Në jetën e një populli të vogël, por me histori të rëndë, ka njerëz që nuk kërkojnë të jenë figura publike, por që mbeten gurë themeli të dinjitetit kolektiv. Ata nuk i gjen në faqet e para të historisë zyrtare, por në kujtesën e gjallë të kohës, atje ku mbijetesa, qëndresa dhe nderi ndërthuren në heshtje. Një i tillë është Rrahman Jakupi – njeri i fshatit, i dijes, i uniformës dhe i mërgimit – jeta e të cilit përkon me kthesat më të vështira të fatit shqiptar në gjysmën e dytë të shekullit XX.
Nga Xhevdet Kallaba
Rrënjët e këtij rrëfimi nisin në Hashaninë e dikurshme, një trevë shqiptare në lindje të Kosovës, e njohur për jetë të qetë rurale, punë të ndershme dhe lidhje të forta komunitare, por edhe për mungesë të vazhdueshme të vëmendjes institucionale. Në këto rrethana u formua edhe Rrahman Jakupi, mes shkollës së fshatit, rrugës së dijes dhe realitetit të një hapësire që, sa herë forcohej kërkesa shqiptare për barazi e liri, përballej me presion, diskriminim dhe shpërngulje të detyruar.
Dikur, Malësia e Bujanocit – Hashania, kjo krahinëz e bukur në lindje të Kosovës, ishte hapësirë jete, pune dhe shprese. Fshatra si Novosella, Zarbica, Priboci, Qarri, Ramabuqa e të tjerë gumëzhinin nga zëri i bagëtive, nga mundi i bujqve dhe nga ëndrra e brezave që rriteshin me tokën dhe traditën. Aty, mes bukurisë natyrore dhe jetës së thjeshtë, u formuan njerëz me karakter të fortë, të mësuar të qëndrojnë dhe të përballen me kohën. Njëri prej tyre është Rrahman Jakupi, djali i mësuesit Jakup Jakupi, i cili, ndër të parët mësues që nga viti 1955 punoi në Malësinë e Bujanocit, duke e mbjellë farën e diturisë, jo vetëm tek i biri i tij, por ndër shumë breza të asaj ane.
Rrahman Jakupi lindi më 19 janar 1956 në fshatin Novosellë të komunës së Bujanocit, në një mjedis ku jeta nuk dhurohej, por fitohej me punë dhe durim. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa arsimin e mesëm në Bujanoc, për të vazhduar më pas studimet në drejtimin Gjeografi–Histori në Shkup. Si shumë bij të kësaj treve, ai ishte i lidhur fort me vendin e vet. U kthye në fshat dhe punoi si mësimdhënës, duke u përpjekur t’u japë brezave të rinj dije dhe vetëdije, deri në vitin 1981.
Po ai vit shënoi një kthesë të rëndësishme në jetën e tij. Rrahman Jakupi u punësua në Policinë e Kosovës, në një kohë kur tensionet politike dhe kombëtare po rriteshin ndjeshëm. Për gati një dekadë ai shërbeu si polic shqiptar në një sistem gjithnjë e më armiqësor ndaj vetë shqiptarëve. Në atë uniformë, për të, detyra nuk ishte thjesht zbatim urdhrash, por mbrojtje e qytetarit dhe e dinjitetit njerëzor.
Një episod i vitit 1990 në Gjilan e dëshmon më së miri këtë qëndrim. Teksa patrullonte me kolegë serbë, pesë policë serbë sulmuan brutalisht deri në përgjakje vozitësin e gazetës “Rilindja”, Naser Rexhepin. Rrahman Jakupi ndërhyri për ta mbrojtur qytetarin shqiptar. I penguar nga kolegët, ai reagoi me vendosmëri, duke i detyruar policët serbë, me armë në dorë, të dorëzohen dhe t’i shoqërojë në stacionin policor. Ky akt nuk u shpërblye me drejtësi, por me ndëshkim: drejtuesit e policisë nuk e mbrojtën, përkundrazi, e suspenduan nga puna.
Pas largimit masiv dhe të dhunshëm të policëve shqiptarë nga shërbimi, Rrahmani, bashkë me kolegë të tjerë, vazhdoi veprimtarinë në mënyrë ilegale. Ata dokumentonin torturat ndaj shqiptarëve, merrnin dëshmi dhe i dërgonin ato në adresat e duhura, duke rrezikuar veten për ta ruajtur të vërtetën.
Ndërkohë, familja Jakupi ishte shpërngulur nga Novosella në fshatin Petrit të Kamenicës. Vitet 1993–1994 e rënduan tej mase situatën e sigurisë. Kërcënimet nga fshati fqinj Ranillugu, i banuar nga serbë dhe mercenarë të ardhur nga Serbia, e shndërruan jetën në ankth të përditshëm. Bastisjet policore, presioni dhe torturat u bënë të zakonshme. Rrahman Jakupi u burgos për dy muaj dhe u lirua me kusht, ndërkohë që ndaj tij rëndonte një proces gjyqësor. Në mungesë, ai u dënua me dy vjet e gjysmë burg.
Në këtë rrethanë, për të shpëtuar nga përndjekja dhe për të ruajtur jetën, ai u detyrua të largohej nga Kosova dhe të emigronte në Zvicër. Shteti zviceran ia njohu azilin politik dhe ai u vendos në Kantonin e Cyrihut, ku më pas u punësua në Burgun e Cyrihut si pjesë e shërbimit të sigurisë “Securitas”. Atje, me përkushtim dhe korrektësi, ndërtoi një jetë të re, duke realizuar edhe bashkimin familjar.
Megjithatë, Rrahman Jakupi kurrë nuk u shkëput shpirtërisht nga vendlindja. Gjatë viteve të rënda 1998–1999, ai dha kontribut të çmuar në mbështetjen morale dhe materiale të refugjatëve shqiptarë, duke qenë aktiv në shoqatat dhe aksionet humanitare të mërgatës shqiptare në Kantonin e Cyrihut.
Sot, në 70-vjetorin e lindjes, jeta e Rrahman Jakupit përfaqëson rrugëtimin e një brezi të tërë shqiptarësh: nga fshatrat e Hashanisë, përmes përndjekjes dhe sakrificës, deri në mërgim. Është historia e një njeriu që nuk e humbi kurrë busullën morale, që e mbrojti qytetarin kur drejtësia mungonte dhe që, edhe larg atdheut, mbeti i lidhur me fatin e popullit të vet.
Ky përvjetor jubilar nuk është vetëm festë e moshës, por nderim për një jetë të jetuar me dinjitet, guxim dhe ndershmëri.