-1.5 C
Kosovo
31/12/2025

17 VJET KUJTIME E MALL, VËLLA EKREM -Elegji përkujtimore

Arkivi

In memoriam

Në 17-vjetorin e ndarjes nga kjo botë të vëllait Ekrem Kallaba 1944 – 2008

Nga Xhevdet Kallaba

Të kujtoj gjithherë, në dimër kur ndërrove jetë,
e në verë kur kishe ardhur për të parën herë.

Të kujtoj qëkur nisa të të njoh,
kur më mbaje në krah, e më jepje krahë.

Të kujtoj sa herë shkruaj e lexoj,
se shkronjat e para prej teje i mësova,
kur ti ishe në të tetën shkallë,
e unë, i vogli, në të parën mezi ngjitesha.

Të kujtoj kur më mësove notin
dhe peshkimin me dorë.

Të kujtoj kur më trimërove
ta ngas vetë biçikletën,
e kur më thoje gjithnjë:
thuaje të vërtetën.

Të kujtoj kur mësoje nën llambadarin e lagjes,
e i jepje krenari e shpresë
gjyshit, babës e axhës.

Të kujtoj kur fillove duhanin,
e mua më preferoje bostanin.

Të kujtoj çdo verë kur ruaje bagëtinë
në shpat, në fushë e në ligatinë.

Të kujtoj kur babai e nëna të qortonin
se gocat e qytetit fort të donin.

Të kujtoj në mësime e në pësime,
se jeta s’ishte veç gëzime.

Të kujtoj kur e dërgoje agën në spital,
por edhe kur dilnit për gjah në mal.

Të kujtoj, vëlla, përherë,
edhe kur u fejove dhe kur u martove.

Të kujtoj, kur të lindi një djalë për mall

e u gëzuan shokë miq e një mëhallë.

Të kujtoj edhe kur luftoje për dije, shtet e ideal

Dhe angazhoheshe me shokë pa ndalë.

Të kujtoj edhe si profesor

Kur duhej të mësoja me zor.

Të kujtoj edhe në mallëngjime,
kur prej nesh u ndanë babë e nanë
dhe shkuan matanë.

Të kujtoj me dhembje, sidomos çdo 11 dhjetor,
kur u ndave nga kjo botë si një meteor.

Dhe sot, vëlla,
nga largësia ku je shndërruar në dritë,
ti ende na prek me kujtimet,
na rrit me shembullin tënd,
na mëson si të durojmë mallin.
Prehu i qetë —
se emri yt rron në zemrat tona
sot e përjetë!

 

 

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja