7 MARSI – DITA E MËSUESIT: MËSUESIA TRASHËGIMI FAMILJARE
Në këtë ditë të shënuar për arsimin shqiptar kujtojmë me nderim figurën e mësuesit Qemajl M. Kallaba (1928–2001), një arsimtar dhe atdhetar që jetën ia kushtoi dijes dhe edukimit të brezave.
I rritur në një familje me tradita patriotike, Qemajli trashëgoi nga i ati, Musahu, frymën e dashurisë për atdheun. Ai u përfshi herët në aktivitete rinore dhe atdhetare dhe mori pjesë në Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare. Për këtë veprimtari u dënua nga regjimi jugosllav dhe përjetoi burgjet e Ferizajt dhe të Prishtinës, ku ishte dëshmitar i ngjarjeve tragjike të kohës.
Pas vuajtjeve në burg, ai zgjodhi një rrugë tjetër shërbimi për kombin – arsimin. Punoi si mësues në Strezoc dhe Rahovicë të Preshevës, duke e parë shkollën si armën më të fortë për ruajtjen e identitetit dhe përparimin e popullit. Pas pensionimit u shpërngul me familje në Prishtinë.
Dashurinë për arsimin e përcolli edhe në familjen e tij. Të pesë fëmijët e tij dhe bashkëshortes – Nazmijes (tri vajza dhe dy djem) u bënë punëtorë të arsimit, duke ndjekur shembullin e babait: Magbulja mësuese klasore, Nagibi profesor i fizkulturës, Kumrija sociologe dhe drejtoreshë shkollash, Shpresa profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe Shpendi profesor i anglishtes, i cili më vonë shërbeu edhe si ambasador i Republikës së Kosovës.
Shembulli i Qemajl Kallabës dëshmon se përkushtimi ndaj dijes dhe edukimit mund të bëhet trashëgimi familjare dhe kombëtare. Në këtë 7 Mars, figura e tij mbetet një kujtim dhe frymëzim për të gjithë mësuesit dhe punonjësit e arsimit në mbarë trojet shqiptare.
Përndryshe familja e gjerë Kallaba nga Rogana e Dardanës është e njohur për kuadro të shumtë arsimorë dhe intelektualë, të përkushtuar edhe në fusha të tjera profesionale.
- Advertisement -
- Advertisement -