«SI NJË ËNDËRR» – POEZIA SI DËSHMI KUJTESE
Sot u nderova nga shkrimtari dhe publicisti Sulejman Dërmaku me dy libra të tij autorialë: vëllimin poetik me elegji “Si një ëndërr”, kushtuar djalit të tij Mentorit, dhe librin “Libri në pasqyrë – Reflekse”, ku janë përfshirë 44 shkrime e recensione të autorit për veprat e të tjerëve, por edhe vlerësime të autorëve të ndryshëm për krijimtarinë e tij.
Nga Xhevdet Kallaba
Ajo që më nxiti t’i rrekem menjëherë leximit ishte vëllimi poetik me elegji, dedikuar Mentorit (1.12.1973 – 1.8.1993), i cili u nda fizikisht nga kjo botë në moshën 20-vjeçare, por që vazhdon të jetojë në zemrën dhe shpirtin e prindërve, e jo vetëm. Këtë vëllim e lexova po sot, duke e bashkëndjerë dhembjen prindërore së bashku me autorin/babain/Sulën. Prandaj, pas këtij leximi, po jap këtë vlerësim ngushëllues.
Humbja e një fëmije është plagë që koha nuk e shëron, por që njeriu mëson ta mbajë me dinjitet, në heshtje, në lutje dhe, në rastin e rrallë të Sulejman Dërmakut, në vargun poetik. Humbja fizike e Mentorit, në moshën e tij më të bukur, mbetet një dhembje e pamatshme, por njëkohësisht është shndërruar në një prani të përhershme shpirtërore që tash e tri dekada jeton përmes fjalës së shkruar.
Vëllimi “Si një ëndërr” nuk është thjesht një libër poezie; ai është dëshmi intime e një babai që ka zgjedhur ta përballë mungesën jo me harresë, por me kujtesë të ndriçuar nga dashuria. Në këto vargje, Mentori nuk është vetëm një emër i gdhendur në kujtim, por një prani që rikthehet vazhdimisht, në data simbolike – ditëlindje e ditë shkuarjeje në amshim – dhe jashtë tyre, kur malli bëhet më i heshtur e më i thellë.
Kthimi i autorit te vargu poetik pikërisht në këto data, si dhe përtej tyre, dëshmon për një dialog të pandërprerë shpirtëror mes babait dhe djalit. Poezitë pa datë, në këtë kontekst, sikur dëshmojnë se dhimbja nuk njeh kalendar dhe se malli nuk lidhet vetëm me përvjetorë, por me çdo rrahje zemre.
Në këtë bashkëjetesë përmes poezisë, Sulejman Dërmaku arrin jo vetëm ta shprehë dhembjen, por edhe ta disiplinojë atë, duke pranuar realitetin e pamëshirshëm që e artikulon qartë në vargun domethënës: “Jeta s’të pyetka.” Ky pranim nuk është dorëzim, por mençuri e fituar përmes vuajtjes.
Libri “Si një ëndërr” është dëshmi se jeta, vërtet, i ngjan një ëndrre – herë të bukur, herë të hidhur – dhe se humbja e një fëmije e kthen atë në përjetim të rëndë, por jo të pamundur për t’u mbajtur me dinjitet. Pikërisht këtu qëndron madhështia njerëzore dhe krijuese e autorit: në aftësinë për ta shndërruar dhimbjen në fjalë që ngushëllon, jo vetëm veten, por edhe të tjerët.
Ngushëllimet e mia për Sulejman Dërmakun nuk janë vetëm fjalë formale, por një përkulje e sinqertë para forcës së tij prindërore dhe shpirtërore. I uroj që vargu poetik të mbetet ura e përhershme e bashkëjetesës me Mentorin dhe dëshmi se dashuria prindërore nuk njeh fund, as kur jeta ndalet padrejtësisht.
- Advertisement -
- Advertisement -