Rogana i dha lamtumirën e fundit Avni Mefail Kryeziut (1982 – 2026)
Në praninë e familjarëve, kolegëve dhe qindra qytetarëve nga Komuna e Dardanës, Gjilani dhe më gjerë, në fshatin Roganë iu dha lamtumira e fundit Avni Mefail Kryeziut (1982–2026), punëtor i Agjencionit të Emergjencave në Dardanë/Kamenicë.
Mes lotëve të dhembjes dhe krenarisë për figurën e tij, familjarë, miq e bashkëpunëtorë u ndanë nga Avniu, i cili vetëm pak ditë pas ndarjes nga jeta të nënës së tij, mori rrugën e saj drejt amshimit.
Ceremonia mortore u udhëhoq nga imami i fshatit Roganë, z. Besir Kryeziu, i cili bashkë me kolegët e tij besimtarë lexoi lutje për shpirtin e të ndjerit. Gjatë ceremonisë u lexuan edhe telegrame ngushëllimi nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës dhe nga Agjencioni i Menaxhimit të Emergjencave në Kamenicë.
Në telegramin e MPB-së, ndër të tjera thuhej:
“Me pikëllim të thellë kemi pranuar lajmin për ndarjen nga jeta të Avni Kryeziut, pjesëtar i Shërbimit Profesional të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Kamenicë. Ndarja e tij e parakohshme është humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë, por edhe për kolegët me të cilët shërbeu për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve tanë. Puna dhe përkushtimi i tij do të mbeten shembull frymëzues për brezat e rinj.” Telegrami i ngushëllimit i nënshkruar nga ministri i MPB-së Xhelal Sveçla iu dorëzua vëllait të Avniut, z. Hamdi Kryeziut.
Imami i fshatit njoftoi se ishte pranuar edhe një telegram tjetër ngushëllimi nga Komandanti i Zjarrfikësve, ku ndër të tjera thuhej:
“Sot jemi mbledhur me zemër të rëndë për të të dhënë lamtumirën e fundit. Për 16 vite me radhë ishe më shumë se koleg, ishe shok, vëlla dhe shembull për të gjithë ne. Profesionin e zjarrfikësit e ushtrove me përkushtim, ndershmëri dhe guxim. Buzëqeshja jote, fjala e mirë dhe gatishmëria për të ndihmuar do të na mungojnë pafund.”
Në fund të ceremonisë, imami falënderoi të gjithë të pranishmit dhe njoftoi se e pamja do të mbahet tri ditë. Në emër të familjes, vëllai i të ndjerit, Hamdi Kryeziu, falënderoi secilin për pjesëmarrjen dhe kërkoi hallallin për mundimin e bërë në këtë ditë dhembjeje.
Lavdi jetës dhe veprës së Avni Mefail Kryeziut.
- Advertisement -
- Advertisement -