4.5 C
Kosovo
09/04/2026

Nga këndi satirik: MASKARADA E NJË REGJIMI QË DHA SHPIRT

Arkivi

NGA SHOQËRIA E FRIKËS TE SHOQËRIA E VLERAVE

Ishin të privilegjuarit e shtetit dhe të pushtetit — kalorësit e errësirës me kartë identiteti zyrtare.
Hundët i kishin gjithmonë në punë: aty ku kundërmonte erë spiunazhi e tradhtie, por edhe aty ku ndihej aromë atdhetarie e njerëzie, sepse kjo e fundit u dukej gjithmonë më e rrezikshme.

Nuk u dridhej qerpiku kur e ndanin dhëndrin nga nusja natën e martesës; as kur studentin e merrnin për krahu në ditën e diplomimit. Për ta, gëzimi i tjetrit ishte provë faji.

Kur dikush hynte për herë të parë në punë, i bënin elozhe — jo nga dashamirësia, por për t’ia matur hapin drejt kurthit.
Ia vishnin trupit tradhtar rrobat e patriotizmit, që tradhtia të dukej si virtyt.
E bënin bashkëpunëtor, pastaj e martonin në familje “patriotike”, që tradhtia të trashëgohej si mbiemër.

Kontrabandonin spiunë në zemër të celulave të patriotëve; e bënin mësuesin spiun për nxënësit dhe nxënësin spiun për mësuesit — shkollë e madhe, diplomë në dyfytyrësi.
Rekrutonin besimtarë që në sajfin e parë, madje edhe hoxhallarë, se për ta edhe Zoti duhej të raportonte.

Ata që nuk thyheshin, i likuidonin pa gjurmë — që t’ua shuanin farën e atdhetarizmit, edhe nga kujtesa. Të tjerët i dërgonin në burgje; e të nesërmen shkonin te prindërit e te gratë e tyre për t’i vajtuar, ashtu siç bënin edhe me ata që i vrisnin natën e i qanin ditën.

Kjo ishte maskarada:
vrasës që qanin me lot të huazuar,
tradhtarë të veshur si patriotë,
dhe një regjim që jetoi duke spiunuar jetën —
derisa dha shpirt, pa ia ndier mungesën askush.

Por ky regjim ra sepse u kalb nga brenda. Sot, kujtesa nuk kërkon hakmarrje, por orientim. Shoqëria avancon duke afirmuar vlerat: njeriun e ndershëm, veprimtarin e përgjegjshëm, guximin qytetar dhe solidaritetin. E ardhmja ndërtohet duke i hequr maskat — jo duke i trashëguar ato.

 

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja