Në kujtim të Skender Jahirit – Një humbje e madhe për Dardanën dhe për të gjithë ne
Skender Jahiri: «Nëse ka një botë tjetër, njeriun e parë që do të doja ta takoja, pa dyshim, është profesori i nderuar e shumë i respektuar Ekrem Kallaba.»
Me dhembje të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të inxhinierit të xehetarisë, z. Skender Jahiri – i njohur për të gjithë si “Cari”, i lindur në Raincë dhe që jetoi e punoi në Dardanë. Humbja e tij lë një zbrazëti të thellë në mesin e familjes, shokëve dhe gjithë atyre që patën fatin ta njihnin.
Nga Xhevdet Kallaba
Ka njerëz që lënë gjurmë të pashlyeshme, edhe pa tituj, poste apo tituj akademikë. Skenderi ishte pikërisht njëri prej tyre. Ai e donte njeriun pa dallim; çdo person tek ai kishte vlerë, dhe ai dinte t’ua tregonte të gjithëve, duke shpërndarë respekt dhe ngrohtësi. Kur ecte rrugëve të Dardanës, dorën e mbante të ngritur për të përshëndetur çdo të njohur – dhe jo rrallë edhe të panjohur – duke dhënë një shembull të thjeshtë, por të fuqishëm të mirësisë dhe respektit njerëzor.
Qysh në vitet ’70, Skenderi krijoi një emër të veçantë si student në Beograd, ku jo vetëm që shquhej për përkushtim ndaj studimeve të xehetarisë, por edhe për krenarinë dhe dinjitetin e tij shqiptar. Një histori që tregon personalitetin e tij: për të dëshmuar autoritetin dhe stilin e tij unik, ai pagoi dy taksistë në Preshevë për të arritur në Beograd – në njërin vendosi “republikën” (sheshirin) e tij, ndërsa vetë hipi në tjetrin, duke e bërë një veprim që shpejt u bë legjendar në rrethin e tij shoqëror. Kështu u konsolidua edhe nofka “Car”, që përshkruante jo vetëm autoritetin e tij, por edhe bujarinë dhe zemrën e madhe që kishte.
Pas përfundimit të studimeve, Skenderi u punësua në ndërmarrjen xehetaro-metalurgjike “Magnohrom” në Kamenicë/Dardanë, ku shpejt krijoi një rreth të gjerë shoqëror. Ai e vlerësonte dijen, njerëzit e arsimuar dhe ata me ndjenja patriotike, dhe ndërtoi miqësi që zgjatën gjithë jetën.
Njëri prej tyre ishte prof. Ekrem Kallaba (1944-2008) nga Rogana, një njeri që Skenderi e konsideronte jo vetëm koleg, por dhe mik të vërtetë. Në një shkrim për botimin e monografisë së profesorit Kallaba, Skenderi shkroi:
«Me Ekremin jam njohur që nga viti 1981. Nuk ishte e vështirë ta bëje shok Ekremin, por ishte e vështirë ta mbaje shok. Kishte diapazon të gjerë njohurish, veçanërisht në pedagogji dhe filozofi. Ishte njeri i respektueshëm dhe dinamik. Ai respektonte dhe influenconte gjithnjë pozitivisht njerëzit përreth tij. Humbja e Ekremit në mes nesh lë një zbrazëti të madhe. Kur kuptova për ndarjen e tij nga jeta, nuk mund të përmbahesha nga dhembja dhe për dy javë rresht, çdo mbrëmje qaja në dhomën time, duke ndjerë thellë mungesën e tij.» Ai madje ishte shprehur: «Nëse ka një botë tjetër, njeriun e parë që do të doja ta takoja, pa dyshim, është profesori i nderuar e shumë i respektuar Ekrem Kallaba».
Skenderi vetë ishte një njeri me zemër të madhe, bujar dhe i drejtë. Ai e donte punën e tij, por mbi të gjitha, e donte njerëzinë dhe miqësinë e sinqertë. Humbja e tij nuk është vetëm një humbje profesionale, por një humbje e madhe emocionale për gjithë ata që patën privilegjin ta njihnin.
Me rastin e ndarjes së tij nga jeta, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Jahiri nga Rainca, si dhe për familjen Hoda nga Koretini, të cilët humbën jo vetëm një bashkëshort, baba, vëlla dhe mik, por një njeri me zemër të madhe dhe shpirt të pastër. Kujtimi i Skender Jahirit do të mbetet gjithmonë i gjallë në zemrat tona.
- Advertisement -
- Advertisement -