-1.5 C
Kosovo
31/12/2025

LUFTA E DYTË E KIKËS

Arkivi

(Pjesë nga Ditari i prof.mr. Tefik Geci, në 81-vjetorin e Luftës së Kikës)

Beteja e Parë e Kikës – zhvilluar më 28.6.1944

Beteja e Dytë e Kikës – zhvilluar më 26.7.1944

Lufta e Dytë e Kikës është zhvilluar më 26 korrik 1944. Kjo ishte më e madhe në krahasim me Luftën e Parë. Në këtë luftë janë vrarë shumë njerëz, sidomos nga ana e armikut. Beteja vendimtare e kësaj lufte është bërë në Malin e Kikës edhe në rrëzat e tij kah Poliçka dhe Velegllava.

Lufta e Dytë e Kikës

Siç rrëfente nipi ynë, djali i Dadës Qamë, që ishte e bija e Limon Gecit nga Rogoçica – Sejdë Tahiri i Sermagjajve të Hogoshtit, lufta u bë fyt a fyt, pikërisht ashtu siç këndohen disa lufta në këngë të trimërisë. Sejdë Tahiri u plagos rëndë në këtë luftë edhe mbeti në një shpat ku kishte plot fier, i shtrirë e në pamundësi të lëvizte. – Në sulm të parë i thyem, duke vrarë shumë shkie partizan. Mirëpo, numri i madh i tyre depërtoi me armë edhe na hyri brenda radhëve tona. Kështu u plagosa rëndë në këmbë të majtë dhe, meqë nuk munda me lëvizë, u shtriva si i vdekur. Kështu shpëtova prej shkive, sepse ata nuk më shikonin shumë, por pikën e hallit e kisha prej një kali i cili m’u kishte afruar dhe, duke kullotur pranë meje, ma shkelte këmbën e plagosur. Mirëpo shpëtova disi pa u hetuar se isha i gjallë, derisa depërtuan partizanët dhe erdhën shqiptarët.

Në këtë luftë prej Hogoshtit mbetën të vrarë këta trima luftëtarë.

  1. Rexhepi i Arifit nga Milovitët

  2. Hasani i Halil Bishtaqit

  3. Kadriu i Halil Biçkut

  4. Rama i Selman Bishtaqit

  5. Shabani i Jashar Biçkut

  6. Hafezi i Halit Biçkut

  7. Hamdiu i Danit Mujës

  8. Taipi i Doshit – Sermagjaj – babai i Haki Myderizit

Kurse të plagosur nga Hogoshti ishin:

  1. Sejda i Tahir Sermagjajt (në këmbë)

  2. Rexhepi i Hazir Biçkut etj.

Kishte edhe të tjerë nga fshatrat përreth, si:

  1. Miftar Xhelë Kryeziu (Rogoçicë) – ishte polic komune

  2. Sherif Ibrahim Spahiu (Muçivërc) – u plagos në qafë

  3. Xhafer Mustafë Krasniqi (Dajkoc)

  4. Islam (Lam) Huruglica (baba i Muharrem Shahiqit)

Në këtë luftë janë vrarë mbi 160 shqiptarë.

HEROIZMI I NEXHMEDIN ZHURIT

Ndër ushtarët e rregullt, që e ruanin kufirin, ishte edhe një djalosh i ri rreth 23-vjeç nga Prizreni e që quhej Nexhmedin Zhuri. Në aradhen e Fuat Dibrës Nexhmedini ishte më i dalluar, më i fuqishëm, më trim e më i vendosur, prandaj u bë Dhjetar edhe mori pjesë në luftë për mbrojtjen e tokës Mëmë – Dardane, Albane e Shqiptare, të kufirit tonë. Në Hogosht duke pushuar, sikurse edhe në kufi duke ruajtur Mëmëdhenë u bë shumë i njohur, shumë i afërt, shumë i ëmbël nga të gjithë. Të gjithë ata që e kanë parë, edhe sot e përkujtojnë, duke thënë se kishte sy shqiponje, që tregonin trimëri e vendosmëri. Në Prizren kishte lënë familjen: babanë, nënën e dashur, vëllezër e motra. Në kufi kishte ardhur vullnetarisht. Mendonte se këtu në kufi mbrohen të gjithë shqiptarët. Këtu mbrohej, fara e pjellës shqiptare, thoshte Nexhmedini. Ishte i pagabueshëm për të gjithë, veçanërisht për prijësit komandantë.

Vendosmëria e Nexhmedinit të dashur jemi të gjithë ne shqiptarët e Gollakut, Hogoshtit, Rogoçicës, Dajkocit të Metush Krasniqit e të gjitha vendeve të tjera të Gjilanit, Prishtinës, Preshevës, Shkupit e Prizrenit.

Nexhmedini ynë nuk la fëmijë të vet trashëgimtarë, sepse ishte i pamartuar, por e la trimërinë, heroizmin, vendosmërinë për t’u flijuar për mëmëdhe, të cilin nuk do t’ia harrojmë kurrë. Do ta ngremë zërin deri në kupë të qiellit për të treguar trimërinë heroike të tij. Së pari të gjithë do të bëhemi e të jemi fëmijë të Nexhmedinit, se ai e ujiti tokën me ujin e lules së kuqe të rinisë nga i cili ne u rritëm në aromën e në lëngun e saj.

                             Jemi fëmijë të tu Nexhmedin

                             Jemi vëllezër tuaj, hero

                             Jemi motra tua Nexhmedin, or vëllaçko

                             Ty të kemi hero.

Nexhmedini luftoi edhe në Luftën e Parë të Kikës, gjithnjë me mitraloz, mirëpo nuk iu nxeh arma sikur në Luftën e Dytë të Kikës. Po, pse iu nxehtë mitralozi Nexhmedinit tonë? Një ditë nga mëngjesi nuk u ndal gjer në të skuqur të muzgut, kur pranë tij, me duar të skuqura si tyta e mitralozit mbeti edhe Nexhmedini.

Të gjithëve u tha: tërhiquni ju ngadalë, sepse kuçedrës unë do t’i hy në gojë. Pasi iu afrua kuçedra edhe ndihmësit të vet i tha: urdhëro edhe ti pas vëllezërve, se unë do t’i dal vetë përballë kuçedrës. Vërtet i doli dhe i mbeti aty përpara në ballë. Kuçedrës ia preu pothuajse të gjithë zogjtë që i vinin pranë. Si gjurmë Nexha hero e la një grumbull fishekësh, tani në vend të tretë nga mëngjesi në livadhe të Marocës, aty ku më ishte lindur Lokemadhja, nëna e nënave – Hanifja e Gecajve. Aty mbeti Nexha hero i heronjve të gjallë e të vdekur.

Disa muaj i kaloi Nexha hero afër shtëpisë së Mehmet Malës, i cili e lindi një hero – Rexhep Malën që do të zgjedhë vdekjen me armë e me këngë në Kodrën e Trimave një çik pas Nexhmedinit. Trimëria e shtyn trimërinë, heroizmi e formon heroizmin, rrushi e sheh rrushin e piqet, thotë proverbi popullor shqiptar. Trimëria e bëri të veten edhe në Kitkën legjendare . Armiku e vrau Nexhmedinin, por pasi ai i la më shumë se 500 të vrarë. Nexhmedini u mbulua me fishekë të ndezur të mitralozit të vet. Armiqtë u detyruan të tërhiqen.

Populli i Hogoshtit e i rrethinës e varrosi Nexhmedinin me këngë trimërie e me flamur kombëtar. Mirëpo, fatkeqësisht, Nexhmedini u harrua për një kohë sa fitoi e sundoi komunizmi sllavoortodoks. Trupi, hija dhe eshtrat e Nexhmedin Zhurit le të na falin për kohën 50-vjeçare sa ishim të thumbuar për ta harruar e për të mos e përmendur.

Populli i thuri këngë këtij trimi edhe i këndoi për disa vite me radhë. Ato këngë do t’i shënojmë e nuk do t’i harrojmë!

 

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja