Në Muçivërc dhe Hodonoc varrosen dy vajzat e aksidentuara për vdekje në fshatin Domoroc të Komunës së Ranillugut. Bashkë me qindra qytetarë të tjerë, të pranishëm ishin edhe studentë e profesorë nga Universiteti «Kadri Zeka» nga Gjilani
Vdekja tragjike e dy vajzave të reja, Antiana Thaçi dhe Arbnora Basha, ka tronditur tërë komunitetin e Kamenicës dhe më gjerë. Dëshmia e dhembjes dhe humbjes ishte e thellë dhe e prekshme në varrimin e tyre, ku qindra qytetarë nga e gjithë komuna morën pjesë për të nderuar jetën dhe kujtimin e këtyre dy studenteve të reja dhe shoqeve të pandashme.
Antiana nga fshati Muçivërc dhe Arbnora nga fshati Hodonoc ishin dy vajza të moshës 22 dhe 23 vjeçare, që bashkë studionin në Universitetin «Kadri Zeka» në Gjilan dhe punonin së bashku në një market në Hodonoc. Ndërsa Arbnora ishte edhe një nga yjet e Kombëtares së Futbollit të Kosovës, një talente që kishte arritur për të përfaqësuar vendin në nivel ndërkombëtar.
Në ditën e varrimit, përveç familjarëve, morën pjesë edhe studentë e studente, profesorë e profesoresha nga Universiteti «Kadri Zeka», si dhe përfaqësues të Federatës së Futbollit të Kosovës. Pas ceremonisë fetare nga hoxhallarë vendorë dhe të fshatrave përreth, ceremonia e varrimit u ndoq edhe nga një nekrologji e lexuar për të dyja vajzat, ku në emër të Universitetit u vlerësuan arritjet e tyre akademike dhe kontributi i jashtëzakonshëm që ato dhanë në jetën e komunitetit.
Për Arbnora Bashën, ky ngushëllim erdhi edhe nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, z. Agim Ademi, i cili dërgoi një telegram ngushëllimi për këtë humbje të madhe. Kurorat e shumta të vendosura mbi varre, përfshirë edhe atë të vendosur nga kryetari i Komunës së Kamenicës, z. Kadri Rahimaj, ishin një dëshmi tjetër e respektit dhe dashurisë që ata ishin tërhequr nga kjo humbje e dhimbshme.
Pas ceremonisë, në fshatrat Muçivërc dhe Hodonoc vërshuan mijëra qytetarë për të shprehur ngushëllimet e tyre te familjet Thaçi dhe Basha, duke u qëndruar pranë në këtë periudhë të vështirë. Kjo humbje tragjike la një boshllëk të thellë në zemrat e të gjithë atyre që i njohën, por kujtimi për Antianën dhe Arbnorën do të jetojë gjithmonë në zemrat e tyre, si dy vajza të reja dhe të suksesshme, që humbën jetën përpara se të kishin mundësinë të arrinin shumë më tepër.
Ngushëllimet më të sinqerta familjeve Thaçi dhe Basha!/Xhevdet Kallaba/