PRITJE FESTIVE PËR PARASHKOLLORËT NË KOMUNËN E KAMENICËS
“Qilimi i kuq” për kryetarët e vegjël të qytetit
Kamenicë, 16 shkurt 2026: Në prag të 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Komuna e Kamenicës hapi dyert për më të vegjlit e qytetit, duke shtruar simbolikisht “Qilimin e kuq” për parashkollorët e Institucionit Parashkollor “Filizat”.
Nga Xhevdet Kallaba
Fëmijët u pritën nga kryetari i komunës, Kadri Rahimaj, së bashku me stafin e tij, në një atmosferë të ngrohtë dhe festive, në zemër të qytetit. Duke iu drejtuar të vegjëlve, kryetari u shpjegoi me fjalë të thjeshta rolin e komunës në jetën e përditshme: kujdesin për pastërtinë, ngrohjen në çerdhe e shkolla, furnizimin me ujë dhe përmirësimin e jetës në qytet e fshat.
“Kur kam qenë fëmijë, gjithmonë pyesja kush e mban qytetin të pastër e kush na ndihmon të kemi një jetë më të mirë. Kur u rrita, e kuptova se komuna është ajo që kujdeset për të gjitha këto,” u shpreh ai para fëmijëve.
“Kryetarët e vegjël” të Kamenicës
Në një moment simbolik dhe plot emocion, kryetari u dha fëmijëve një titull të veçantë: “Kryetarët e vegjël të Kamenicës”. Ai theksoi se qyteti është i pastër dhe i bukur edhe falë vetëdijes së fëmijëve, të cilët mbeturinat i hedhin në kosh dhe kujdesen për mjedisin.
Të veshur me ngjyra festive, disa edhe me uniforma simbolike të UÇK-së, fëmijët sollën atmosferë patriotike dhe entuziazëm në ambientet e komunës, duke shënuar në mënyrë të veçantë Ditën e Pavarësisë.
Biseda me ta ishte e gjallë dhe plot buzëqeshje. Një nga fëmijët e pyeti kryetarin nëse ishte ushtar. “Ju jeni ushtarë të vegjël, ndërsa unë jam kryetar. Por ndoshta në të ardhmen do të bëhem edhe unë ushtar,” u përgjigj ai me humor, duke marrë një “pooo!” të fuqishme nga të vegjlit.
Lule, lodra dhe ëndrra për qytetin
Kryetari i pyeti fëmijët nëse dëshironin më shumë lodra dhe lule në kopshtin e tyre. Përgjigjja ishte njëzëri: po! Ata kërkuan lule shumëngjyrëshe – të gjelbra, të kuqe, të verdha – madje edhe me ngjyrat e flamurit të Kosovës (kaltër e verdhë) dhe atij kombëtar (kuq e zi).
Kur u pyetën se kush do t’i ujiste lulet, të gjithë ngritën duart me entuziazëm.
Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së kopshtit, znj. Fatime Leci, falënderoi kryetarin Rahimaj dhe stafin komunal për organizimin e kësaj vizite të veçantë. Ajo kishte përgatitur edhe një dhuratë simbolike për komunën dhe kryetarin – Hartën e Kosovës të punuar nga Institucioni Parashkollor “Filizat”.
Disa nga fëmijët recituan dhe kënduan këngë në nderim të kryetarit dhe stafit komunal, duke e bërë takimin edhe më të ngrohtë.
Zgjedhja simbolike e kryetarit të ri
Në vijim të aktivitetit, kryetari Rahimaj hodhi një propozim para “filizave”: të zgjidhej kryetari i ri i Kamenicës. Me aklamacion, fëmijët votuan për Blond Bunjakun, duke e zgjedhur simbolikisht atë në këtë rol.
Në përmbyllje, kryetari u shpërndau të gjithë fëmijëve nga një certifikatë me titullin “Kryetari i Vogël i Kamenicës”, ku shkruhej:
-
Të mbrosh çdo lule dhe pemë në qytet;
-
Të ndihmosh shokët dhe të luash me gëzim;
-
Të ëndërrosh gjëra të mëdha për Kamenicën tonë.
Në certifikatë theksohej se përmes kësaj vizite dhe dëshirës për ta bërë qytetin më të mirë, më të pastër dhe më të gëzuar, secili fëmijë bëhej “Kryetar/e nderi”.
Pas ndarjes së certifikatave, u realizua një fotografi e përbashkët para ndërtesës së komunës, duke e përjetësuar këtë ditë të veçantë.
Befasi nga Kryqi i Kuq
Vizita vazhdoi me një shëtitje nëpër qytet deri në objektin e kopshtit, ku fëmijët i priste një tjetër befasi. Kryqi i Kuq i Kosovës – Dega në Kamenicë, përmes përfaqësuesve Rexhep Morina dhe Fazile Osmani Shkodra, shpërndau nga një dhuratë për secilin fëmijë.
Drejtoresha në detyrë, znj. Fatime Leci, falënderoi edhe njëherë Komunën e Kamenicës dhe Kryqin e Kuq për këtë ditë të paharrueshme, e cila shënoi në mënyrë të veçantë festimin e 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
- Advertisement -
- Advertisement -