspozitën e parë individuale e hapi në Pejë më 1969, në të njëjtin vit kur përfundoi shkollën e mesme artistike. Ishte vetëm 19 vjeç. Një vit më vonë, më 1970, ekspozoi në Roganë, duke e kthyer artin e tij në vendin prej nga kishte nisur rrugëtimin. Më pas hapi ekspozita individuale në Bihaq më 1973, në Pula më 1974 dhe në Shkup më 1986. Gjatë krijimtarisë së tij realizoi së paku pesë ekspozita individuale.

Edhe më e gjerë ishte pjesëmarrja në ekspozitat kolektive. Sipas shënimeve biografike, ai mori pjesë mbi 50 herë në ekspozita të përbashkëta në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri dhe në qytete të ndryshme të republikave të ish-Jugosllavisë.

Në studimet kushtuar historisë së artit figurativ shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Faik Kryeziu përfshihet në brezin e parë të artistëve shqiptarë të periudhës 1958–1990, së bashku me emra të njohur të artit figurativ shqiptar si Adem Kastrati, Omer Kaleshi, Meli Zenku, Sabit Bocku, Bedri Saraçini e të tjerë.

Rogana – vendlindje, kujtesë dhe motiv

Një nga tiparet më të dallueshme të krijimtarisë së Faik Kryeziut është lidhja e fuqishme me vendlindjen. Titujt e veprave të tij flasin vetë: “Sofra e braktisur”, “Oxhaku”, “Magjetorja”, “Mullisi”, “Farkëtari”, “Malli”, “Pritja”, “Letër nga kurbeti”, “Babai”, “Gjyshja”. Në këta tituj shfaqet thuajse e gjithë bota e një familjeje dhe e një fshati shqiptar: sofra, vatra, magjja, puna, familja, largimi, malli dhe pritja.

Edhe pikturat e ruajtura e bëjnë këtë lidhje të dukshme. Në to përsëriten mure të vjetra, porta druri, dritare të hapura, oborre, peizazhe fshati, ambiente të brendshme dhe figura njerëzore të zhytura në mendime. Këto elemente nuk janë vetëm dekor. Ato funksionojnë si bartëse të kujtesës.

Në njërën nga pikturat e vitit 1994 paraqitet një grua e moshuar, me shami të bardhë, e ulur pranë një porte të vjetër prej druri. Qetësia e figurës, muri i dëmtuar dhe porta e konsumuar nga koha krijojnë një atmosferë të veçantë vetmie, pritjeje dhe kujtese.

Në një punim tjetër, të vitit 1993, një dritare e hapur krijon kalimin nga brendësia e shtëpisë drejt peizazhit. Në prag janë vendosur zogj të zinj, ndërsa përtej tyre shihet një rrugë që humbet në horizont. Kompozimi mund të lexohet si metaforë e largimit dhe kthimit, e ikjes dhe pritjes – tema që lidhen natyrshëm me përvojën e kurbetit.

Njeriu e bart vendlindjen brenda vetes

Ndër punimet më interesante është një kompozim ku profili i një gruaje shndërrohet njëkohësisht në peizazh, shtëpi dhe hapësirë familjare. Brenda siluetës së saj shfaqen rruga, pemët, shtëpia dhe një skenë intime e jetës së përditshme. Është një figuracion që përmbledh në mënyrë të fuqishme idenë se vendlindja nuk është vetëm hapësirë gjeografike. Ajo mund të bëhet pjesë e vetë njeriut. Te Kryeziu, njeriu mund të largohet nga vendi, por vendi vazhdon të jetojë brenda tij. Kjo është ndoshta edhe një nga çelësat për ta lexuar krijimtarinë e Faik Kryeziut.

Nga motivi familjar te drama shoqërore

Megjithatë, krijimtaria e tij nuk kufizohet vetëm te nostalgjia për shtëpinë dhe vendlindjen. Tituj si “Dashuria e thyer”, “Apart(e)idi”, “Autobiografia”, “Tragjedia e femrës kosovare”, “Vdekja e bardhë” dhe “Trëndafili i bardhë” tregojnë se Faik Kryeziu ishte i interesuar edhe për dramën njerëzore, pozitën e gruas, dukuritë sociale dhe tensionet e kohës.

Në disa nga pikturat e tij të viteve ’80 dhe ’90 figurat njerëzore dalin më të stilizuara. Shfaqen gra me fytyra të zbehta, zogj të zinj, mure të çara dhe forma të ndërthurura, duke krijuar një gjuhë më simbolike e më dramatike.

Një kompozim i vitit 1985 paraqet tri figura femërore, një zog të zi dhe shënimin “1981–198?”. Pa pasur titullin dhe interpretimin e vetë autorit, nuk është e udhës t’i japim një shpjegim përfundimtar, por atmosfera e veprës dëshmon qartë për shqetësimin e piktorit ndaj një realiteti që tejkalon përvojën thjesht personale.

Kështu, arti i tij lëviz ndërmjet dy poleve: kujtesës personale e familjare dhe dramës shoqërore e historike.

Piktura që përfunduan edhe te personalitete ndërkombëtare

Disa nga veprat e Faik Kryeziut kanë kaluar edhe përtej hapësirës shqiptare. Sipas shënimeve biografike, pikturat “Sofra e braktisur” dhe “Fllaniku” iu dhuruan diplomatit amerikan Christopher Hill gjatë veprimtarisë së tij në Maqedoni. Po sipas këtyre të dhënave, vepra “Oxhaku” iu dhurua një përfaqësueseje të Universitetit të Oslos. Emri dhe funksioni i saj i saktë mbeten për t’u verifikuar dokumentarisht. Këto raste tregojnë se vepra e Kryeziut kishte dalë edhe jashtë qarqeve lokale e kombëtare.

Pjesë e jetës artistike shqiptare

Faik Kryeziu ishte anëtar i SHAF “Spektri” në Shkup, i Shoqatës së Pedagogëve të Artit Figurativ të Maqedonisë, i Shoqatës Kombëtare të Krijuesve Figurativë në Tiranë dhe i SHAF-it të Gjilanit. Kjo veprimtari, krahas ekspozitave të shumta, dëshmon se ai ishte pjesë aktive e komunikimit kulturor ndërmjet artistëve shqiptarë në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri.

I pranishëm edhe në jetën kulturore të Roganës

Ndonëse jetonte dhe punonte në Shkup, Faik Kryeziu nuk e humbi lidhjen me Roganën dhe me njerëzit e saj. Një fotografi e ruajtur nga vitet ’90 e paraqet atë në një manifestim të intelektualëve të Roganës, mes bashkëvendësve të vet. Fotografia është një dëshmi e vlefshme jo vetëm për biografinë e piktorit, por edhe për vazhdimësinë e lidhjes së tij me jetën kulturore dhe intelektuale të vendlindjes. Në këtë kuptim, Faiku nuk ishte thjesht një artist me prejardhje nga Rogana. Ai mbeti pjesë e saj.

Jetën familjare Faik Kryeziu e ndërtoi në Shkup. Bashkëshortja e tij ishte arsimtare e kulturës muzikore. Ata kishin dy vajza dhe një djalë, të cilët gjithashtu kishin afërsi me kulturën dhe artin. Edhe ky mjedis familjar duket se ishte në harmoni me jetën profesionale të një njeriu që për dekada të tëra punoi me artin dhe me edukimin artistik.

Trashëgimia

Faik Kryeziu ndërroi jetë më 4 maj 2005, në moshën 54-vjeçare, vetëm pak muaj para ditëlindjes së tij të 55-të. Por trashëgimia që la pas nuk matet vetëm me pesë ekspozitat individuale, me mbi 50 paraqitjet kolektive apo me dekadat e punës pedagogjike. Ajo ruhet në pikturat e tij. Në to ende qëndrojnë porta e vjetër, dritarja, oxhaku, sofra, rruga e fshatit, gruaja me shami të bardhë (gjyshja), zogjtë që presin apo nisen, malli për shtëpinë dhe drama e njeriut që jeton ndërmjet kujtesës dhe ndryshimit.

Për Roganën, figura e Faik Kryeziut ka edhe një peshë tjetër. Shkolla e këtij fshati nxori dy emra që lanë gjurmë në artin figurativ shqiptar – Adem Kastratin (nga Karaçeva) dhe roganasin Faik Kryeziun. Secili ndoqi rrugën e vet krijuese, por të dy e morën me vete botën e vendlindjes.

Faik Kryeziu e ndërtoi jetën në Shkup por Roganën e mbajti në penel.

Dhe, ndoshta, pikërisht aty qëndron një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së tij: ai nuk e pikturoi Roganën vetëm si vend – e pikturoi si kujtesë.

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja