21.5 C
Kosovo
12/05/2026

27 VJET NGA RËNIA HEROIKE – KUJTIM DHE NDERIM PËR DËSHMORËT E DARDANËS

Arkivi

Në pamundësi për të qenë fizikisht i pranishëm në ceremonitë përkujtimore kushtuar dëshmorëve të 11 majit 1999 në Komunën e Dardanës, bashkohem shpirtërisht me bashkëvendësit e Kopërnicës, Hogoshtit, Roganës dhe Karaçevës, në shënimin e 27-vjetorit të rënies heroike të bijve më të mirë të kësaj ane.

Nga: Xhevdet Kallaba

Me këtë rast, përulemi me respekt dhe mirënjohje të thellë para sakrificës sublime të të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të Komunës së Dardanës, të cilët ranë në pranverën tragjike të vitit 1999 nga ushtria dhe paramilitarët serbë. Ata ishin bijtë më të guximshëm të këtij vendi, të cilët, në ditët më të rënda të historisë sonë, vendosën fatin e atdheut mbi jetën personale. Me gjakun e tyre u shkrua një nga kapitujt më të lavdishëm të qëndresës shqiptare, ndërsa emrat e tyre mbetën të gdhendur përgjithmonë në kujtesën kombëtare.

Ngjarjet tragjike të prillit dhe majit 1999 lanë plagë të pashlyeshme në familjet dhe vendbanimet e Dardanës. Shumë luftëtarë e civilë u vranë, u torturuan dhe u masakruan vetëm pse ishin shqiptarë dhe kërkonin të drejtën për të jetuar të lirë në trojet e veta. Megjithatë, përkundër dhunës dhe terrorit, populli ynë nuk u përkul. Dëshmorët e kësaj komune dëshmuan se dashuria për atdheun është më e fortë se frika dhe se liria fitohet vetëm me sakrificë.

Sot, kujtimi për dëshmorët e Dardanës mbetet obligim moral, historik dhe kombëtar. Brezat e rinj duhet të mësojnë për sakrificën e tyre, në mënyrë që liria të mos merret kurrë si diçka e vetëkuptueshme.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe martirëve të Komunës së Dardanës!

Fotot: Faqja zyrtare e Komunës së Kamenicës dhe Gani Kryeziu

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja