6.5 C
Kosovo
08/02/2026

«FLAKA E JANARIT» NËPËR KOHË

Arkivi

Në kujtim të 31-vjetorit të «Flakës së Janarit» në Hogosht (29 janar 1995) po publikoj këtë kumtesë të përgatitur për një Flakë të Janarit që duhej të ndodhte sot, por që më shumë doli të jetë një tryezë për shqyrtimin e organizimeve të manifestimeve kushtuar heronjve të janarëve në trevën tonë, e që u mbajt në ambientet e Klubit Letrar «NOSITI! në Dardanë/Kamenicë.

Kumtesë për manifestimin “Flaka e Janarit 2026”, Dardanë

Xhevdet Kallaba

Flaka e Janarit tashmë nuk është vetëm një manifestim kalendarik. Ajo është bërë një gjendje shpirtërore, një vetëdije kolektive që bashkëjeton me zemrat dhe ndërgjegjen e krijuesve të Dardanës dhe më gjerë. Ajo nuk ndizet më vetëm si kujtesë, por si frymëzim; jo vetëm si përkujtim, por si amanet.

Ndonëse nisi si shenjë nderimi për Jusuf e Bardhosh Gërvallën, Kadri Zekën, Rexhep Malën dhe Nuhi Berishën, kjo Flakë sot ka shtrirë dritën e saj përtej një date dhe përtej disa emrave. Ajo ndriçon gjithë janarët e acartë të historisë sonë – që nga koha e Skënderbeut e deri në ditët e shtetndërtimit modern.
Janari shqiptar nuk është thjesht muaj dimri; është muaj prove, muaj qëndrese dhe sakrifice.

Ky acar historik nuk është vetëm figurë poetike. Ai ka qenë real, trupor, i ndjerë në mish e në kockë. Letërsia jonë e ka fiksuar këtë përvojë në vargje të dhimbshme, si në poezinë “Dimri i acartë”, i autorit të këtyre rreshtave, ku thuhet:

“Bora po pëlciste nga të ftohtit,
buzë hambarit, me fytyrë kah veriu.
Për qejfin e okupatorit
pafajshëm Haziri mërdhiu e ngriu.”

Këtu dimri nuk është vetëm stinë, por mjet torture; veriu nuk është vetëm drejtim, por kërcënim; ngrirja nuk është vetëm mot, por politikë shtypjeje.
Ky është janari i historisë sonë – një janar që nuk harrohet, sepse është shkruar në trupat e njerëzve dhe në ndërgjegjen kolektive.

Me kalimin e kohës, këta janarë nuk mbetën vetëm muaj kujtese, por u bënë edhe shtrat i vlerave krijuese: i poezisë, i këngës dhe i fjalës së shkruar. Krahas figurave të atdhetarëve, sot trajtohet edhe ideali për të cilin ata u flijuan. Dikur kërkohej liria dhe pavarësia; sot kërkohet uniteti dhe shtetndërtimi. Nga revolta kaluam te përgjegjësia.

Prandaj duhet vlerësuar edhe veprimtaria e atdhetarëve që ende jetojnë mes nesh. Janë njerëz që e ndjenë sakrificën në lëkurën e tyre: një gjeneratë e tërë mësuesish, edukatorësh dhe intelektualësh që mbajtën gjallë dashurinë për atdheun, duke u organizuar në forma kulturore, arsimore e deri te rezistenca e armatosur.

Sot kemi një plejadë të burgosurish politikë që sakrifikuan rininë e tyre për ta bërë veten lokomotivë të shtetndërtimit. Burgjet nuk ua shuan zërin; përkundrazi, ua kalitën fjalën.

Manifestimet e viteve ’90 qenë armë e fortë kundër regjimit që kishte shkaktuar këtë acar janarësh. Pas çdo Flake të Janarit, dikush merrej në bisedë informative, dikush tjetër torturohej, por në vend se të shuhej shpresa, ajo ndizte edhe më shumë etjen për liri e pavarësi.
Flaka, sa më shumë rrihej, aq më shumë ndriçonte. Një atdhetar yni, madje vajzën e tij e emërtoi FLAKË.

Edhe ky manifestim i sotëm është fryt i sakrificës së intelektualëve që për më shumë se tridhjetë vjet e mbajtën gjallë këtë Flakë duke qëndruar vertikalisht kombëtarisht, pa u përkulur para frikës dhe pa e shitur kujtesën.

Në këtë acar janarësh sot ka ngrohtësi. Kjo Flakë nuk mbahet më fshehur në periferi, por në zemër të komunës, në praninë e institucioneve. Nga rezistencë ilegale është shndërruar në vlerë publike. Nga akt guximi është bërë akt shtetëror.

Reflektimi i Flakës së Janarit në Anamoravë tashmë ka marrë dhénë gjithandej trojeve shqiptare për të përçuar mesazhin e atyre që u flijuan jo vetëm për lirinë, por për unitetin njerëzor dhe shtetëror.
Kjo Flakë sot nuk djeg, por ndriçon; nuk ndan, por bashkon; nuk kërkon hakmarrje, por kujtesë dhe përgjegjësi.

Dhe për sa kohë do të ketë kujtesë, do të ketë edhe Flakë.
Për sa kohë do të ketë Flakë, nuk do të ketë errësirë.

 

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja