-1.5 C
Kosovo
31/12/2025

NGA FAMILJA TEK ATDHEU: POEZIA EPIKO-LIRIKE E IZET KALLABËS

Arkivi

Nga krijimtaria poetike e Izet Kallabës, në këtë faqe të portalit Inforogana po sjellim tri poezi përkushtimore për familjen dhe tokën arbërore.

Izet Kallaba është një krijues i njohur nga Gjilani, pedagog muzikor prej vitesh në shkollën e muzikës në këtë qytet dhe një veprimtar i kamotshëm i jetës kulturore-muzikore, jo vetëm në Gjilan por edhe më gjerë. Ai shquhet si kompozitor dhe poet i spikatur, me një veprimtari të gjerë artistike në disa zhanre, ku ndërthuren natyrshëm ndjeshmëria lirike, fryma epike dhe përkushtimi qytetar e kombëtar.

Në këtë rast, për portalin Inforogana.com, po prezantojmë tri poezi të autorit Izet Kallaba, të cilat, përveç vlerës së tyre artistike, e lidhin krijuesin ngushtë me rrethin e tij familjar dhe me figurat e afërta, të cilëve u kushton poezi epike-lirike e kushtimore. Në këtë mënyrë, poezia e tij shndërrohet në një urë kujtese dhe nderimi, duke i paraqitur këta personalitete si shembull jo vetëm për familjen Kallaba, por edhe për tokën arbërore dhe vlerat e saj.

Poezia e parë i kushtohet tokës arbërore, si hapësirë identitare dhe shpirtërore, e trajtuar në formën e një lirike meditative patriotike, ku poeti ndërton një marrëdhënie të thellë emocionale dhe refleksive me atdheun. Poezia e dytë, kushtuar mësuesit patriot Tefik Kallaba, i përket më saktësisht zhanrit të poezisë epiko-lirike kushtimore, me karakter himnik dhe memorial, ku figura e mësuesit portretizohet si pishtar i diturisë dhe i vetëdijes kombëtare. Poezia e tretë, kushtuar pilotes Faruza Kallaba, është një poezi lirike simbolike me elemente himnike dhe elegjiake, në të cilën figura e shqiponjës shndërrohet në metaforë të lartësimit, sakrificës dhe paqes.

Edhe pse autori krijon në zhanre të ndryshme letrare, në këtë përzgjedhje poezitë paraqiten kryesisht në trajtë epiko-lirike dhe lirike simbolike, si shenjë respekti dhe nderimi për personalitetet që i shtuan vlera familjes Kallaba, duke u bërë pjesë e një plejade të tërë patriotësh dhe arsimdashësish që kanë lënë gjurmë të qëndrueshme në jetën kulturore dhe kombëtare shqiptare.

Izet Kallaba jeton dhe vepron në Gjilan dhe është pjesë aktive e aktiviteteve të përhershme poetike në Anamoravë, ku vazhdon të kontribuojë me krijimtarinë dhe angazhimin e tij artistik në pasurimin dhe gjallërimin e jetës kulturore të rajonit.

NË TOKËN E SHENJTË ARBËRORE

Vendi im më dëshiron në çdo kohë

në çdo stinë të qeshur apo të hidhëruar

në ecje nuk ma trazon hapin e rëndë të moshës

me hir ma duron kollën

zhveshjen verore

zbathjen në dheun-atdheun e lirë

në të cilin për një kohë të gjatë luajtën e zhvatën

 qentë e hienat e tërbuara.

DRITË E DITURISË PËR KËTË TOKË
(Mësuesit–Patriot Tefik Kallaba)

Vetëm një herë mund ta takosh
kolosin e shtigjeve të gjata, me ecje vertikale,
Roganë – Vermosh – Shkodër – Tiranë,
pa iu trembur natës.

Rastisi të ishin dy, me një mbiemër, në malin e Dajtit,
ku strehoheshin shqiponjat, kuvend pas kuvendi të besës;
zemrat rrihnin kombëtarisht,
kambanat tingëllonin, shkronjat flakëronin.

Mësuesit i rrihte zemra për diturinë:
pa shkollim, asnjë punë s’ecte mbarë.
Pa kulm koke, në vise malësore,
odë e shtëpi mobilizoi, mësonjëtore hapi i pari.

Shëmbëlltyrë rrezatonte,
etninë kombëtare e admironte;
fëmijët dorë për dore i mbante në acare, i ruante.
N’emra heronjsh i thërriste, i pagëzonte,
këngë për flamurin me ‘ta këndonte.

Pishtar lufte për diturinë kombëtare,
kudo Atdheut shpërndau dritë – Abetare.
Mësuesi i Popullit nga kjo botë iku
me këshillën e fundit:

“Vetëm me dituri dhe dashuri ruhet kjo Tokë.”

FLUTURO SHQIPONJË

( Pilotes Feruza Kallaba )

Fluturove maleve tona me këngën e bilbilit
çerdhes sate ia dhe aromën e trëndafilit.

Përmbi Kosovë n’tokë dardane e n’tokë të Babës
ndër beteja krenare bijë e jona pëllumbeshë e paqes.

Fluturo Shqiponjë qiellit mbi  korba të natës
fëmijëve të Kosovës sill gëzimin e paqes.

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja