8.5 C
Kosovo
07/11/2025

FC MARTILS NGA PRISHTINA – KAMPION I TURNEUT TRADICIONAL “ROGANA 2025”

Arkivi

Turneu tradicional në futboll të vogël “Rogana 2025” u përmbyll me një finale madhështore ku ekipi FC Martils nga Prishtina triumfoi ndaj KF Kalaja nga Kopërnica me rezultat bindës 5:2, duke u shpallur kampion i këtij edicioni të shumëpritur në Roganë të Dardanës.

Nga Xhevdet Kallaba: Roganë, 27 korrik 2025

Atmosfera festive u kurorëzua nga prania e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, i cili me pjesëmarrjen e tij i dha turneut një dimension të veçantë ceremonial dhe institucional. Po ashtu, ngjarjen e nderoi edhe ikona e futbollit kosovar, z. Muharrem Sahiti, i cili u prit me respekt dhe duartrokitje nga publiku.

Një turne që bashkon sportin dhe përkujtimin

Finalja, e zhvilluar në një atmosferë elektrizuese përpara rreth 5 mijë shikuesve, shënoi një ngjarje sportive të jashtëzakonshme që bashkoi vendas dhe mërgimtarë, të cilët e kishin planifikuar pushimin e tyre për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje tradicionale. Ndeshjen finale, si dhe gjatë gjithë turneut referuan Kadri Shahini dhe Faruk Robelli.

Turneu mbahet çdo vit në nderim të dëshmorëve të fshatit Roganë, Selver dhe Emin Kryeziu, ndërsa këtë vit organizatorët nderuan edhe dëshmorin Nevzad Kryeziu. Kryetari i Komunës së Kamenicës, z. Kadri Rahimaj, në fjalën e tij përshëndetëse, vlerësoi organizimin, pjesëmarrjen masive dhe mbështetjen e pakursyer nga komuniteti, federatën dhe sponsorët.

Kryetari Rahimaj falënderoi veçanërisht Federatën e Futbollit të Kosovës dhe kryetarin e saj z. Agim Ademi për përkrahjen e dhënë, si dhe shprehu mirënjohje për bizneset e Komunës së Kamenicës që kontribuojnë në vazhdimësi në realizimin e këtij turneu.

Nderime, mirënjohje dhe çmime për më të mirët

Në këtë turne u ndanë mirënjohje për:

  • Familjarët e dëshmorëve Selver, Emin dhe Nevzad Kryeziu

  • Veteranët e luftës: Hesat Kryeziu, Zijadin Rrudhani dhe Xhevat Kryeziu

  • Referët Kadri Shahini dhe Faruk Robelli

  • Kontribuuesin nga mërgata: Vehap Zuka

  • Shërbimin Policor të Kosovës

U ndanë gjithashtu edhe çmime individuale:

  • Lojtari më i mirë: Ramadan Alaj

  • Golashënuesi më i mirë: Shabi Behluli

  • Portieri më i mirë: Eduan Beqiraj

Fituesit dhe shpërblimet

FC Martils përveç trofeut të turneut, mori shpërblimin prej 2,500 euro, ndërsa finalisti KF Kalaja u nderua me 1,000 euro. Kupën kampionëve ua dorëzoi vetë Kryeministri Albin Kurti, ndërsa medaljet u shpërndanë nga Lirim Kryeziu, Gazmend Geci dhe Afrim Lenjani, figura të nderuara të komunitetit dhe sportit.

Turneu është organizuar nga të rinjtë: Lirim Kryeziu, Gazmend Geci, Ali Kryeziu dhe Betim Thaçi, të ndihmuar edhe nga stafi kujdestar prej 15 vetash. Përndryshe ky turne zhvillohet që nga viti 2003 me një ndërprerje gjatë Pandemisë.

Turneu “Rogana 2025” që u zhvillua nga data 13 deri më 27 korrik dëshmoi edhe një herë se sporti është ura më e fuqishme e bashkimit dhe përkujtimit, duke u shndërruar në një ngjarje që nderon të kaluarën, përforcon të tashmen dhe frymëzon të ardhmen e këtij vendi.

 

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja