Përurimi i monografisë “Pogragja ndër shekuj” – një vepër me vlera të qëndrueshme shkencore dhe kulturore
Të shtunën, më 20 dhjetor, në ambientet e Shkollës së Muzikës në Gjilan, në praninë e një numri të konsiderueshëm mysafirësh, u bë përurimi i monografisë “Pogragja ndër shekuj” të autorit Prof. Xhafer Xhaferi. Kjo ngjarje kulturore, e cila u cilësua edhe si një dhuratë për fundvitin 2025, shënoi një moment të rëndësishëm për trashëgiminë historike e kulturore të fshatit Pogragjë.
Nga Xhevdet Kallaba
Përurimi u moderua nga prof. Izeir Hyda, i cili në fjalën e tij hyrëse dha një pasqyrë të shkurtër mbi rrjedhën e aktivitetit, por edhe mbi përmbajtjen e librit. Ai theksoi se monografia përfshin historinë e Pogragjës që nga antikiteti e deri në ditët e sotme, duke e cilësuar librin si një dëshmi të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore dhe materiale, me vlera të mirëfillta shkencore, që do t’u shërbejë studiuesve të gjeneratave të ardhshme.
Libri është i strukturuar në dhjetë kapituj dhe trajton tema thelbësore që pasqyrojnë identitetin historik, kulturor dhe shoqëror të fshatit Pogragjë.
“Qëllimi i kësaj monografie është që të dokumentohet me përgjegjësi shkencore e faktografike Pogragja ndër shekuj, për t’ua lënë brezave të ardhshëm një dëshmi të shkruar për vlerat dhe njerëzit e këtij fshati”, u shpreh ndër të tjera moderatori Izeir Hyda.
Një fjalë për librin e kishte përgatitur edhe redaktori i monografisë, Prof. Nuhi Rexhepi, të cilën, në mungesë të tij, e lexoi Nazmije Hasani. Prof. Rexhepi vlerëson lart angazhimin shumëvjeçar të Prof. Xhaferit, duke theksuar se kjo vepër vjen në një kohë të duhur, kur libri dhe kultura e leximit po përballen me sfida serioze. Si njohës i mirë i Pogragjës dhe i autorit, ai rikujtoi se Prof. Xhafer Xhaferi kishte punuar me dekada për përgatitjen e kësaj monografie, duke e prezantuar fshatin në shumë dimensione të trashëgimisë historike dhe kulturore.
Monografia ka kaluar edhe filtrin vlerësues të tre recensentëve: Dr. Fehmi Rexhepi, Dr. Fitim Rifati dhe Mr. Sherafedin Kadriu, të cilët po ashtu janë njohës të mirë të historisë së Pogragjës. Dr. Rifati, duke u mbështetur edhe në vlerësimet e bashkërecensentëve, e çmoi lart punën e autorit, duke theksuar se lexuesit tashmë kanë në duar argumente të qëndrueshme për historinë, kulturën dhe zhvillimet shoqërore të Pogragjës, si një vendbanim shqiptar me traditë të lashtë.
Ai elaboroi shkurtimisht edhe përmbajtjen e dhjetë kapitujve të librit: kapitulli i parë trajton vështrimin historik të trinomit identitar të lashtësisë së Pogragjës; i dyti i kushtohet hidrografisë; i treti lëvizjeve të popullsisë, me theks në migrim dhe emigrim. Kapitujt e katërt dhe të pestë pasqyrojnë zhvillimet arsimore dhe kulturore, ndërsa kapitulli i gjashtë trajton shëndetësinë në këtë fshat.
Një vend qendror zë kapitulli i shtatë, i cili i kushtohet zhvillimit të sportit, me theks të veçantë Klubit të Futbollit “Liria”, që për vite me radhë ka kultivuar shpirtin sportiv dhe luftarak të të rinjve pogragjas. Kapitulli i tetë prezanton trungun gjenealogjik të lagjeve ekzistuese të Pogragjës: Kurtatj, Balajt, Canajt, Voca, Tomakët dhe Cenajt, duke u konsideruar veçanërisht atraktiv për gjeneratat e sotme. Dy kapitujt e fundit u janë përkushtuar profileve biografike të personaliteteve që kanë lënë gjurmë në jetën shoqërore, ekonomike dhe afariste të Pogragjës.
Në mbyllje të përurimit foli edhe vetë autori, Prof. Xhafer Xhaferi, i cili përshkroi rrugëtimin e gjatë të hartimit të monografisë, me theks të veçantë vështirësitë në sigurimin e materialeve arkivore. I emocionuar, ai shprehu mirënjohje për të gjithë bashkëpunëtorët dhe ndihmësit që kontribuuan në realizimin e kësaj vepre, duke e cilësuar librin si një shlyerje të borxhit moral ndaj vendlindjes së tij – Pogragjës.
Me modesti, autori ndau këtë sukses me bashkëvendësit e tij në Pogragjë dhe në diasporë, duke theksuar se këtij brezi i ra hise të shkruajë për Pogragjën, me porosinë që kjo trashëgimi të ruhet dhe të kultivohet për brezat që vijnë.
Pjesës foljore të përurimit iu bashkuan edhe ish-kryetari i Gjilanit, z. Lutfi Haziri, ish-deputeti z. Fatmir Rexhepi dhe prof. Emrush Qamili, të cilët vlerësuan rëndësinë e monografisë dhe përgëzuan autorin për këtë arritje.
Atmosfera u pasurua edhe me paraqitje muzikore dhe poezi kushtuar Pogragjës, të interpretuara nga të rinj e të reja pogragjase, duke i dhënë këtij përurimi një dimension të veçantë artistik e emocional./fotot e realizuara nga autori/
- Advertisement -
- Advertisement -