Sporti në kohë okupimi – Kampionati republikan i atletikës në Karaçevë (1996)
Në prill të vitit 1996, në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, në vendin e quajtur “Fusha e Pajtimit”, u mbajt Kampionati Republikan i Atletikës i Kosovës për grup-mosha të ndryshme: pionierë, juniorë dhe seniorë, për djem dhe vajza.
Xhevdet Kallaba – nga arkivi personal
Materiali i përfshirë në këtë shkrim është nxjerrë nga pamjet filmike të kësaj ngjarjeje të realizuara me kamerë amatore nga Xhevdet Kallaba dhe Mehmet Fazliu dhe përbëjnë sot një dëshmi të rrallë të organizimit sportiv në kushte të jashtëzakonshme politike dhe shoqërore.
Kampionatin e shpalli të hapur prof. Sevdai Thaçi, kryetar i Lidhjes së Sporteve të Komunës së Kamenicës, i cili në fjalën e tij përshëndeti garuesit dhe mysafirët, duke theksuar rëndësinë simbolike të vendit ku po zhvilloheshin garat – Fusha e Pajtimit, aty ku disa vite më parë, në praninë e rreth dyqind mijë njerëzve nga gjitha trojet shqiptare ishin falur 22 gjaqe dhe ishin pajtuar familje të Anamoravës. Edhe në atë ngjarje profesori Sevdai pati një rol të rëndësishëm organizativ prej nikoqiri.
Në kampionat morën pjesë atletë nga shumë qytete të Kosovës: Gjilani, Ferizaj, Gjakova, Peja, Presheva, Prizreni, Podujeva, Suhareka, Mitrovica, Prishtina, Juniku dhe Kamenica.
Megjithëse terreni nuk ishte plotësisht i përshtatshëm për gara atletike, organizimi u realizua me sukses falë angazhimit të mësimdhënësve dhe aktivistëve sportivë: Musa Thaçi, Rexhep Gashi, Taip Keqmezi, Muzafer Kallaba, Xhemail Baxhuku, Naim Kastrati, Zeqir Lenjani, Jetullah Kallaba, Ramadan Beqiraj, Ymerzad Thaçi, Nebih Ahmeti, Agim Avdullahu e të tjerë.
Në garën e 3000 metrave për femra seniore fitoi Fatlume Gjuka nga Klubi Atletik “Besa” i Pejës, ndërsa në konkurrencën e juniorëve triumfoi Lulzim Kallaba, gjimnazist nga Klubi Atletik “Arbëria” i Kamenicës. Garën e shtegut prej tetë mijë metrash e fitoi Zijadin Kryeziu nga Rogana e Dardanës.
Organizatorët kishin siguruar edhe shërbim mjekësor me Dr. Shaban Spahiun, ndërsa ngjarja u përcoll edhe nga gazetarë të Radio Kosovës dhe gazetës “Bujku” – Gani Kosumi e Daut Maliqi.
Për këtë organizim, gjithsesi duhet veçuar dy doajenë të sportit në komunën e Kamenicës: Sevdai Thaçi dhe Musa Thaçi, të cilët, përkundër kushteve të vështira nën okupim dhe mungesës së mjeteve, vazhdonin të zhvillonin aktivitete sportive për ndërtimin e një rinie të shëndoshë.
Kampionatin e përshëndeti edhe aktivisti sportiv Halil Sylejmani, i cili theksoi se ky kampionat kishte karakter të veçantë për faktin se zhvillohej për nder të Klubit Atletik të porsaformuar “Arbëria” nga Kamenica, duke mbledhur atletë nga mbarë Kosova në një vend të largët, por simbolik.
Pas përfundimit të garave, kryetari i Lidhjes së Sporteve të Kamenicës, prof. Sevdai Thaçi, mbajti një takim vlerësues me arsimtarët dhe organizatorët. Në këtë takim diskutuan: Sevdai Thaçi, Rexhep Gashi, Agim Jakupi, Zeqir Lenjani, Ymerzad Thaçi, Musa Thaçi dhe Ramadan Beqiraj.
Sevdai Thaçi vlerësoi përgatitjen e shtegut dhe angazhimin e arsimtarëve dhe organizatorëve vendas, duke theksuar se, me gjithë mungesën e mjeteve teknike dhe pengesat politike, gara u realizua me sukses të plotë.
Në fjalën e tij, kryetari i Klubit Atletik “Arbëria”, Rexhep Gashi, theksoi se klubi ishte formuar së voni, por kishte arritur rezultate të mira në këtë kampionat, duke zënë edhe vendin e dytë në plasmanin e përgjithshëm dhe duke nxjerrë fitues në disa kategori.
Ai përmendi gjithashtu trajnerët Agim Jakupi dhe Sadullah Thaçi, si dhe arsimtarët Ymerzad Thaçi dhe Zeqir Lenjani, për kontributin e tyre në udhëheqjen dhe organizimin e klubit.
Trajneri Agim Jakupi theksoi se, ndonëse stërvitjet kishin filluar me vonesë për mungesë kushtesh, rezultatet nuk munguan dhe se në të ardhmen priteshin suksese edhe më të mëdha falë përfshirjes së arsimtarëve të edukatës fizike nëpër shkolla.
Nga ana teknike, Zeqir Lenjani foli për vështirësitë në përgatitjen e shtegut, duke pranuar mungesën e mjeteve teknike, por duke falënderuar të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e garës.
Sevdai Thaçi, në përmbyllje, theksoi se sporti ishte një nga format e organizimit shoqëror dhe pavarësisht pengesave politike, dhe okupatorit serb që nuk i përballon dot aktivitetet sportive, para syve të tij në stadiumin e qytetit, ato do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Ai falënderoi fshatin Karaçevë për mikpritjen dhe klubet pjesëmarrëse nga e gjithë Kosova.
Moderatori i emisionit të improvizuar, Xhevdet Kallaba, theksoi se në këtë kampionat u dëshmua ekzistenca e shumë talenteve sportive, të cilat duhej të mbështeteshin edhe materialisht. Në këtë drejtim pritjet më të mëdha janë nga mërgata e Kamenicës.
Në fund, kryetari Rexhep Gashi falënderoi kryeorganizatorin Sevdai Thaçin, ndërsa ky i fundit u përgjigj me fjalët: “Së bashku më të fortë!”
Kampionati i Karaçevës mbetet një dëshmi se sporti në vitet ’90 nuk ishte vetëm aktivitet fizik, por edhe formë e organizimit shoqëror dhe ruajtjes së identitetit kombëtar në kushte okupimi.
- Advertisement -
- Advertisement -