7.5 C
Kosovo
07/11/2025

Një pasqyrë satirike për realitetin tonë të hidhur

Arkivi

Një pasqyrë satirike për realitetin tonë të hidhur

Shënime rreth librit ‚Kur do të kuptosh‘ të autorit Sulejman Dërmaku

Ditë më parë autori Sulejman Dërmaku ma dhuroi me dedikim librin e tij të radhës “Kur do të kuptosh”. Pasi e lexova me vëmendje, vendosa që pjesën dërrmuese të përmbajtjes, shkurtazi, ta ndaj edhe me lexuesit e portalit “Inforogana.com”.

Në librin me titull domethënës «Kur do të kuptosh?», autori Sulejman Dërmaku sjell një përmbledhje të goditur prej tetëmbëdhjetë tregimesh satirike që synojnë ta zgjojnë ndërgjegjen shoqërore dhe të nxisin reflektim kritik ndaj sjelljeve, dukurive dhe deformimeve që na kanë përndjekur sidomos gjatë çerekshekullit të fundit.

Kryepersonazhi i këtyre tregimeve është Dudi – një figurë simbolike që mishëron qytetarin e zakonshëm, por që herë është viktimë e rrethanave dhe herë pjesë e padrejtësive. Nëpërmjet tij, autori lëshon kritika të mprehta ndaj përdhosjes së gjuhës shqipe, papërgjegjësisë politike, interesave të huaja që u kamufluan si ndihmë ndërkombëtare dhe ndaj degradimit të vlerave kombëtare.

Dërmaku ironizon “ndihmën” e disa punonjëse joprofesionistë të UNMIK-ut dhe misioneve të OKB-së që, sipas tij, më shumë u interesuan për përfitime materiale sesa për ndërtimin e institucioneve. Në këtë përfitim u përfshinë edhe shumë “tanët”, të cilët nga njerëz pa mjete, u shndërruan në milionerë të kapardisur në xhipa të zinj. Autori kujton me mjeshtëri vargjet e Ali Asllanit nga poema Hakërrim:
Hani, pini dhe rrëmbeni,/ mbushni xhepe, mbushni arka,/të pabrekë ju gjeti dreka,/ milionerë ju gjeti darka!

Në mënyrë të përsëritur, autori ngre shqetësimin për përdhosjen e gjuhës shqipe: nga mbishkrimet e gabuara si “Mirësevini” në vend të “Mirë se vini”, tek degradimi i të folurit nga vetë intelektualët. Satira “Du me fol gjuhen e nonës tem” është një thumbim ndaj atyre që me vetëdije mohojnë gjuhën standarde.

Një tjetër temë e trajtuar është edhe zëvendësimi i vlerave: mbyllja e gazetave serioze si Rilindja dhe promovimi i mediave senzacionaliste me tituj të zhurmshëm por pa përmbajtje. Për më tepër, në tregimin “Mund të quhet edhe tradhti”, Dërmaku kritikon ashpër politikanët që, për shkak të padijes apo servilizmit, u shërbejnë interesave të huaja.

Në tregimin “Misioni i djallit” shtjellohet tema e tëhuajësimit dhe keqpërdorimit të religjionit për të shmangur vetëdijen kombëtare. Po ashtu, autori ironizon edhe ata që përpiqen të “modernizohen” duke i anglizuar emrat e tyre në mediat sociale (p.sh. Drita → Dritta, Besa → Bessa), duke i parë këto si shenja të një mohimi kulturor.

Ndër temat më prekëse është edhe ajo që trajton padrejtësinë ndaj atyre që iu kundërvunë ish-sistemit komunist – njerëz të cilët nuk përfituan pensione apo shpërblime për shkak se nuk kishin kontribuuar për regjimin e mëparshëm. Kjo satirë është një goditje për sistemin e padrejtë që shpërblen servilizmin dhe ndëshkon qëndresën.

Në gjithë këtë mozaik tregimesh, autori përdor një gjuhë të pasur, të shoqëruar me shenja pikësimi të theksuara që e bëjnë tekstin të gjallë, të qartë dhe të drejtpërdrejtë.

Në përmbyllje, libri «Kur do të kuptosh?» i Sulejman Dërmakut është një ftesë e hapur për të reflektuar mbi veten, mbi shoqërinë dhe mbi drejtimin që kemi marrë. Është një vepër që nuk synon vetëm të kritikojë, por edhe të ndërgjegjësojë. Lexuesit do të gjejnë aty të vërteta të hidhura, por edhe shpresë se vetëdijesimi mund të jetë hapi i parë drejt përmirësimit./Xhevdet Kallaba/

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja