Pjesa e tretë dhe përmbyllëse sjell momentin e shkëputjes nga APJ, përballjen me vitet e rrezikshme të ’90-ave, angazhimin pas luftës në ndërtimin e institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe reflektimin e Gjeneral Qehajës mbi shtetin, profesionalizmin dhe përgjegjësinë morale. Një mbyllje që nuk është fund, por përmbushje.
Nga Xhevdet Kallaba
Pjesa III
Pse Koloneli Qehaja vendos të kërkojë pensionim të parakohshëm dhe çfarë ndjesie i la përfundimi i karrierës në APJ?
Vendimin për të kërkuar pensionim të parakohshëm nuk e kishte marrë nga lodhja fizike, por nga instinkti i mbijetesës dhe përgjegjësia morale. E kishte kuptuar se po vinte në një pikë ku “strategjia dalëse” ishte e vetmja mënyrë për të mos u shndërruar në pjesë të një makinerie që po i kthehej hapur kundër popullit të tij. Dezertimi ishte i rrezikshëm, i lehtë për t’u kriminalizuar dhe do ta vinte menjëherë në shënjestër; pensionimi, përkundrazi, ishte rruga e vetme ligjore për t’u shkëputur pa e vënë familjen në rrezik të menjëhershëm.
Në nëntor 1990 vendos ta kërkojë pensionimin edhe pse ishte ende pa i mbushur të 50-tat, sepse stazhi i beneficuar dhe vitet e gjata në “trupë” ia mundësonin. Më 20 dhjetor 1990 e formulon lutjen. Kur i ishin përgjigjur pas 20 ditësh, vendimi kishte një shije cinike: pensionimi do të fillonte më 31 dhjetor 1991, ndërsa deri atëherë do të ishte “në dispozicion” të Korpusit 52 për “caktim luftarak”. Pikërisht kjo e tmerronte: mundësia që, në prag lufte, ta thërrisnin si rezervist dhe ta fusnin në një skenar ku do të duhej të shërbente kundër ndërgjegjes së tij. Prandaj ishte tërhequr nga detyra gati pa u përshëndetur me askënd—jo nga mungesa e respektit, por nga frika se çdo ditë e çdo fjali mund të kthehej në grackë.
Ramadan Qehaja me bashkëshorten Nazën, 25 nëntor 2000 në Kamenicë
Gjeneral Qehaja gjatë një vizite TMK-së në ushtrimit fushor «Shqiponja 3» më 25 shtator 2001
Gjeneral Qehaja gjatë një vizite TMK-së në ushtrimit fushor «Shqiponja 3» më 25 shtator 2001
Koha paspensioniste – përkushtim më i madh ndaj familjes
Me autorin e këtij shkrimi – Xhevdet Kallabën
Gjatë një vizite familjare në Roganë
Gjatë një vizite familjare në Roganë
Me Xhedvet Kallabën – vizitë me shkas
Ndjesia që i kishte lënë përfundimi i karrierës në APJ ishte një përzierje e rëndë: zhgënjim i thellë, mllef dhe një trishtim i ftohtë. Viti 1991 për Kolonel Qehajën ishte më i rëndë se shumë vite në shërbim, sepse si ushtarak e shihte qartë kah po shkonte projekti i dhunës. Në vend të uniformës dhe strukturës, jeta e tij ishte kthyer te gjërat elementare: t’i mbante fëmijët të sigurt, t’i përcillte nëpër shkolla private, të mbikëqyrte binjakët në klasë të parë, të jetonin me pasiguri të përditshme dhe me bindjen se e përcillnin në çdo hap. Edhe mendimi për ta braktisur vendin i kishte kaluar nëpër mend, por frika e asimilimit të fëmijëve ia kishte mbyllur atë derë.
Kulmi emocional i asaj ndarjeje kishte ardhur në natën e Vitit të Ri 1992: lagjja Ulpiana ishte bërë poligon i hapur, me të shtëna armësh nga oficerë e fqinjë serbë, një shfaqje force që e bënte të qartë se rendi i vjetër po lindte një realitet të ri: frikë, kërcënim, arbitraritet. Në atë klimë, pensionimi nuk ishte përjetuar si “mbyllje normale karriere”, por si dalje nga një shtëpi që po digjej—duke marrë me vete vetëm atë që s’mund të të merrej: familjen, ndërgjegjen dhe vendosmërinë që një ditë, në një formë tjetër, t’ia shërbente popullit të vet.
Pastaj kishte ardhur edhe dilema e fundit: të jesh ushtarak i karrierës, i dalë nga një sistem që po shembej, dhe të mos rrish pasiv. Prandaj kontaktet e fshehta—takimi me dr. Rugovën më 17 mars 1992, frika e arrestimit, raportimi për rrezikun e armatosjes dhe strukturat e forcave—ishin shenjë se karriera kishte mbaruar në letër, por përgjegjësia nuk kishte mbaruar në ndërgjegje. Dhe kjo, në thelb, ishte ndjesia e fundit që ia la APJ-ja: jo krenari institucionale, por bindja e hidhur se e kishte mbyllur një kapitull për të mos u bërë pjesë e një tragjedie që po vinte.
Inkuadrimi i tij në TMK dhe institucionet e Kosovës pas luftës: a e sheh këtë si përmbushje morale të një misioni jetësor? Çfarë mesazhi do t’u jepte brezave të rinj?
Pas luftës, inkuadrimi i tij në TMK dhe më pas në institucionet e Kosovës, për Gjeneral Qehajën nuk ishte thjesht “rikthim në uniformë”, por rikthim në kuptim. Po, e shihte si një përmbushje morale të një misioni jetësor, sepse pas një karriere të gjatë ku shpesh ishte i detyruar të shërbente në struktura që në fund u kthyen kundër popullit të tij, më në fund erdhi koha që përvoja, disiplina dhe dija e tij ushtarake të viheshin në shërbim të Kosovës – jo si hakmarrje, por si ndërtim.
Kur u demilitarizua UÇK-ja dhe në fillim të nëntorit 1999 kishte nisur formësimi i TMK-së, ftesa e Agim Çekut që ai ta themelonte Akademinë e Mbrojtjes ishte momenti kur e kishte kuptuar se po hapej një faqe e re: institucionalizimi i përvojës. E kishte pritur me habi, sepse ai ishte shumë më i ri dhe nuk kishte si ta njihte mirë, por e kishte pranuar me bindje – dhe kështu nisi kontributi i tij më konkret në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë së Kosovës. Në kushte të varfra e pa privilegje, pa veturë zyrtare, me një “Zastava 750”, merret me punën themelore: gjetjen e hapësirës, sigurimin e inventarit, ndërtimin e planprogramit, përzgjedhjen e stafit mësimdhënës me përgatitje reale akademike e ushtarake dhe vendosjen e rregullit financiar që të mos lejohej asnjë keqpërdorim. Kjo ishte “lufta” e tij e re: luftë për sistem, standard dhe disiplinë në një kohë euforie ku shumëkush donte komandë pa dije dhe autoritet pa përgjegjësi.
E vërteta është se aty e kishte parë nga afër edhe një plagë shqiptare: xhelozia, tendenca për dominim dhe frika nga profesionalizmi. E quajnë “të ashpër”, “komunist”, “i tejkaluar”, sepse kërkonte raportim me afat, kërkonte rend dhe nuk lejonte improvizime. Ballafaqohet me rezistencë edhe brenda strukturave të TMK-së: fyerje ndaj kuadrove të shkolluara, paragjykime “FARK” apo “të papërshtatshëm”, madje edhe anashkalime publike. Paradoksi më i hidhur ishte momenti kur, në hapjen e Akademisë, ndërkombëtarët – Kouchner dhe gjenerali Rainhard – e falënderojnë dhe e respektojnë hapur, ndërsa drejtuesit tanë tregohen të kursyer, sikur frikësoheshin se mos dikush mbetej “në hije”. Megjithatë, nuk e lë punën, sepse e konsideron më të madhe se egon e kujtdo: Akademia ishte parë nga shumica si institucion serioz dhe ishte identifikuar me profesionalizmin dhe standardin.
Kur zëvendësohet dhe shtyhet drejt mënjanimit, nuk bëri zhurmë. E bëri pranimdorëzimin me dinjitet, me procesverbal të formësuar si dokument institucional, sepse besonte se edhe largimi duhet të jetë pjesë e kulturës së shtetit. Edhe kur ishte ndier i padëshiruar nga disa qarqe, ai vendos të qëndrojë edhe pak – jo për karrige, por për mesazh. Fjalët e Mahmut Bakallit, se “vetëm hyrja dhe dalja jote me çantë në dorë ka domethënie”, ia kishin përforcuar bindjen se prania e tij atje kishte peshë simbolike: Kosova duhej të dukej se po ndërtonte struktura jo mbi inat, por mbi profesionalizëm.
Nga kjo pikëpamje Gjenerali Qehaja lë një mesazh për brezat e rinj. Ai është i thjeshtë, por i ashpër si e vërteta:
Shteti nuk mbahet me eufori – mbahet me dije, rregull dhe përgjegjësi. Lufta e fituar është vetëm fillimi; pa institucione, fitoret treten.
Mos e ngatërroni trimërinë me kompetencën. Respekti për luftën është i shenjtë, por drejtimi i institucioneve kërkon shkollim, disiplinë dhe karakter.
Mos u bëni “të partisë” – bëhuni të ligjit. Nepotizmi, obstruksioni dhe zilia e hanë shtetin nga brenda më shpejt se armiku nga jashtë.
Nderi i një njeriu matet kur ka pushtet. Kur të keni mundësi të përfitoni padrejtësisht, aty fillon prova e vërtetë e moralit.
Shërbeni, por mos e shisni veten. Në çdo epokë ka presion, ka kompromis, ka “marrëveshje”; ruajeni boshtin tuaj moral, sepse ai është pasuria e vetme që nuk ju merret.
Për fund Gjenerali Qehaja thotë se kontributin e tij pas luftës e sheh si një mbyllje morale të rrethit – jo sepse gjithçka shkoi për mrekulli, por sepse kishte mundësinë të provojë se Kosova mund të ndërtohet edhe me disiplinë, standard dhe dinjitet, edhe kur rrethanat, njerëzit dhe interesat përreth të shtyjnë drejt së kundërtës.
Pas pensionimit, nga gjeneral në jetën civile: si e përjetoi Ramadan Qehaja këtë ndryshim personalisht dhe familjarisht?
Pas pensionimit, kalimi nga jeta e një gjenerali në uniformë në jetën civile nuk ishte thjesht ndryshim profesioni; ishte një ndryshim i identitetit, një “zhveshje” graduale nga ritmi i urdhrit, hierarkisë dhe disiplinës së përditshme – dhe një hyrje në një botë ku fjala, analiza dhe ndikimi publik nuk maten me komandë, por me bindje, argument dhe aleanca.
Fillimisht, këtë ndryshim e kishte përjetuar si zhvendosje të qetë, por të rëndë: nga një sistem ku gjithçka ka procedurë, në një realitet ku shpesh mbizotëron improvizimi. Megjithatë, nuk kishte mbetur bosh. Në Kosovën e pasluftës, me formimin e departamenteve të UNMIK-ut, hapet Departamenti i Mbrojtjes Civile dhe aty ai ftohet për çështje të planifikimeve operacionale; e shfrytëzon këtë si moment për ta lënë TMK-në dhe për të hyrë në një rol të ri, civil, por prapë në shërbim të sigurisë. Pastaj formohet Zyra e Koordinatorit të TMK-së pranë UNMIK-ut, ku ai emërohet këshilltar për trajnime – një pozicion paradoksal, sepse tash e shihte TMK-në “nga ana tjetër”: nga syri mbikëqyrës i ndërkombëtarëve. Kjo kishte sjellë edhe ftohje te disa eprorë: kur je në strukturë, të duan; kur bëhesh filtër, të shohin me dyshim.
“Në plan personal e familjar, kjo periudhë kishte dy fytyra”, rrëfen në librin biografik Gjeneral Qehaja. “Nga njëra anë, kishte qetësi relative: më shumë prezencë në familje, më pak terren, më pak net pa gjumë. Nga ana tjetër, kishte trysni të reja, sepse jeta civile pas luftës nuk të falte “biografinë”: të njihnin, të vlerësonin, por edhe të frikësoheshin prej zërit tënd”. Kur në vitin 2002 botoi analizën në “Zëri” ku fliste hapur për nevojën e formimit të Ushtrisë së Kosovës, reagimi i kryeadministratorit Michael Steiner ishte aq i ashpër sa ishte shqyrtuar edhe largimi i tij nga detyra. Aty e kishte kuptuar qartë: edhe jashtë uniformës, përballja me kufijtë e lejuar vazhdonte – vetëm se tani kufiri nuk ishte më kazermë, por politika e ngurtë e administrimit ndërkombëtar. Gjenerali anglez që udhëhiqte zyrën ishte shqetësuar, dhe e kishte këshilluar të bënte “kujdes” në shkrime, por në fund kishte hequr dorë nga ideja e largimit të tij. Kjo ia kishte lënë një ndjesi të dyfishtë: kënaqësinë se fjala e tij kishte peshë, por edhe hidhërimin se e vërteta shpesh i bezdis ata që kanë pushtetin, edhe kur është e drejtë.
Dhe, si për ta dëshmuar se nuk kishte ndërmend të heshtte, vazhdoi me analiza, duke kërkuar rol më të madh vendor në ndërtimin e sektorit të sigurisë. Kulmi i kësaj faze ishte libri i tij i vitit 2004, “Çështjet e Sigurisë Nacionale të Kosovës”, një nga botimet e rralla të kohës për këtë fushë, që u prit me interes dhe u bë një lloj dëshmie se ai, edhe në jetën civile, nuk po bënte jetë të “pensionistit të qetë”, por po kërkonte që Kosova të ndërtonte themele shtetërore edhe në siguri.
Familjarisht, këto vite ishin shoqëruar me përballje të heshtura: shqetësimi për nënën e sëmurë, barra e përgjegjësive të shtëpisë, dhe presioni që s’ishte më ushtarak, por publik. Kur ishte emëruar këshilltar politik për siguri i kryeministrit Bajram Kosumi (2005), përgjegjësia ishte rritur: takime me komandantin e KFOR-it, me krerët e UNMIK-ut, përgatitje fjalimesh, autorizim për deklarime publike, punë për themelimin e ministrive të rëndësishme. Por kjo e kishte sjellë edhe një goditje tipike të tranzicionit: intriga, keqkuptime, dhe madje një thirrje telefonike kërcënuese për jetën e tij – një sinjal i ftohtë se jeta civile në Kosovë mund të jetë po aq e rrezikshme sa terreni, vetëm se armët janë më të padukshme.
Më pas, me ndryshimet politike, e sheh edhe një realitet tjetër që e vret njeriun moralisht: në vend se përvoja të shërbejë si kapital shteti, shpesh trajtohet si pengesë. Mosangazhimi i tij partiak bëhet arsye pse “s’ishte i përshtatshëm” – jo për mungesë kompetence, por për mungesë fanele. E kishte provuar edhe në AKR, ku e sheh lojën e brendshme, manipulimin, vjedhjen e votës dhe shndërrimin e shpresës në zhgënjim. Këtu ndryshimi personal bëhet më i thellë: e kupton se në uniformë të mban sistemi; në jetën civile, duhet të të mbajë karakteri.
Pikërisht për këtë, fundi i këtij rrugëtimi civil nuk ishte dorëzim, por kthim te misioni në formë tjetër: themelimi i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) në vitin 2008, si punë e një njeriu që nuk pranon të plaket duke u ankuar. Aty, bashkë me djalin e tij dhe një ekip të ri, krijojnë një platformë ku kontributi i Gjeneral Qehajës dhe trashëgimia profesionale u kthyen në institucion, në dije, në ndikim publik – dhe kjo, për atë dhe për familjen, ishte një lloj stabilizimi emocional: kur nuk ta japin rolin, ti e krijon vetë hapësirën ku roli ka kuptim.
Në fund, këtë kalim nga gjeneral në civil e përjeton si një rrugë me tri ndjenja kryesore: lehtësim që nuk ishte më pjesë e aparateve të dhunës, peshë sepse fjala e lirë në civil kishte kosto, dhe krenari e heshtur sepse, pavarësisht goditjeve, nuk ishte bërë as dekor, as heshtës – por vazhdonte të shërbente, vetëm se tash pa gradë, me mendje, me penë dhe me institucion.