8.5 C
Kosovo
13/09/2026

LAND FILM LAB 2026 përmbylli me sukses edicionin e parë në Kamenicë

Arkivi

Pesë ditë qëndrimi, prej të cilave katër me program intensiv filmi, krijimtarie, mentorimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, e shndërruan Roganën, Kamenicën dhe Krenidellin në hapësira takimi të kineastëve dhe dashamirësve të artit filmik. Edicioni i parë i LAND FILM LAB 2026, i ideuar dhe organizuar nga regjisori roganas Durim Kryeziu, u përmbyll me vlerësimin e projekteve më të suksesshme dhe me synimin që kjo nismë të vazhdojë si një traditë e re kulturore e kësaj ane. Moderimin në shqip dhe anglisht e bëri Erza Surdulli.

Nga Xhevdet Kallaba

Në një cep të skajshëm të Kosovës, në Komunën e Kamenicës, nga 7 deri më 11 shtator u zhvillua një ngjarje e veçantë kulturore, e cila solli në këtë trevë krijues, mentorë dhe profesionistë të filmit nga Kosova dhe vende të tjera.

LAND FILM LAB – Film Residency & Industry Networking 2026 nuk u konceptua thjesht si një festival ku publiku vjen për të parë filma. Ideja e tij themelore ishte më ambicioze: këtu të lindin dhe të zhvillohen ide, të shkruhen skenarë, të shkëmbehen përvoja dhe të krijohen bashkëpunime që projektet filmike t’i afrojnë realizimit.

Ndonëse qëndrimi i pjesëmarrësve në kuadër të LAND FILM LAB-it përfshiu periudhën pesëditore 7–11 shtator, programi intensiv krijues u zhvillua gjatë katër ditëve të para. Ato ishin ditë të mbushura me zhvillim idesh, shkrim e përpunim skenarësh, mentorim, prezantime dhe projeksione filmash, diskutime profesionale dhe takime me publikun. Dita e pestë pati një ritëm më të qetë, duke u shërbyer pjesëmarrësve për relaksim pas angazhimit intensiv, për takime të fundit mes tyre dhe përgatitje për kthimin në vendet dhe shtëpitë e tyre.

Pas hapjes në shtëpinë e familjes së themeluesit të festivalit, regjisorit Durim Kryeziu, në Roganë, aktivitetet vazhduan në disa prej hapësirave karakteristike të kësaj ane – te Lisi i Cukelit në Roganë, në Lugun e Verdhë në Kamenicë dhe, në fund, në Krenidell.

Kështu, festivali doli jashtë sallave tradicionale dhe u lidh drejtpërdrejt me natyrën, historinë dhe jetën e kësaj treve.

Gjatë katër ditëve të punës intensive, pjesëmarrësit punuan në projektet e tyre filmike nën udhëheqjen dhe këshillat e mentorëve e profesionistëve të fushës. Krahas procesit krijues, ata patën mundësinë të njiheshin nga afër me Roganën dhe Kamenicën, me peizazhin, historinë dhe mikpritjen e banorëve të saj.

Një segment me interes ishte edhe programi “Meet the Filmmakers”, përmes të cilit publiku u njoh me krijimtarinë e autorëve dhe me botën që qëndron prapa realizimit të një filmi. U shfaqën filma të shkurtër, ndërsa bashkëbisedimet me krijuesit sollën para publikut jo vetëm veprën e përfunduar, por edhe përvojat dhe procesin krijues që e shoqëron atë.

Kulmi i punës krijuese ishte Pitch Final në Krenidell, ku pjesëmarrësit prezantuan projektet e zhvilluara gjatë rezidencës përpara jurisë dhe profesionistëve të industrisë së filmit.

Juria, e përbërë nga Mirjeta Baraliu, Esat Fejza dhe Bardhyl Bejta, bëri vlerësimin e projekteve. Baraliu, ndonëse nuk ishte e pranishme fizikisht në mbrëmjen përmbyllëse, materialet i kishte pranuar dhe vlerësuar në mënyrë elektronike.

Çmimi për Skenarin më të Mirë, në vlerë prej 1.500 eurosh, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, iu nda Odeta Cunajt për projektin “18th Birthday”.

Ndërkaq, Co-Production Award, me vlerë prej 20.000 eurosh në shërbime profesionale për realizimin e filmit, iu nda Hussen Ibraheem për projektin “Mind is Cedar”.

Ky çmim përfshin një paketë të rëndësishme profesionale: korrigjimin e ngjyrave nga In My Country Post Production në Kosovë, angazhimin e drejtorit të fotografisë Blerim Gjinovci, montazhin nga Marta Ossowska nga Polonia, si dhe dizajnin e zërit, prodhimin muzikor dhe postproduksionin audio nga Ridvan Murtezi.

Pikërisht këtu qëndron edhe një nga vlerat kryesore të LAND FILM LAB-it: çmimet nuk mbeten vetëm mirënjohje simbolike, por u japin projekteve fituese mbështetje konkrete për të vazhduar rrugën nga skenari drejt filmit.

Mbrëmja finale në Krenidell ishte më shumë se një ceremoni çmimesh. Ajo ishte edhe një çast për të bërë bilancin e katër ditëve të punës, të miqësive të krijuara, ideve të shkëmbyera dhe lidhjeve të reja profesionale.

Pas këtij ritmi intensiv, dita e fundit solli një atmosferë më të çlirët. Ishte koha për të pushuar, për të vazhduar bisedat e nisura gjatë ditëve të festivalit, për t’u përshëndetur me mikpritësit dhe për t’u përgatitur për kthim. Edhe kjo ditë, ndonëse pa ngarkesën e programit artistik të ditëve paraprake, ishte në njëfarë mënyre pjesë e frymës së rezidencës: koha kur njohjet e krijuara gjatë punës po shndërroheshin në miqësi dhe kontakte për bashkëpunime të ardhshme.

Mikpritja e banorëve, bukuritë natyrore të kësaj ane dhe përkrahja institucionale dëshmuan se edhe një komunë larg qendrave të mëdha kulturore mund të shndërrohet në një mjedis frymëzues për krijimtari artistike dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Autoritetet e Komunës së Kamenicës përshëndetën përmbylljen e suksesshme të edicionit të parë, duke vlerësuar kontributin e organizatorëve, kineastëve, mentorëve, jurisë, partnerëve dhe mbështetësve. Me këtë rast u ndanë edhe mirënjohje për kontributin e dhënë në realizimin e kësaj ngjarjeje.

Një koktej i përbashkët krijoi edhe një mundësi për takime e njohje ndërmjet mysafirëve, krijuesve dhe mikpritësve. Por, mbi të gjitha, pas këtyre ditëve mbetet përshtypja se LAND FILM LAB nuk përfundoi thjesht me ndarjen e çmimeve.

Ai hapi një rrugë të re.

Për Roganën, ku për herë të parë u organizua një ngjarje e këtij karakteri, kjo përvojë merr një domethënie të veçantë. Ideja e një regjisori që vjen nga ky fshat arriti të sjellë në vendlindjen e tij krijues nga vende të ndryshme dhe ta vendosë Roganën, qoftë edhe për disa ditë, në hartën e takimeve ndërkombëtare të filmit.

Edicioni i parë dëshmoi se LAND FILM LAB ka potencial të mos mbetet një ngjarje e vetme. Me vazhdimin e mbështetjes institucionale dhe profesionale, ai mund të shndërrohet në një manifestim tradicional, që çdo shtator do t’i sjellë kësaj ane ide, filma dhe krijues të rinj.

Kështu u përmbyll edicioni i parë i LAND FILM LAB 2026, por njëkohësisht u hap një kapitull i ri kulturor për Roganën dhe Kamenicën – një kapitull ku filmat jo vetëm shfaqen, por ku mund të lindin, të shkruhen dhe të nisin rrugëtimin e tyre drejt ekranit.

 

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja