19.4 C
Kosovo
03/08/2026

ECIM PËR PETRITIN – NJË ECJE ME DEDIKIM

Arkivi

Në orën 9:00 të mëngjesit të 1 gushtit 2026, te vendi i njohur si “Fungishta”, mbi fshatin Roganë (Rogaçicë), nisën të mblidheshin dhjetëra qytetarë të moshave të ndryshme. Të rinj e të reja, por edhe të moshuar, ishin bërë bashkë për një ecje të veçantë përkujtimore, të organizuar nën moton “Ecim për Petritin”.

Nga Xhedvet Kallaba

Ky aktivitet u organizua nga Komuna e Kamenicës në kuadër të manifestimit “Kamenica Summer Fest”, si një homazh për prof. Petrit Kallabën, i cili u nda nga jeta më 15 korrik 2026. Për të gjithë pjesëmarrësit organizatori kishte përgatitur fanella me mbishkrimin “Ecim për Petritin”, të shoqëruara me fotoportretin e tij, si dhe ushqime e pije përgjatë aktivitetit.

Në këtë ecje mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Kamenicës, z. Kadri Rahimaj, i cili, me praninë e tij, nderoi kujtimin e Petritit dhe mbështeti këtë iniciativë përkujtimore.

Ecja ishte e mbushur me emocione, por edhe me krenari. Ajo nuk ishte vetëm një aktivitet rekreativ, por një homazh për njeriun që për vite me radhë kishte përshkuar çdo ditë këtë shteg, duke e kthyer atë në pjesë të pandashme të jetës së tij. Çdo hap i pjesëmarrësve dukej sikur rikthente kujtimet e Petritit dhe dashurinë e tij të veçantë për natyrën, malin dhe ecjen.

Kësaj ngjarjeje iu bashkuan edhe familjarët e Petritit. Gjatë një ndalese, babai i tij, publicisti Xhevdet Kallaba, shprehu mirënjohjen për kryetarin Kadri Rahimaj, për organizatorët dhe për të gjithë pjesëmarrësit që me praninë e tyre e bënë këtë ecje një akt të bukur kujtese dhe respekti.

Në shenjë falënderimi dhe i prekur nga emocionet e momentit, ai recitoi para të pranishmëve poezinë kushtuar kësaj ecjeje, me titull «Në shtegun e Petritit».

NË SHTEGUN E PETRITIT

Një ecje me emër,

Për Petritin, me zemër.

Në shoqërim të babës e nanës,

Në shtegun e dashur të Roganës.

Të rinj e të reja, bashkë dhe me Yllkën,

Takohen në Fungishta,

Drejt shtegut marshojnë,

Në çdo hap Petritin kujtojnë.

Me hapa të ngadaltë,

Gjurmët e tij përshkojnë;

Në zemër kujtime të reja,

Shtegun e Roganës e nderojnë.

Shtegu i Petritit – emër i ri,

Bashkon Roganën e mbarë këtë nahí.

Të rinj e të moshuar ecin e vrapojnë,

Me krenari Petritin përherë kujtojnë.

Si sot, para një viti, alpinët marshuan,

Në këtë shteg me dashuri ecën e u bashkuan.

Në ditën e parë të gushtit të sivjetshëm,

Kujtimi për Petritin bëhet i përjetshëm.

Nuk është veç shteg në mal e në gur,

Por udhë e kujtesës që mbetet përherë.

Sa herë mbi këto shtigje hapat do të jehojnë,

Emrin e Petritit me nder do ta kujtojnë.

Brezat që do vijnë këtë shteg do ta ndjekin,

Me dashuri e respekt emrin do ta thërrasin.

Sepse njerëzit ikin, por veprat nuk treten –

Në Shtegun e Petritit kujtimet mbeten.

Ky aktivitet dëshmoi se kujtimi për Petrit Kallabën jeton jo vetëm në zemrat e familjarëve dhe miqve të tij, por edhe në komunitetin që e njohu, e vlerësoi dhe vazhdon ta kujtojë me respekt. Ecja në shtegun që tashmë mban emrin e tij ishte një dëshmi se njerëzit mund të largohen fizikisht, por gjurmët e tyre mbeten të pashlyeshme në vendet dhe në zemrat ku kanë lënë dashurinë, punën dhe shembullin e tyre.

Me këtë rast po japim edhe një biografi të zgjeruar për prof. Petritin.

Petrit Xhevdet Kallaba – jetëshkrim

Petrit Xh. Kallaba lindi më 12 shtator 1987 në Roganë të Dardanës (Kamenicë). Ai rridhte nga një familje me traditë të gjatë intelektuale dhe atdhetare, e ndërtuar ndër katër breza. Prindërit e tij, Nexhmije dhe Xhevdet Kallaba, u angazhuan me përkushtim në jetën shoqërore, politike dhe kulturore të vendit. Nexhmija ishte pjesëmarrëse aktive në zhvillimet politike të Dardanës (Kamenicës) dhe më gjerë, ndërsa Xhevdeti është autor i qindra artikujve publicistikë dhe gazetareskë, si dhe i një vargu librash me karakter dokumentar, duke dhënë një kontribut të çmuar në dokumentimin e historisë dhe jetës shoqërore të Anamoravës e më gjerë.

Arsimin fillor e kreu në vendlindje gjatë viteve 1994–2002, ndërsa arsimin e mesëm në Roganë në periudhën 2002–2006. Më pas vazhdoi studimet në Universitetin e Prishtinës, ku përfundoi studimet themelore katërvjeçare në Programin e Teknologjisë Informatike, duke fituar gradën Bachelor i Teknologjisë Informatike. Në vitin 2018 vijoi studimet master në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në drejtimin Master i Mësimdhënies Lëndore me specializim në Teknologji dhe Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit (TIK).

Karrierën profesionale e nisi si mësimdhënës në Shkollën e Mesme “Ismail Qemali” në Dardanë, ndërsa më pas vazhdoi punën në Shkollën e Mesme të Lartë Mikse “Sejdi Kryeziu” në Roganë, ku, përveç mësimdhënies së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, ishte përgjegjës për mirëmbajtjen e kabinetit të TIK-ut, administrimin e rrjeteve sociale dhe të faqes zyrtare të shkollës.

Nga viti 2020 deri në prill të vitit 2025 ishte pjesë e stafit të Shkollës Jopublike “Mileniumi i Tretë” në Prishtinë. Gjatë kësaj periudhe u dallua për metodologjinë bashkëkohore të mësimdhënies, integrimin e teknologjisë në procesin mësimor dhe mentorimin e nxënësve në gara të ndryshme të robotikës dhe programimit. Nën udhëheqjen e tij, ekipet e nxënësve morën pjesë me sukses në garën Kosova Makers League Open, të organizuar me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Fondacionit BONEVET dhe Gjirafa50. Për këtë kontribut u nderua me certifikata dhe mirënjohje si mentor i dalluar në promovimin e edukimit STEM dhe përdorimit të gjuhës programuese Scratch dhe robotëve edukativë micro Plus.

Një nga arritjet më të rëndësishme profesionale të tij ishte pjesëmarrja në programin rajonal Superschools, në kuadër të RYCO-së, gjatë vitit 2023. Si Superteacher, Petrit Kallaba koordinoi programe shkëmbimi ndërmjet shkollave të Ballkanit Perëndimor, duke zhvilluar kompetenca në menaxhimin e projekteve, dialogun ndërkulturor, ndërtimin e paqes dhe bashkëpunimin rajonal. Kontributi i tij u vlerësua zyrtarisht nga drejtuesit e programit, të cilët theksuan profesionalizmin, përkushtimin dhe ndikimin e tij në krijimin e përvojave transformuese për nxënësit.

Përgjatë karrierës së tij, Petrit Kallaba ka qenë pjesëmarrës aktiv në një numër të madh trajnimesh profesionale të organizuara nga Ministria e Arsimit, organizata vendore dhe institucione ndërkombëtare. Fushat e zhvillimit profesional përfshijnë zbatimin e kurrikulës së re, orientimin në karrierë, udhëheqjen arsimore, mësimdhënien digjitale, zhvillimin e planeve të biznesit, përdorimin e teknologjisë në mësimdhënie, trajnimin e trajnerëve dhe diplomacinë publike. Gjithashtu, ai ishte bashkëpunëtor i Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në hartimin e materialeve testuese për lëndën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit për arsimin e mesëm.

Veprimtaria e tij profesionale është shoqëruar edhe me angazhime të rëndësishme ndërkombëtare. Në vitin 2010 mori pjesë në Takimin Ndërkombëtar Rinor për Humanitetin dhe Paqen në Heiden të Zvicrës, ku ndoqi punëtorinë “Të Drejtat e Fëmijëve”, të organizuar nga Fondacioni Pestalozzi dhe Kryqi i Kuq Zviceran. Në vitin 2012 ishte pjesëmarrës në kampin ndërkombëtar HerziCamp “Voices” në Helsinki, të organizuar nga Kryqi i Kuq Finlandez, ku kontribuoi në promovimin e barazisë, përfshirjes sociale dhe dialogut ndërkulturor. Këto përvoja pasqyrojnë interesimin e tij të hershëm për të drejtat e njeriut, humanizmin dhe edukimin qytetar.

Përveç arsimit, Petrit Kallaba zhvilloi aktivitet edhe në fushën e teknologjisë kreative, duke themeluar në vitin 2014 studion K-Produktion, ku ushtroi veprimtari si videomontazher, kameraman dhe dizajner. Njohuritë e tij të avancuara në teknologjinë informative, komunikimin digjital dhe prodhimin multimedial u shfrytëzuan si në arsimin formal, ashtu edhe në projekte të ndryshme profesionale. Ai njihej si njohës shumë i mirë i teknologjive informative, i pajisjeve audiovizuale dhe i Kurrikulës Bërthamë të Kosovës, ndërsa karakterizohej nga aftësi të spikatura organizative, qetësi, durim dhe bashkëpunim i ngushtë me nxënësit dhe kolegët.

Jashtë profesionit, Petrit Kallaba ishte i angazhuar në sport, veçanërisht në atletikë, alpinizëm, çiklizëm dhe skitari. Si anëtar i Klubit Alpin “Rogana”, ai realizoi ngjitje në shumë nga majat më të njohura të Ballkanit dhe ndërmori ekspedita të gjata me biçikletë, duke dëshmuar disiplinë, përkushtim dhe dashuri për natyrën. Po ashtu ishte anëtar aktiv i Kryqit të Kuq të Kosovës, duke kontribuuar në aktivitete humanitare dhe komunitare.

Në vitin 2025, pas një periudhe të suksesshme në Prishtinë, vendosi të rikthehej në Dardanë me synimin për të dhënë kontribut në zhvillimin e arsimit në vendlindje. Ky rikthim u mirëprit nga institucionet komunale dhe kolegët e tij, të cilët e vlerësuan lartë profesionalizmin dhe përvojën e fituar. Megjithatë, një sëmundje e rëndë neurologjike, e shfaqur papritur në shtator të vitit 2025, ndërpreu një karrierë të pasur, të ndërtuar mbi përkushtimin ndaj arsimit, zhvillimit profesional dhe shërbimit ndaj komunitetit.

Figura e Petrit Kallabës përfaqëson modelin e mësimdhënësit bashkëkohor, i cili bashkon kompetencën profesionale, inovacionin pedagogjik, angazhimin qytetar dhe vlerat humane. Kontributi i tij në arsimin kosovar, në edukimin teknologjik të të rinjve dhe në projektet ndërkombëtare të bashkëpunimit arsimor mbetet një dëshmi e përkushtimit të tij ndaj dijes, zhvillimit dhe shoqërisë.

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja