-1.5 C
Kosovo
31/12/2025

“‘Enciklopedia Imagjinare’ e Bajram Kosumit përurohet në Dardanë: Festë fjale, kujtese dhe reflektimi letrar”

Arkivi

Më 26 nëntor 2025, në vigjilje të 28 Nëntorit – Festës së Flamurit, në ambientet e Bibliotekës së qytetit të Dardanës/Kamenicës u mbajt përurimi i veprës letrare Enciklopedia Imagjinare e Prof. dr. Bajram Kosumit. Ndonëse libri u botua dhe u promovua për herë të parë më 13 shkurt 2023 në Prishtinë, kësaj radhe atmosfera në Dardanë u ngjall me pjesëmarrjen e krijuesve, dashamirësve të librit, profesorëve dhe nxënësve nga Dardana, Gjilani, Vitia, Bujanoci e më gjerë.

Nga Xhevdet Kallaba

 

Manifestimin e moderoi me profesionalizëm profesoresha Donijeta Kryeziu nga Rogana. Pjesëmarrësve dhe autorit iu drejtua me një fjalë përshëndetëse kryetari i Komunës së Dardanës/Kamenicës, z. Kadri Rahimaj, i cili vlerësoi lart figurën e Profesorit dhe krijimtarinë e tij të gjatë e të çmuar.

Siç është bërë tashmë e ditur nga përurimet në Prishtinë e Tiranë, Enciklopedia Imagjinare përfaqëson një zhanër të veçantë letrar – të mbiquajtur postroman, i cili është mirëpritur në qarqet letrare shqipe. Autori Bajram Kosumi ka punuar mbi 40 vjet për këtë projekt letrar të veçantë, duke e mbështetur të gjithë konceptin e tij mbi idenë: “Një fjalë – sa njëqind faqe libri.” Ai ka kërkuar fjalë, shprehje a frazeologji që mbartin në vetvete fuqi të madhe kuptimore, si “arrë”, “katran”, “paga e shqiptarit” e të tjera.

Ideja për këtë libër i ishte lindur gjatë viteve të burgut në Nish, ku Kosumi ishte përballur me vështirësi, izolim dhe ankth. Në ato rrethana ai kishte filluar të thellohej në kuptimin e fjalës, duke e kërkuar në të një dritë kuptimore që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës së tij. Enciklopedia Imagjinare është pikërisht një reflektim i atyre përvojave të rënda dhe një dëshmi e fuqisë së fjalës për të sfiduar realitetin.

Në promovim folën me respekt e admirim prof. dr. Merxhan Avdyli, shkrimtari Mehmetali Rexhepi dhe krijuesi Nexhat Rexha. Ata vlerësuan kontributin e Kosumit në letërsinë shqipe dhe e përshkruan librin si një vepër që e tejkalon formën klasike të fjalorëve letrarë, duke e ngritur ndërtimin artistik të fjalës në një nivel të ri. Profesor Avdyli, bashkëvuajtës i burgut me Kosumin, theksoi se letërsia shqipe tashmë ka në fondin e saj edhe “Librin e Kosumit” – një postroman që ndërtohet mbi skica, sprova, tregime e refleksione të thella.

Autori Bajram Kosumi i ftoi të pranishmit ta lexojnë librin në mënyrë jolineare, të hapin cilëndo faqe dhe të nisin udhëtimin letrar aty ku i thërret fjala. Çdo faqe, u shpreh ai, ofron diçka që e nxit lexuesin drejt një reflektimi të ri.

Pjesë e aktivitetit ishte edhe bashkëbisedimi i nxënësve të shkollave të mesme të komunës së Dardanës me autorin, të shoqëruar nga profesorët e tyre, si prof. Bekim Rrudhani e prof. Donjeta Kryeziu. Nxënësit Harisa Kryeziu, Anduena Rrudhani, Said Suliqi dhe Fehmi Kryeziu u angazhuan me pyetje për letërsinë dhe procesin krijues, si dhe deklamuan pjesë nga vepra Enciklopedia Imagjinare.

Një evokim të veçantë solli z. Enver Dugolli, bashkëvuajtës i burgut me Kosumin. Ai rrëfeu momentin kur, pas daljes nga burgu, kishte vizituar familjen Kosumi në fshatin Koretin të Dardanës – vizitë që fillimisht ishte pritur me rezervë, deri sa familjarët kishin kuptuar se ajo vinte nga zemra dhe jo si porosi e organeve shtetërore të kohës. Ky rrëfim emocional e shtoi më shumë peshën shpirtërore të ditës.

Takimi u përmbyll me një foto të përbashkët përkujtimore dhe një drekë për mysafirët, të sponsorizuar nga Vëllezërit Borovci, mbështetës të rregullt të aktiviteteve kulturore të klubit letrar “Nositi” të Kamenicës/Dardanës.

Enciklopedia Imagjinare e Bajram Kosumit mbetet një vepër që sfidon, frymëzon dhe hap shtigje të reja interpretimi. Ajo është një testament i fuqisë së fjalës, një thesar i letërsisë shqipe që, pa dyshim, do të vlerësohet për shumë vite.

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja